1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Birthler: "Heshtja e shoqërisë mbas diktaturës është gjëja më e keqe"

Anila Shuka15 Tetor 2008

Intervistë ekskluzive me Marianne Birthler, e ngarkuara e qeverisë gjermane për dokumentet e Stasi-t. Më 21 tetor ajo do të vizitojë Shqipërinë për t'u informuar për hapat që po bën Shqipëria në zbardhjen e diktaturës.

https://p.dw.com/p/FZgZ
Marianne Birthler, e ngarkuara e qeverisë gjermane për dokumentet e Stasi-t.Fotografi: AP

DW: Zonja Birthler, çfarë mendoni kur dëgjoni se 17 vjet mbas rënies së komunizmit Shqipëria vazhdon ende të diskutojë për hapjen e dosjeve?

Birthler: Edhe tek ne ka njerëz që mendojnë se do të kishte qenë më mirë në se dosjet do të kishin mbetur të mbyllura. Por ata janë të paktë. Në fillim të viteve 90-të ne patëm një debat të fortë. Jo vetëm ata që ishin të lidhur me sistemin e mëparshëm ishin kundër hapjes së dosjeve, por kishte edhe nga ata që kishin frikë se hapja e dosjeve do të sillte hakmarrje.

DW: Pikërisht ky është edhe argumenti që dëgjohet më së shumti në Shqipëri, kur është fjala për hapjen e dosjeve për të gjithë qytetarët. Ju nuk e pranoni këtë tezë?

Birthler: Unë isha në Beograd dhe as aty dosjet nuk janë hapur. Isha dëshmitare e një debati ku u shprehën të njëjtat shqetësime. Mund të them vetëm kaq: Aty ku janë hapur dosjet, në Poloni, Çeki, Hungari, tek ne, këto frikëra nuk janë vërtetuar.

DW: Çfarë do t'u këshillonit atyre vendeve që janë duke përpiluar ligjin e hapjes së dosjeve?

Birthler: Ligji ynë ”Për dokumentet e Stasit” kujdeset që t'i mbrojë njerëzit nga keqpërdorimi i të dhënave. Dosjet mund të shfrytëzohen vetëm me miratimin e të prekurve, ndërsa ato të bashkëpunëtorëve të sigurimit mund t'i shohin edhe persona të caktuar. Dosjet tek ne përdoren për tri qëllime, së pari, për qëllime personale, çdo person ka të drejtë të shohë gjithçka që Stasi ka dokumentuar për të. Së dyti, për rivlerësim, rehabilitim ose zhdëmtim. Së treti, për qëllime shkencore ose për mediet me qëllim që të kuptohet se si ka funksionuar sistemi.

DW: Çfarë rëndësie ka hapja e dosjeve për zhvillimin e demokracisë së një vendi?

Birthler: Është vështirë të thuhet, sepse nuk e dimë se si do të ishte po të mos i kishim hapur dosjet. Por kush shikon dosjen e tij pozicionohet kundër heshtjes ndaj së kaluarës. Heshtja e një shoqërie të tërë mbas përfundimit të një diktature është gjëja më e keqe. 

DW: Si i trajton Gjermania ish-spiunët e komunizmit?

Birthler: Në Republikën Federale mbisundon opinioni se kush ka bashkëpunuar me sistemin ose kush ka denoncuar njerëz të tjerë nuk ka të drejtë të jetë me funksion publik.

DW: Kush e bën kontrollin e figurës publike?

Birthler: Këtë e bën administrata përkatëse, pra bashkia ose parlamenti dhe nuk ka një institucion qendror. Ne kemi për detyrë që të bëjmë investigimin dhe t'u kthejmë përgjigje se a ka shenja që flasin për bashkëpunim me sigurimin apo jo.

DW: A keni të drejtë të bëni ju investigime të paautorizuara?

Birthler: Jo. Por kur gjatë një investigimi zbulojmë që një figurë e njohur publike ka punuar më parë për sigurimin, atëherë e kemi për detyrë ta denoncojmë.

DW: Si i trajtoni rastet e prokurorëve ose gjykatësve të ish-regjimit komunist? 

Birthler: Mbas vitit 1990 pati rishqyrtim të disa figurave dhe kishte një sërë gjykatësish, të cilëve nuk iu lejua më ushtrimi i profesionit.

DW: Ky verifikim u bë me ndihmën e zyrës tuaj?

Birthler: Për këtë u përdorën edhe dosjet. Verifikimin  nuk e bëmë ne, sepse nuk ishte në pyetje vetëm bashkëpunimi me Stasi-n, por edhe dhënia e dënimeve politike.

DW: Si u veprua në ato raste kur dënimi ose denoncimi nuk kishte për bazë ideologjinë komuniste, por patriotizmin, për shembull në raste sabotazhi? 

Birthler: Është e rëndësishme që dënimet politike të bëra në RDGJ të rishikohen me imtësi, sepse edhe në rastet kur ka pasur vepra penale dënimet kanë qenë të padrejta. Mjafton fakti që nuk kishte avokat mbrojtës. Rastet e sabotimit kanë qenë shumë të rralla. Por ato shpesh kanë qenë akuza të pabaza të bëra nga gjykatat për të mënjanuar personat e parehatshëm. Në vitet e para të RDGJ-së ka pasur shumë dënime për sabotazh, por nga dosjet e dimë që ato kanë qenë trillime.

DW: Zonja Birthler, pyetja e fundit. Çfarë prisni nga vizita juaj në Shqipëri?

Birthler: Së pari, jam kureshtare për përshtypjet që do të më lerë ky vend. Së dyti, jam e interesuar në debatin aktual për të kaluarën, e cila është e kaluara jonë e përbashkët. Do të gëzohesha po qe se Shqipëria do të përballej hapur dhe qartë me të kaluarën, sepse kjo është një ndihmesë për trajtimin e së kaluarës komuniste në mbarë Evropën.