1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Beogradi – miniera e arit për kontrabandistët

29 Janar 2017

Që nga mbyllja e itinerarit të Ballkanit janë ngujuar në Serbi më shumë se 7.000 refugjatë. Shumë detyrohen të japin monedhat e fundit për kontrabandistët. Sa më e vështirë rruga drejt Europës, aq më i lartë çmimi.

https://p.dw.com/p/2WYt2
Flüchtlinge Belgrad
Fotografi: DW/N.Rujevic

Çmimi arrin nga 200-300 euro. Për këtë çmim kontrabandistët të ofrojnë një shoqërim të vogël deri në kufirin kroat apo hungarez dhe të tregojnë rrugë pa rrugë që duhet të ndjekësh deri në kufirin hungarez. Në këtë çmim janë futur edhe gërshërët për prerjen e telave të gardhit me gjemba.

Qindra refugjatë përpiqen përditë të dalin nga „rruga qorre" Serbi për të prekur tokë europiane. Shumica kapen nga policia, shpesh ata rrihen, iu vidhen paratë, apo poshtërohen deri sa kthehen sërish në Serbi. Këto informacione kanë ardhur nga raportimet e ditëve të fundit të reporterëve të Deutsche Welles pas bisedave me refugjatët. Edhe Shirsad Safi është njëri prej tyre, një afgan 17 vjeçar, i cili tregon për „ekskursionin" për një kohë shumë të shkurtët në Hungari.

Flüchtlinge Serbien
Refugjatë në SerbiFotografi: DW/N. Rujević

Zbathur në dëborë

„Kur na kapi policia na detyroi të ecnim zbathur në dëborë, 6 orë rresht. Në grupin ku ndodhesha unë kishte edhe fëmijë. Na hodhën ujë të ftohtë", rrëfen afgani. Ndërkohë 100 metra larg, në një park pranë stacionit të trenit në Beograd janë vënë në pozicion kontrabandistët, që presin klientë si Shirsadi. Në një depo të braktisur pas stacionit të trenit janë përqendruar më shumë se 1000 emigrantë. Kjo depo është kthyer në simbol të gjendjes së mjerueshme të refugjatëve në Europë. Refugjatët që kanë kohë që qëndrojnë këtu përmendin nofkat e konrabandistëve si „sulltani", „smaragdi" apo „Musai".

Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq kundërshton. Sipas tij në dy tre vitet e fundit janë kapur 2000 të dyshuar. "Statistikat tregojnë, se Serbia në këtë kategori mban rekordin në Europë”, thotë ministri i Brendshëm. Por kapja nuk do të thotë patjetër burg. Shumica e kontrabandistëve lirohen shpejt, vetëm në pak raste janë dënuar rreptë ndihmësit lokalë të rrjeteve kriminale.

Serbien Reise von Nemanja Rujevic Gordan Paunovic
Gordan Paunovic ndihmon refugjatëtFotografi: DW/N. Rujevic

Gordan Paunoviq, drejtues i „Info park" thotë se „arrestohen vetëm shoferë, ndihmës, këto janë pjesë këmbimi të zëvendësueshme për bandat.” Ai njeh qindra refugjatë që janë gënjyer apo janë vënë nën presion nga kontrabandistët. Paunoviq është i zemëruar edhe me qeverinë në Beograd. "Kontrabandistët tolerohen, sepse ata me mënyrat e tyre ndihmojnë për të larguar njerëzit nga vendi.” Kjo reflektohet edhe në shifra. Policia dhe Komisariati i OKB-së për refugjatët flasin për rreth 200 migrantë që kalojnë kufirin çdo ditë për në Bullgari.

Nga refugjat në kontrabandist

Nuk ke nevojë të presësh gjatë për të dalluar një kontrabandist. Ata kanë pamjen e një afgani apo pakistanezi, si shumica e të ardhurve, por janë të veshur me rroba të pastra dhe këpucë të mira, mbajnë një celular rregullisht në veshë, disa kanë edhe makinë. Një i ri në parkun pas stacionit, thotë se për 2000 euro të premtojnë rrugë të lirë deri në Austri. Ligji i pashprehur thotë: Sa më e vështirë rruga, aq më i lartë çmimi. Paunoviq konfirmon „se në muajt e fundit gjithnjë e më shumë refugjatë, po veprojnë si kontrabandistë." Ka shumë të rinj që përfshihen mes refugjatëve dhe ofrojnë çmime më të ulta për refugjatët. Truket e tyre janë si tek magjistarët: kur zbulohen një herë nuk vlejnë më. Maunet e mëdha kontrollohen rreptë në kufi, edhe fshehja në vagonë trenash nuk funksionon më. Sigurisht thashethemet se kontrabandistët bashkëpunojnë me policë, nuk janë konfirmuar ndonjëherë.

Serbien Flüchtlinge in Belgrad
Fotografi: Getty Images/S. Stevanovic

Jelena Hrnjak e di shumë mirë se "çfarë mund të bëjnë njerëzit e dëshpëruar." Ajo është punonjëse e organizatës humanitare, "Atina”, që trajton viktimat e trafikut njerëzor. Ajo rrëfen për njerëz që shesin veshkën, për gra që ofrojnë seks për të paguar, apo fëmijë që janë keqpërdorur për pornografi. "Refugjatët nuk kanë mbështetje, ata shpesh janë pa dokumente. Ata kanë frikë nga arrestimi, apo nga shtrimi i kërkesës për azil në Serbi, pasi nuk duan të qëndrojnë këtu.” Sipas Hrnjak kontrabandistët e vazhdojnë të papenguar punën e tyre, megjithëse itinerari i Ballkanit është mbyllur. "Aktualisht nuk ka kohë më të mira për kontrabandistët në Ballkan”, thotë ajo.