1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlin: Përfaqësues i posaçëm për politikën e jashtme kibernetike

Christian Ignatzi/Pandeli Pani1 Gusht 2013

Çështja e mbrojtjes së të dhënave dhe të teknologjisë së informacionit luan një rol të rëndësishëm në fushatën zgjedhore.

https://p.dw.com/p/19HuC
Fotografi: DW

Nëse një amerikani në Gjermani i kërcënohet privatësia, ai mund të shkojë në gjykatë. Në anën tjetër një shtetas gjerman në Shtetet e Bashkuara në një rast të tillë nuk mund të ankohet, thotë I Ngarkuari Federal për Mbrojtjen e të Dhënave dhe Lirisë së Informimit, Peter Schaar. Dhe ai shkon edhe më tej: Shërbimet sekrete ndërkombëtare spiunojnë jashtë vendit dhe në këtë mënyrë shpërfillin pjesërisht ligjet e vendeve në të cilat ata veprojnë. Rasti i fundit: Skandali i përgjimit të NSA-së amerikane. Shembuj të tillë e bëjnë të qartë për Peter Schaar që në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar në çështjet kibernetike ka ende shumë për të bërë.

Edhe Ministria e Jashtme gjermane duket se gjykon në mënyrë të ngjashme. Ministri i Jashtëm Guido Westerwelle emëroi për herë të parë një përfaqësues të posaçëm për politikën e jashtme kibernetike. Kjo bëhet për shkak të rëndësisë ndërkombëtar në rritje të çështjeve kibernetike. Këtë post do ta marrë përsipër Dirk Brengelmann, një diplomat me përvojë, që së fundi ka shërbyer si këshilltar i ngushtë i Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s për çështjet e sigurisë.

Dirk Brengelmann Beauftragter für Cyber-Außenpolitik
Dirk BrengelmannFotografi: picture-alliance/dpa

Ministria e Jashtme gjermane nuk ka njoftuar më shumë se kaq dhe pyetur nga Deutsche Welle, se cilat janë detyrat e detajuara që do të kryej Brengelmann në të ardhmen, ministria dërgoi një njoftim me shkrim pa shumë sqarime: "Vendimi i Ministrit të Jashtëm Westerwelle reflekton rëndësinë ndërkombëtare në rritje të çështjeve kibernetike. Dirk Brengelmann do të përfaqësojë interesat kibernetike gjermane në nivel ndërkombëtar." Në nivel ndërkombëtar vitet dhe dekadat e ardhshme mbrojtja e hapësirës kibernetike duke ruajtur lirinë e internetit do të jetë një sfidë kryesore.

"Politika duhet të veprojë, jo vetëm të flasë"

Eksperti i mbrojtjes së të dhënave dhe avokati Martin Vetter thotë me zemërim: "Një herë krijohet një post të ri dhe pastaj mendohet se cilat do të jenë detyrat e tij." - tha ai në një intervistë për DW. Në përgjithësi Vetter e vlerëson pozitivisht krijimin e pozicionit të ri, megjithatë për të nuk mjafton vetëm një përfaqësues i posaçëm për politikën e jashtme kibernetike.

Martin Vetter mendon se duhet shfuqizuar p.sh. marrëveshja për këmbimin e të dhënave personale të pasagjerëve mes SHBA-së dhe BE-së.

Kurse Komisioneri për Mbrojtjen e të dhënave Peter Schaar thotë se "Është e rëndësishme para së gjithash, që ka nevojë për një koncept se si të drejtat civile mund të mbrohen globalisht në epokën dixhitale."

Peter Schaar Bundesbeauftragter für Datenschutz 24.04.2013
Peter SchaarFotografi: picture-alliance/dpa

Motive politike për shkak të fushatës elektorale

Udo Vetter beson se caktimi i një përfaqësues të posaçëm për politikën e jashtme kibernetike, është një veprim politik për shkak të fushatës elektorale. Kjo shpjegon gjithashtu dhe faktin se pse deri tani askush nuk dëshiron, ose mund të thotë saktësisht se ç'detyra do të ketë përfaqësuesi i posaçëm për politikën e jashtme kibernetike. Peter Schaar gjithashtu beson se vendimi i Westerwelles mund të ketë lidhje me fushatën elektorale, por nuk e sheh atë si të gabuar. "Sigurisht, çështja e mbrojtjes së të dhënave dhe të teknologjisë së informacionit luan një rol të rëndësishëm në fushatën zgjedhore dhe unë mendoj se kjo nuk është gjë e keqe." Politika dhe rrjedhimisht fushta e zgjedhjeve në një demokraci janë vendi i duhur për të diskutuar çështjet shqetësuese për njerëzit. Megjithatë, ministritë nuk duhet të kufizohen në akte simbolike.