1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Besa" në Maqedoni - opcioni i tretë në skenën partiake

Fatos Musliu21 Nëntor 2014

Më 22 nëntor, promovohet zyrtarisht Lëvizja ‘Besa”. Afrim Gashi njëri ndër themeluesit e kësaj lëvizjeje, thotë se kjo parti do të ofrojë një model të ri politik në Maqedoni. Sipas tij, "Besa" do të ketë qasje evropiane.

https://p.dw.com/p/1DrJL
Afrim Gashi Besa Bewegung Mazedonien
Fotografi: Katerina Blazevska

Spektrit të partive politike shqiptare, i përbërë deri më tani vetëm nga dy parti, partia Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI dhe Partia Demokratike Shqiptare, PDSH, i shtohet nga dita e shtunë edhe një parti e re. Sipas analistëve kjo parti llogaritet si një opcion i tretë, i ri në skenën politike në vend. Përmes një manifestimi solemn të shtunën (22.11) do të promovohet

Këshilli Nismëtar i Lëvizjes “Besa”. Por me ç'synim vjen kjo lëvizje në skenën politike? “Ne vijmë që në skenën politike të sjellim një sistem të ri të vlerave dhe një mënyrë tjetërfare të funksionimit dhe veprimit politik. Në fakt, ne mëtojmë të sjellim moralin në politikë, të promovojmë dhe të afirmojmë diturinë e profesionalizmin dhe ta çmojmë lart punën. Ne do të angazhohemi t'i luftojmë fuqishëm të gjitha format e diskriminimit e të pabarazisë, duke e afirmuar lirinë, drejtësinë, barazinë dhe mirëqenien si parime bazë të funksionimit tonë.”, thotë Afrim Gashi, njëri ndër themeluesit e kësaj lëvizjeje.

Sipas tij lëvizja “Besa” nuk do të pozicionohet as majtas e as djathtas, sepse: “Ne jemi shumë më afër teorisë politike, e cila flet për fundin e ideologjive dhe duke u bazuar në këtë teori, ne mendojmë se në këtë kohë dhe në rrethanat tona është i parealizueshëm dhe i pamundshëm profilizimi ‘i pastër' ideologjik i djathtë, i qendrës ose i majtë. Sipas tij, “në raport me traditën, trashëgiminë kulturore, kombin dhe familjen, ne jemi të djathtë, ndërsa sa i përket politikave sociale, do të anojmë nga të majtët. Në raport me fuqinë dhe centralizimin e shtetit, do të jemi shumë më afër qendrës ose do të kërkojmë instalimin e një mekanizmi shtetëror, që shteti të jetë më i vogël në raport me qytetarin dhe liritë e tij.

Mazedonien Luftverschmutzung in Skopje
Fotografi: DWS. Toevski

Partia e re ka mbledhur në radhët e veta figura e personalitete që deri më sot nuk janë marrë me politikë. Bashkëthemeluesi i kësaj lëvizjeje nuk e sheh si mangësi një fakt të tillë, sepse sipas tij shpresa është tek rinia: “Nuk mund të themi që në radhët tona nuk ka njerëz që janë marrë edhe më herët me politikë, sepse fundja ne shqiptarët detyrimisht jemi bërë të gjithë në një mënyrë politikanë, por më mirë do të themi se ata që sot janë në "Besa" janë personalitete që nuk kanë qenë pjesëmarrës në eshalonet e larta shtetërore, ku mund të kenë marrë vendime të dëmshme për shqiptarët dhe për qytetarët e tjerë të këtij vendi. Megjithatë, shumica prej nesh nuk kanë qenë pjesë aktive e subjekteve të tjera. Mangësinë e përvojës politike do ta plotësojmë me njerëzit që kanë qenë në politikë më herët e që tash jam me ne, por edhe me ish-politikanë, të cilët do të ofrojnë mbështetje në cilësi të ekspertëve, ndërsa përparësia qëndron në sfidën dhe ambicien që e kanë të rinjtë për të kontribuar për të mirën e shoqërisë.”

Lëvizja “Besa” ndonëse kryesisht do t'i drejtohet elektoratit shqiptar, synon, që të fokusohet me programin e saj tek të gjithë qytetarët e Maqedonisë. Afrim Gashi thekson: “Edhe pse ne mendojmë se kombit maqedonas, i cili është shumicë në këtë vend, i bie hisja të konstatojë se ky shtet kështu nuk funksionon dhe duhet të ofrojë një zgjidhje tjetër, sepse subjektet politike shqiptare as nuk arritën ta kuptojnë thelbin e problemeve në Maqedoni, megjithatë në mungesë të kësaj, neve si shqiptarë të rinj na bie barra që përmes Besës të organizohemi, t'i bindim shqiptarët, por edhe maqedonasit, turqit e të tjerët, se kështu më nuk shkon dhe të ofrojmë një model të ri të dobishëm për të gjithë, i cili do të bazohet mbi parime pozitive, e jo mbi urrejtje dhe shantazhe të njëri-tjetrit.”.

“Besa” synon të jetë e hapur për bashkëpunim ndaj të gjitha subjekteve politike në Maqedoni, sepse sipas Gashit, “ka ardhur koha të dalim prej istikameve dhe të mendojmë si njerëz që jemi gjendur këtu dhe që duhet të mësohemi të funksionojmë bashkërisht.” Lidhur me akuzat, se kjo parti ka një ideologji të huaj duke theksuar më shumë atë turke të Erdoganit, bashkëthemeluesi i “Besës” i hedh poshtë me forcë, duke i quajtur ato si propagandë: “Ne i takojmë gjeneratës që politikën nuk e sheh nën syrin e armikut të jashtëm, por si veprimtari që e afirmon idenë tonë se çfarë mund të ofrojmë ne diçka më të mirë për shoqërinë. Kjo është qasje evropiane në politikë dhe ne jemi përcaktuar të ecim në këtë shteg.