1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Berlusconi mbetet kryeministër, por me një fitore si të Pirros

15 Dhjetor 2010

Kryeministri italian, Silvio Berlusconi do të qëndrojë në postin e kryeministrit. Senati italian ia dha votën por me një shumicë të ngushtë. Votëbesimi u kthye në dështim për kundërshtarin e Berlusconit, Gianfranco Fini.

https://p.dw.com/p/QYee
Kryeministri Silvio Berlusconi duartrokitet pas votëbesimit
Kryeministri Silvio Berlusconi duartrokitet pas votëbesimitFotografi: AP

Silvio Berlusconi e kaloi edhe kësaj here lumin. Ndërsa Gianfranco Fini, partneri aleat dhe sfidanti më i madh është humbësi i këtyre ditëve. Ironi e historisë, që vetë Finit si kryetar parlamenti i duhet të kumtojë humbjen.

Tre vota më shumë për kampin e Berlusconit. Përkrahësit e tij brohorasin, disa madje kërkojnë dorëheqjen e Finit. Rrëmujë u krijua edhe në momentin e votimit, kur deputetja Katia Polidori votoi pro Berlusconit.

Polidori është anëtare e partisë së re të Gianfrano Finit "E ardhme dhe liri". Ndryshimi i papritur i qëndrimit të saj i zemëroi kaq shumë disa deputetë, saqë ata e humbën kontrollin. Deputetë të tjerë ndërhynë kështu që për disa minuta seanca u ndërpre.

Berlusconi ndërron situatën në favorin e tij

Fini të martën në rolin e kryetarit të parlamentit ishte i detyruar për neutralitet strikt, larjen e hesapeve me Berlusconin, e mori përsipër kryetari i fraksionit "E ardhme dhe liri", Italo Bocchino:

"Zoti president, aleanca e qendrës me të djathtën nuk mban nënshkrimin e "Holding Mediaset", nuk i përket firmës publicitare "Pubitalia" dhe grupit të shtëpive botuese "Mondadori". Jemi pjesë e aleancës së qendrës me të djathtën, sepse e shohim veten aty nga ana politike dhe kulturore, dhe nuk marrim mësime nga ata përsa i përket kulturës sonë politike."

Para disa javësh dukej sikur Berlusconi nuk do ta kapërcente pengesën e dhomës së deputetëve. Ditët e fundit fleta u kthye. Politikanë që më parë nuk llogariteshin si të kampit të Berlusconit deklaruan se do të votonin pro tij.

Fitorja e Pirros

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Pierluigi Bersani bëri fjalë para votimit për një fitore si të Pirros: "Sido që të dalë rezultati, për ju do të jetë humbje. Çfarë mund të prisni ju në rastin më të mirë në një ditë të tillë. Një fitore si të Pirros."

Është vërtet një fitore e hidhur për Berlusconin. E errësuar nga akuza e blerjes së votave. Berlusconi dhe partia e tij "Populli i lirisë" (PDL) duket se kanë blerë deputetët me para apo me premtime për vende të sigurta në listë deputetësh. Këtu shtohet edhe fakti që shumica që mori Berlusconi është një shumicë e dobët. Vetëm tre vota më shumë. Kjo nuk është një bazë solide për qeverinë e tij, thotë partneri i koalicionit, Lega Nord. Megjithatë, kryetari i fraksionit të PDL-s, Fabrizi Cicchitto këmbëngul: Fitorja mbetet fitore.

"Rezultati, një votë më pak apo një votë më shumë, është megjithatë pozitiv. Përpjekja për destabilizim është mënjanuar, edhe hipoteza që po merr fund një erë politike. Partia e Finit nuk qe në gjendje të krijojë një aleancë të re të qendrës me të djathtën."

Por ndërkohë që në parlamentin italian diskutohej mocioni i votëbesimit, jashtë protestohej ashpër kundër qeverisë së Berlusconit.

Autor: Tilman Kleinjung/Lindita Arapi

Redaktoi: Esat Ahmeti