1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Atentatori i Liezhës vrau viktimën e katërt një ditë më parë

30 Maj 2018

Dorasi vrau të martën dy policë dhe një kureshtar në Liezhë. Prokuroria e Përgjithshme deklaron se i ka kategorizuar aktet si "vrasje terroriste me dashje" dhe po përpiqet të gjejë nëse atentatori veproi i vetëm.

https://p.dw.com/p/2ycsA
Belgien Schießerei in Lüttich
Fotografi: Reuters/V. Jay

Atentatori, që vrau të martën dy policë belgë dhe një kureshtar në qytetin belg Liezhë pati vrarë një ditë më parë një burrë, bëri të ditur ministri belg i Punëve të Brendshme Jan Jambon në një deklaratë për televizonin RTL. 

Jamboni konfirmoi se viktima ka qenë më parë i burgosur, i cili e kishte kryer dënimin në burg së bashku me dorasin, që u identifikua si shtetas belg me emrin Benjamin Herman.  Dorasi e pati vrarë burrin duke e goditur me një objekt të fortë në kokë.

Gjatë sulmit të martën, Hermani, i cili qe liruar dy ditë më parë nga burgu iu afrua nga pas dy policeve femra dhe i goditi ato disa herë me thikë, përpara se të merrte armën e njërës prej policeve dhe t'i vriste me to.

Pastaj ai vrau një 22 vjeçar në një automjet të parkuar në afërsi dhe më vonë u arratis në një shkollë pranë, ku mori si peng një grua.

Shkëmbim zjarri në Liezhë
Shkëmbim zjarri në LiezhëFotografi: Reuters/M. Wilmet

Akt terrorist

Hermani u vra më vonë në një shkëmbim zjarri me policinë. Për këtë rast kanë nisur hetimet, të cilat kanë si objekt edhe rrethanat e lirimit të dorasit nga burgu.

"Kemi të bëjmë vërtet me një rast të veçuar. Ai nuk ishte pjesë e ndonjë rrjeti, nuk mori udhëzime nga askush, prandaj nuk është e nevojshme që të ngrihet shkalla e rrezikimit nga atentatet terroriste", tha Jamboni.

Një gjykatëse federale belge deklaroi më vonë se hetuesit i kategorizojnë aktet e së martës si "atentat terrorist" dhe do të përpiqen të gjejnë nëse atentatori kishte vepruar i vetëm. Gjykatësja Wenke Roggen konfirmoi informacione, sipas të cilave dorasi pati thirrur disa herë në arabisht "Allahu akbar" gjatë sulmit në amok. Ajo tha se atentatori qe radikalizuar në burg.

Roggen bëri të ditur më tej se mënyra e veprimit të Hermanit ngjan me ato të "grupit militant" "Shteti Islamik", i cili u bën thirrje mbështetësve në mesazhe me video që ta sulmojnë me thika policinë dhe që t'i marrin asaj armët.