1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papst Bilanz

20 Shtator 2010

Vizita e Papës Benedikt në Britaninë e Madhe u zhvillua në mënyrë shumë më konstruktive nga sa kishin parashikuar shumë medie të vendit mikpritës. Papa bindi me "understatement" dhe me fjalë të qarta.

https://p.dw.com/p/PGSo

Pamja që përshkruanin mediet britanike para fillimit të vizitës së Papës dhe që u përcoll edhe nga medie të tjera në mbarë botën, dikujt ndoshta mund t'i ngjallte frikë. Mediet britanike parashikonin pak a shumënjë skenar të tillë: Benedikti i XVI-të viziton një vend, në të cilin pjesa më e madhe e njerëzve nuk tregojnë për të asnjë interes, dhe pjesa tjetër e urren. Për një nga "vizitat më të vështira jashtë" u fol, për "pritje të akullt" me të cilën do përballej në Britani, dhe që disa britanikë do të dëshëronin madje që pas zbritjes nga avioni Benedikti të arrestohej dhe të futej në burg. Madje shumëkush pyeste veten se përse Papa ndërmerrte një vizitë të tillë të vështirë dhe nuk qëndronte më mirë në Vatikan.

Por Papa Benedikt nuk e humbi toruan. Me të drejtë:vizita e vërtetë e Papës ishte krejt ndryshe nga sa kishin parashikuar shumë medie. Kreu i Kishës Katolike nuk u prit aspak me armiqësi. Qindra mijëra vetë e brohoritën, në rrugët e Londrës dhe në Edinburgh, në meshat e hapura në Glasgow dhe Birmingham.

Pamjet e besimtarëve të gëzuar, që faleshin me Papën në grupe të mëdha dhe festonin meshat me të, lanë mbresa të forta në Britaninë e Madhe edhe tek shumica jokatolike e popullsisë. Në çdo rast shumë më tepër se pamjet e demonstruesve, të cilët me mënyrën e tyre të zhurmshme e të pakëndshme, shprehën një perceptim të çuditshëm për tolerancën.

Shumë britanikëve duhet t'u ketë pëlqyer se me sa sovranitet u soll Papa ndaj tyre, duke përgëzuar arritjet në shprehjen e lirë të mendimit. Një qëndrim me të vërtetë "very British".

Por Papa fitoi në radhë të parë pikë me fjalët e qarta ndaj skandaleve të abuzimeve seksuale në Kishën Katolike. Asnjëherë më parë Benedikti i XVI nuk kishte shprehur kaq qartë se çfarë pështirosje i shkaktonin ato që priftërinjtë dhe pjesëtarët e tjerë të Kishës Katolike u kishin bërë fëmijëve dhe të rinjve të pafajshëm. Ai foli për një krim të papërshkrueshëm, dhe për herë të parë premtoi qartë se pedofilët do t'i kalohen për gjykim drejtësisë. Ky është një hap i madh përpara, edhe pse fjalët duhet të pasohen nga vepra.

Thirrjet e Papës, për të mos marxhinalizuar besimin fetar, për të mos e dëbuar atë nga jeta publike, natyrisht që janë provokuese në një vend ku konsiderohet politikisht jokorrekte edhe të urosh "Gëzuar Kërshëndellat!", dhe në vend të këtij urimi përdoret "Gëzuar festat!". Por pakëkush u acarua nga ky apel i Papës. Pjesa më e madhe e ka të qartë se si kreu i Kishës Katolike, Papa e ka për detyrë të mbrojë besimin.

Pjesa më e madhe e britanikëve do të vazhdojë të shohë me mosbesim shumë pozicione të Papës, por gjatë ditëve të kaluara shumë prej tyre patën mundësi të përjetonin një Papë të cilin nuk e njihnin kështu. Një Papë i cili kërkon pajtimin me Kishën Anglikane. Një Papë që vjen nga Gjermania dhe falenderon britanikët për luftën e tyre kundër nazismit. Benedikti nuk u prezantua si kryetari i pagabueshëm i një aparati totalitar pushteti, siç e shohin shumë kritikë, por si kreu modest i një kishe e cila ka mangësi dhe gabime.

Papa fitoi respekt në Britaninë e Madhe, dhe mund ta konsiderojë si sukses të madh vizitën e tij.

Autor: Stefan Lochner

Redaktoi: Eliana Xhani/ Aida Cama