1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

UN Aussöhnung Friedensnobelpreisträger

25 Maj 2009

Ahtisaari: "Në Ballkan më kanë munguar burrat dhe gratë shpirtbutë të Afrikës."

https://p.dw.com/p/Hx21
Marti Ahtisari
Marti AhtisaariFotografi: picture-alliance/ dpa

Ish-presidenti i Finlandës, Marti Ahtisaari, është me siguri ndërmjetësuesi me i kërkuar i paqes në botë. Që nga pavarësia e Namibisë deri te ajo e Kosovës, mbajtësi i çmimit Nobel të Paqes ka treguar në shumë konflikte ndërkombëtare rrugë zgjidhjeje. Në këtë intervistë ai pozicionohet ndër të tjera për reagimet ndaj marrjes së çmimit Nobel pas ndërmjetësimit për Kosovën dhe elementët bazë të paqes.


DW: Marti Ahtisaari, ta zëmë se një vëlla dhe një motër ndërtojnë së bashku një shtëpi dhe shpërngulen aty për të jetuar. Por shumë shpejt plas grindje. Secila nga palët akuzon tjetrën se nuk u përmbahet marrëveshjeve për të cilat është rënë dakord më parë. Veç kësaj, palët kanë mendime të ndryshme, se ç'përmbajtje kanë këto marrëveshje. Tani juve ju duhet të ndërmjetësoni në këtë konflikt. Çfarë mund të bëni?


Marti Ahtisaari: Në radhë të parë unë do të verifikoj a duan palët të bien dakord me njëra-tjetrën. Sepse nëse ato nuk kanë asnjë interes për një zgjidhje paqësore të konfliktit, nuk ka asnjë kuptim, që unë të harxhoj kohën time. Pra kjo është e para që duhet të gjej, para se të angazhohem për zgjidhje, pavarësisht nëse kemi të bëjmë me një konflikt të madh apo të vogël.


DW: Kur u nderuat me çmimin Nobel të Paqes, këtë nuk e përshëndetën të gjithë. Pati kritika nga Rusia dhe Serbia, të cilat ju akuzojnë se si ndërmjetës keni qenë i njëanshëm në negociatat për Kosovën. Çfarë na mëson kjo për sfidat e ndërmjetësimit të paqes?


Marti Ahtisaari: Në radhë të parë, kjo tregon se jo të gjitha vendet e kësaj bote mbështeten te të njëjtat vlera. Sepse po të mbështeteshin tek të njëjtat vlera, nuk do të kishte fare asnjë diskutim për përfundimin e negociatave. Për mua është shumë e rëndësishme, që të shoh si evropian se çfarë është e drejtë - dhe jo çfarë është politikisht e rehatshme apo se çfarë do t'u pëlqente të tretëve. Në rastin e Kosovës ishte fare e qartë se nuk kishte zgjidhje tjetër nga zgjidhja që kam propozuar unë dhe që mbështetej nga të gjithë anëtarët e Grupit të Kontaktit për Ballkanin me përjashtim të Rusisë.


DW: Le të përmendim tri shtylla të paqes: të vërtetën, drejtësinë dhe besimin. A do t'i shtonit gjë kësaj liste?


Marti Ahtisaari: Drejtësi në kuptimin e shtetit juridik është një nga blloqet e themelit të çdo shoqërie paqësore. Sepse po të pyesni njerëzit në të gjithë botën, se çfarë duan më shumë, do të dëgjoni që ata duan të trajtohen me respekt për dinjitetin e tyre nga policia dhe sistemi juridik. Nëse e vërteta do të thotë pajtim, atëherë unë nuk kam tjetër çfarë të shtoj. Dhe besimi nuk krijohet menjëherë. Besimi krijohet kur njerëzit vënë re se megjithë të kaluarën e tyre ata trajtohen në mënyrë të drejtë dhe se ata mund t'i besojnë sistemit juridik të vendit të tyre. Unë besoj se këto janë parametra të mirë për paqen.


DW: Ka ndonjë rast kur përmendet edhe falja...?


Marti Ahtisaari: Kjo është pjesë e procesit të pajtimit. Unë kam thënë shpesh se në Ballkan më kanë munguar burrat dhe gratë shpirtbutë të Afrikës. Sepse unë jam çuditur herë pas here, se sa mirëkuptues janë ata. Personi që e mishëron këtë është me siguri ish-presidenti i Afrikës së Jugut, Nelson Mandela. Sepse pas 27 vjetësh burg ai nuk mbante hidhërim në zemrën e tij. Unë besoj se mund ta quash thuajse një mrekulli, që diçka e tillë mund të ndodhë.

Autor: Aarni Kuoppamäki / Auron Dodi
Redaktoi: Pandeli Pani