1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

BE- Turqia dhe vrasja e Litvinjenkos

12 Dhjetor 2006

Helmimi i ish - agjentit rus Aleksander Litivinjenko në Londër, gjurmët që sjellin deri në Gjermani dhe raportet mes Turqisë dhe BE janë ndër temat më të rëndësishme të shtypit të sotëm gjerman

https://p.dw.com/p/ArmZ
Fotografi: picture-alliance/dpa

Lidhur me helmimin e Litvinjenkos, e përditshmja Syddojçe Cajtung shkruan:

"E gjitha kjo s'ka të bëjë fare me ndonjë romantikë sekrete, me legjenda nga koha e luftës së ftohtë ose kohën e kapitalizmit brutal. Kjo po ndodh në Gjermaninë dhe Britaninë e sotme, në aviona, banesa, zyra të autoriteteve lokale dhe nëpër kafene. Një vrasës i dyshuar bart me vete lëndë helmuese radioaktive nëpër mbarë Evropën, rrezaton njerëzit e pafajshëm dhe përhap ndjenjën e pasigurisë, brutalitetit dhe misteriozitetit. Përderi sa demokracia kërkon shpjegime dhe të vërtetën, të ashtuquajturve demokrat rusë nuk u intereson fare transpranca. Kriminaliteti nuklear po bëhet një delikt kavalerësh. Bota autoritare duket e fuqishme. Gjermania, Britania e Madhe dhe kushdo tjetër që cënohet prej këtyre dukurive, duhet të dërgojnë një sinjal edhe më të fuqishëm. Shpjegimet, transparenca dhe mirëbesimi janë bazat më të fuqishme të demokracisë", konkludon komentatori i Sydodojçe Cajtung.

Edhe gazeta tjetër me orientim konservator, Frankfurter Allgemajne Cajtung, është e mendimit se bota ka nevojë për më shumë shpjegime, në radhë të parë nga Moska zyrtare.

"E tërë bota kërkon shpjegime dhe shikon drejt Moskës. Autoritetet ruse thonë se po bashkëpunojnë me kolegët e tyre nga vendet tjera. Mirëpo qarqet që përdorim poloniumin e shtrenjtë, duket se po i ikin duarve të drejtësisë. Autoritetet ruse duhet të dijnë se bota nuk po u beson. Përvojat e policëve britanikë që ishin në Moskë, nuk janë të mira. Në Rusinë e Vlladimir Putinit ende ka shumë elemente të Bashkimit Sovjetik, pa marrë në konsideratë se miqtë e tij si Gerhard Shrëder pohojnë të kundërtën. Zgjidhja nuk është kontrolli më i fuqishëm por transparenca më e madhe demokratike", konstanton Frankfurter Allgemajne Cajtung.

Me të njëjtën çështje merret sot edhe Shtutgarter Cajtung.

"Politika nuk donte të besonte që njerëzit e dinë që nga koha e mitologjisë greke se e keqja dhe e tmerrshmja, kur një herë përhapen, nuk mund të futen nën kontroll, madje as prej më të fuqishmëve. Ajo më pas vetëm keqpërdoret për qëllime të ndryshme. Kutia e pandorës është hapur. Putini për këtë e ka vetëm një pjesë ta fajit. Ata që e sulmojnë vetëm Putinin nuk janë largpamës. Nuk është tepër me rëndësi ajo që po ndodh tani. Esenciale është se çfarë do të ndodhë më pas", mendon komentatori i Shtutgarter Cajtung.

Ndërrojmë temë dhe kalojmë tek komentet e raporteve mes Bashkimit Evropian dhe Turqisë.

Allgemajne Cajtung nga Majnci shkruan:

"Ai që do të futet në BE duhet ta ketë të qartë se atje ekzistojnë edhe rregulla të qarta loje, të cilat duhet të respektohen. Pranimi në këtë klub sjell shumë përparësi, por pranimi nuk është falas. Turqia është një vend i cili mund të ndërtojë ura bashkëpunimi mes rajoneve shumë të rëndësishme botërore. Brenda Natos e ka dëshmuar pa rezerva se është një partner i besueshëm. Por kjo nuk do të thotë se vet mund të bëjë rregulla. Një "po" ndaj BE do të thotë se duhet të lëshojë pe në çështjet e Qipros dhe pikë!", mendon Allgemajne Cajtung.

Kalojmë në lindje Gjermanisë dhe lexojmë komentin e Ostze Cajtung të Rostokut:

"Keq është kur Turqia nuk lëviz fare në çëshjten e njohjes së Republikës së Qipros si anëtare të BE. Por edhe më keq është kur BE nuk flet me një zë për këtë çështje. Për shkak se shtetet anëtare të BE kanë interesa të ndryshme dhe nuk janë unik në çështjen e Turqisë, negociatat po futen në qorrsokak. Në gjashtë muajt e parë të vitit të ardhshëm ndasitë në qëndrime do të vërehen edhe brenda koalicionit qeveritar në Gjermani. Merkel është kundër ndërtimit të urave mbi Bosfor, ndërsa Shtajnmajer nuk ka mundësi ta bëjë këtë", pohon Ostze Cajtung.

Me mendimet e ndryshme të kancelares dhe ministrit të jashtëm mbi çëshjten e Turqisë, merret edhe komentatori i gazetës Abendcajtung, nga Mynihu.

"Fjala është është për kontroversa dhe lojra politike: si shefe e CDU-së, Angela Merkel duhet që me deklarata populliste t'i japë pak sheqer krahut radikal rreth shefit të CSU Edmund Shtojber. Ndërsa si kancelare në një koalicion të madh, e në të ardhmen edhe presidente e radhës e BE, Merkel duhet të jetë shumë më diplomatike dhe e kujdesëshme", konstaton Abendcajtung.