1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bilanci i Entit Federal të Kriminalistikës për 2008-ën fokusohet te krimi i organizuar

21 Gusht 2009

Rreth 700 milionë euro dëme prej bandave të kriminelëve. Enti Federal për Kriminalistikën, BKA, tërheq vëmendjen në raportin për vitin 2008 për strategjitë e reja që përdorin bandat kriminale dhe mafiozët.

https://p.dw.com/p/JFwL
Zyra Federale e Kriminalistikës në Vizbaden publikoi raportin e vitit 2008
Zyra Federale e Kriminalistikës në Vizbaden publikoi raportin e vitit 2008Fotografi: dpa

Bilanci për 2008-ën i BKA për kriminalitetin e organizuar të kujton një skenar filmi të mbushur me klishe

Mafiozë që vrasin picerive, polakë që vjedhin makina dhe i çojnë në Evropën Lindore apo trafikantë drogash nga Turqia - bilanci për vitin 2008 i Entit Federal për Kriminalistikën, BKA, në lidhje me kriminalitetin e organizuar të kujton ndonjë skenar filmi të mbushur me klishe. Por sipas presidentit të BKA-së Jërg Ziercke të dhënat e raportit janë një realitet, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm. Kriminelët janë të organizuar në rrjete ndërkombëtare, punojnë në mënyrë konspirative dhe përdorin teknika gjithnjë e më të sofistikuara.

Interneti dhe mundësitë moderne të komunikimit i kanë vënë hetuesit përpara problemesh të mëdha

Ziercke theksoi se interneti dhe mundësitë moderne të komunikimit, p.sh. telefonia përmes internetit apo mundësitë e transmetimit të të dhënave të shifruara dhe të koduara i kanë vënë hetuesit përpara problemesh të mëdha. Sasitë e të dhënave janë shtuar pa masë dhe për këtë duhet që të dhënat të ruhen për një kohë më të gjatë në mënyrë që hetuesit të kenë mundësi t'i përdorin ato. Veç kësaj duhen krijuar edhe mundësi për përgjimin e telefonatave që kryhen përmes internetit, tha Ziercke.

Sipas raportit të BKA-së, në 90% të delikteve për vitin 2008 kishim të bënim me raste kriminaliteti të organizuar me lidhje ndërkombëtare, të cilat kapnin një gamë prej 120 vendesh. Për shkak të këtyre lidhjeve ndërkombëtare të bandave kriminale BKA shënon edhe një rritje të shpenzimeve për përkthimet, të cilat shkojnë deri në 50.000 euro në muaj.

Por edhe brenda Gjermanisë, skena e grupeve kriminale po bëhet gjithnjë e më ndërkombëtare. Kështu krahas 81 grupeve të kriminale nga Turqia, që përbëjnë edhe numrin më të madh, në vitin 2008 është shtuar së tepërmi edhe numri i grupeve të kriminelëve nga vendet e Evropës Lindore si Polonia me 33, Rusia me 28 dhe Rumania me 20. Po ashtu në raport renditen edhe Nigeria dhe Libani me nga 19 grupe.

90% të delikteve për 2008-ën ishin kriminalitet i organizuar me shtrirje nww 120 vende

Sipas raportit të BKA-së për kriminalitetin 2008 edhe pjesëtarët e mafies italiane e përdorin Gjermaninë gjithnjë e më tepër si vend për t'u fshehur dhe strehuar.

Dëmet e shkaktuara nga kriminaliteti i organizuar në 2008 kapin shifrën 691 milionë euro

Dëmet e shkaktuara nga kriminaliteti i organizuar në vitin 2008 kanë shënuar një rritje prej 50% dhe kapin shifrën 691 milionë euro. Grupet kriminale kanë pasur një fitim prej 663 milionë eurosh, pra një plus prej 40%. Në krye të listës së veprave penale janë ato që lidhen me drogat. Rritje të madhe ka pësuar kriminaliteti ekonomik, në formën e mashtrimeve dhe vjedhjeve me kartat krediti ose të mashtrimeve për mbylljen e depozitave bankare dhe fondet. Kështu në internet është bërë reklamë për aksione pa vlerë, vlera e të cilëve shitej përmes raporteve dhe njoftimeve të falsifikuara si e lartë, për të shitur në këtë mënyrë aksionet përpara se vlera e tyre të binte krejtësisht.

Autor: Pandeli Pani/dpa

Redaktoi: Auron Dodi