1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE ndihmon fermerët e prekur nga embargoja ruse

Bernd Riegert/Pandeli Pani19 Gusht 2014

125 milionë euro ndihmë emergjente për fermerët e prekur nga embargoja ruse. vlera e përgjithshme e prodhimeve bujqësore që ka blerë Rusia nga Evropa në vitin 2013 shkon në 12 miliardë euro.

https://p.dw.com/p/1CwcY
Fotografi: picture-alliance/Itar-Tass

Ndalimi nga Rusia i importeve të prodhimeve bujqësore nga Evropa e ka detyruar Komisionin Europian të ndërhyrjë në tregjet e perimeve dhe të frutave. Deri në nëntor Brukseli do t'u japë ndihmë financiare fermerëve që prodhojnë perime apo fruta që prishen, në qoftë se ata nuk i shesin dot vetë mallrat e tyre në treg. "Këto masa kanë për qëllim lehtësimin e presionit mbi tregjet evropiane, që është shkaktuar nga humbja e tregjeve të eksportit me një paralajmërim kaq afatshkurtër," tha Roger Waite, i ngarkuar për bujqësinë në Komisionin Evropian në Bruksel. Për shkak se Rusia nuk importon më domate holandeze, mollë polake apo pjeshka spanjolle, në BE mund të ketë një mbiofertë , e cila shkakton uljen e çmimeve dhe zvogëlon të ardhurat e fermerëve. "Kjo duhet të parandalohet dhe prandaj masat tona emergjente do të zbatohen menjëherë," njoftoi Komisioneri i BE për bujqësinë, Dacian Ciolos.

Dacian Ciolos
Dacian CiolosFotografi: Georges Gobet/AFP/Getty Images

Shpërndarje falas

Fermerët mund të bëjnë tani kërkesë që ta groposin pesë për qind të prodhimit të tyre dhe të marrin si dëmshpërblim nga buxheti i bujqësisë i BE-së 50 për qind të të ardhurave që pritej të merrnin në të vërtetë. Nëse fermerët nuk i shkatërrojnë prodhimet, por ua shpërndajnë falas njerëzve në nevojë apo shkollave, atyre do t'u rimbursohet 100 për qind e të ardhurave që pritej të nxirrnin. "Buxheti për këtë masë emergjente është 125 milionë euro. Qëllimi kryesor nuk është që produktet të tërhiqet nga tregu, por që të shpërndahen falas," tha Roger Waite.

Paratë vijnë nga fondi për menaxhimin e krizave, që e administron Komisioneri i BE-së për Bujqësinë. Ky fond nuk u ngrit posaçërisht pas konfliktit tregtar me Rusinë, por ishte gjithsesi në dispozicion për masa kompensuese për kushte të caktuara të tregut.

Moskau Markt & Obst
Fotografi: Natalia Kolesnikova/AFP/Getty Images

Rrezik edhe për çmimet e qumështit

Në vitin 2013 Rusia ka blerë nga Evropa fruta dhe perime me vlerë prej 1,3 miliardë eurosh. Ndërsa vlera e përgjithshme e prodhimeve bujqësore që ka blerë Rusia nga Evropa në vitin 2013 shkon në 12 miliardë euro. Prej ndërprerjes nga Rusia të importeve nga vendet e BE-së mund të preken edhe prodhimet e qumështit dhe mishi i derrit, që gjithashtu përbëjnë pjesë të mëdha të vëllimit të eksportit për në Rusi. Për këto prodhime nuk janë përllagritur ende kompensime, tha për Deutschen Welle-n kryetari i Shoqatës Evropiane të Blektorëve Romuald Schaber. Problem përbën fakti se pengesat për ndërhyrjen shtetërore në tregun e bulmetrave janë të larta. Po ashtu shumë ferma janë të rrezikuara sepse ato kanë investuar për ngritjen e kopeve dhe përllogarisnin që do t'i shisnin prodhimet e tyre për 10-20 vjetët e ardhshme.

Ministrat e Bujqësisë të Bashkimit Evropian duan të mblidhen më 5 shtator për të diskutuar në një takim të veçantë për masat e mëtejshme, sepse në rast se BE-së do t'i duhet të kompensojë të gjithë shumën e vlerës së përgjithshme të prodhimeve bujqësore që ka blerë Rusia nga Evropa atëhere buxheti i bujqësisë i BE-së do të vihej shpejt para një sfide tepër të madhe.