1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE: Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina ende larg lirisë prej vizave

15 Qershor 2009

BE-ja po bën përpjekje edhe për të ndërmjetësuar në mosmarrëveshjen midis Kroacisë dhe të Sllovenisë për kufirin.

https://p.dw.com/p/I9ys
Komisioneri i BE-së për zgjerimin Olli Rehn (m) dhe ai EU për transportin Jacques Barrot gjatë një konference për Ballkanin
Komisioneri i BE-së për zgjerimin Olli Rehn (m) dhe ai EU për transportin Jacques Barrot gjatë një konference për BallkaninFotografi: picture-alliance/dpa

Ministrat e Jashtëm të 27 vendeve të BE-së janë mbledhur sot (15.06) në Luksemburg, ku ndër shumë çështje të tjera po diskutojnë edhe mbi afrimin e Serbisë me BE-në si dhe mbi heqjen e detyrimit për vizë për një sërë shtetesh pasuese të ish-Jugosllavisë.

Gjatë takimit do të bëhen gjithashtu përpjekje për të ndërmjetësuar në mosmarrëveshjen midis Kroacisë dhe të Sllovenisë për kufirin, e cila bllokon anëtarësimin e Kroacisë në BE.

Holanda, është kundërshtarja kryesore e zbatimit të marrëveshjes mes BE-së me Serbinë të nënshkruar në prill 2008, dhe thekson se do të votojë pro vetëm në rast se kryeprokurori i Gjykatës së Hagës për ish-Jugosllavinë, Serge Brammertz, i cili do të raportojë në këtë takim, do të dëshmojë se Serbia kooperon pa kufizime me këtë gjykatë.

BE-ja do të ripërsërisë në Luksemburg se në parim është e gatshme që duke filluar nga viti i ardhshëm për qytetarët e vendeve të Ballkanit të hiqen vizat, por kjo do të varet nga plotësimi i kushteve.

Sipas diplomatëve, deri tani në këtë drejtim kanë bërë përparime të mëdha Maqedonia, Serbia dhe Mali i Zi, ndërkohë që Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina janë më larg nga liria e vizave.

Autor: Pandeli Pani
Redaktoi: Aida Cama