1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE ndihmon infrastrukrurën ndërkufitare Shqipëri-Greqi

Odise Kote26 Mars 2007

Marrin jetë investimet ndërkufitare të financuara nga Bashkimi Europian në rajonin jugor të Shqipërisë. Projektet investuese përfshijnë fushat e infrastrukturës rrugore, trashëgimisë kulturore, arsimit e biznesit të vogël, me partneritet e bashkëpunim në të dy anët e kufirit shqiptaro-grek

https://p.dw.com/p/ArXJ
Dervicani, fshat me minoritet grek në Shqipëri
Dervicani, fshat me minoritet grek në ShqipëriFotografi: DW

Në Rajonin jugor të Shqipërisë kanë nisur investimet me vlerë rreth 4.1 milionë euro në formë projektesh nga Bashkimi Europian. Këto projekte po synojnë zhvillimin e infrastrukturës ndërkufitare, promovimin e trashëgimisë kulturore si dhe nxitjen e shkëmbimeve e të biznesit në të dy anët e kufirit.

Përfitues të këtyre investimeve do të jenë tre prefekturat jugore të Korçës, Vlorës e Gjirokastrës. Të gjitha projektet investuese të këtij programi po realizohen tani si
projekte të përbashkëta dypalëshe ndërkufitare me synimin për të rritur bashkëpunimin ndërkufitar midis pushteteve vendore në Shqipërinë jugore e Greqinë e veriut, si dhe për të rritur kurbën e qarkullimit të lirë dhe të zhvillimit të biznesit në të dy anët e kufirit shqiptaro-grek. Projektet kanë nisur nga puna pas nënshkrimit edhe të një Memorandumi të bashkëpunimit të pushteteve vendore të Jugut të Shqipërisë e Greqisë së veriut.

Investimet e bashkimit europian për zonat ndërkufitare kanë nisur tashmë me punën konkrete në disa rrugë të rëndësishme kufitare, me projekte të trashëgimis kulturore. Në shqipëri është filluar me hapjen e ndërtimin e ifrastrukturës në dy pikëkalime të reja kufitare me greqinë në jug të Shqipërisë, në atë të Qafëbotës në Sarandë dhe atë të Sopikut në Gjirokastër.

Paralelisht me to ka nisur edhe ndërtimi infrastrukturës rrugore për të bërë të mundur në një kohë sa më të shkurtër qarkullimin e mjeteve në to. Por një prioritet i programeve të Bashkimit Europian Intereg 3 do të jenë edhe projektet e përbashkëta etno-kulturore, me synimin për të krijuar një klimë paqeje, bashkëpunimi dhe shkëmbimesh reciproke në pjesën e rajoneve ndërkufitare. Këto projekte synojnë të afrojnë më tepër banorët e zonave si dhe të nxisin shkëmbimet reciproke duke afruar kulturat e përvojat e përbashkëta.