1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bilanci i aksidentit hekurudhor në Belgjikë: 18 të vdekur dhe 162 të lënduar

16 Shkurt 2010

Për shkak të aksidentit në Belgjikë ka ende pengesa në qarkullimet e trenave për në Francë dhe Angli, ndërsa linja ku ka ndodhur aksidenti do të qëndrojë e mbyllur edhe për dy ditë të tjera.

https://p.dw.com/p/M2fE
18 të vdekur dhe 162 të lënduar nga aksidenti hekurudhor në Belgjikë.
18 të vdekur dhe 162 të lënduar nga aksidenti hekurudhor në Belgjikë.Fotografi: AP

Pas fatkeqësisë të rëndë hekurudhore në Belgjikë hetuesit po vazhdojnë të kërkojnë ende shkaqet e aksidentit. Sipas të dhënave të para, një nga makinistët nuk ka marrë parasysh sinjalin "ndal". Në këtë mënyrë si pasojë e përplasjes ballore të dy trenave në afërsi të kryeqytetit belg Bruksel, humbën jetën 18 dhe u lënduan 162 pasagjerët e tjerë.

Aksidenti i rëndë hekurudhor ndodhi 15 kilometra në jugperëndim të Brukselit. Kryeministri belg Yves Leterme anulloi vizitën e tij në Kosovë. Vetëm disa minuta pas uljes në Prishtinë avioni i tij mori përsëri rrugën për në Belgjikë. Në vendin e ngjarjes ai deklaroi: "Ne do të ndriçojmë se çfarë ka ndodhur saktë në stacionin hkeurudhor në Halle. Por unë apeloj në ndërgjegjen e lartë të të gjithëve që të presim rezultatet e hetimeve," tha Leterme.

14 orë zgjati puna deri sa ekipet shpëtimtare nxorrën pasagjerin e fundit nga vagonët e trenave.
14 orë zgjati puna deri sa ekipet shpëtimtare nxorrën pasagjerin e fundit nga vagonët e trenave.Fotografi: AP

14 orë zgjati puna deri sa ekipet shpëtimtare nxorrën pasagjerin e fundit nga vagonët e trenave. "Ne dëgjuam një krismë të madhe pastaj gjithçka u ngushtua dhe unë kisha me të vërtetë fat". Kështu shprehet një pasagjere që i ka shpëtuar fatkeqësisë. Ndërkaq një burrë tjetër tregon se si në binarë ka parë një burrë i cili kishte humbur të dyja këmbët.

Trenat ishin të mbushur plot me pasagjerë, të cilët po shkonin në punë. Për shkak të aksidentit ka ende pengesa në qarkullimet e trenave për në Francë dhe Angli, ndërsa linja ku ka ndodhur aksidenti do të qëndrojë e mbyllur edhe për dy ditë të tjera. Një aksident i tillë i rëndë hekurudhor ka ndodhur në Belgjikë së fundi në vitin 2001, kur një tren hyri në shina të gabuara dhe u përplas me një tjetër. Atëherë patën humbur jetën tetë vetë.

Autor : Esat Ahmeti

Redaktoi : Aida Cama