1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

"Bisedime konstruktive" - Irani dhe ShBA shkëmbejnë mendime në Bagdat

Ulrich Leithold28 Maj 2007

ShBA dhe Irani për herë të parë pas më shumë se një çerek shekulli sërish kanë zhvilluar bisedime zyrtare diplomatike. Përfaqësuesit e të dyja palëve të hënën (28.05) u takuan në zonën e gjelbër, zona kjo e sigurisë së lartë në Bagdat, dhe biseduan përreth katër orë mbi krizën në Irak.

https://p.dw.com/p/ArIa
Bisedimet ShBA - Iran në Bagdat
Bisedimet ShBA - Iran në BagdatFotografi: AP

Irani dhe ShBA i kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike qysh në kohën e revolucionit islamik në vitin 1979, Ambasadori i ShBA, Ryan Crocker, përfaqësoi Uashingtonin në bisedime, ndërsa për Iranin morri pjesë ambasadori Hasan Kasemi-Komi. Të dy diplomatët u takuan në selinë e kryeministrit irakian Nuri al-Maliki. Iraku u përfaqësua nga këshilltari kombëtar për sigurinë, Movafak al Rubaie. Sipas përfaqësuesit të ShBA Crocker bisedimet janë zhvilluar në një atmossferë konstruktive. Zëdhënësi qeveritar irakian e cilësoi takimin si të përzemërt dhe theksoi, se është biseduar vetëm për Irakun.

Pas katër orë bisedimesh Irani dhe ShBA ishin të një mendjeje, se Iraku duhet të stabilizohet, kështu u shpreh diplomati i ShBA, Ryan Crocker. Por propozime konkrete nuk ka pasur. Të dyja palët kanë shkëmbyer mendime lidhur me pozicionet e tyre, Irani ka përsëritur qëndrimin e vet, se ndërhyrja e amerikanëve në Irak, përpara katër vjetësh, ka qenë e pajustifikueshme dhe se ushtarët amerikanë janë pushtues.

Për ShBA do të varet nga qëndrimi faktik i Iranit, sipas ambasadorit Crocker. Tani kemi të bëjmë me fakte dhe jo me parime nënvizoi Crocker: "Unë i kam paraqitur iranianëve pikëpamjet tona konkrete lidhur me qëndrimin e tyre në Irak, e këto janë: mbështetja për milicët, që luftojnë forcat irakiane të rendit si dhe trupat e koalicionit, fakti që shumë lëndë shpërthyese dhe të tjera rezerva municionesh, që përdoren prej këtyre milicëve vijnë nga Irani dhe se duhet t´u jepet fund aktiviteteve të tyre nën drejtimin e gardave revolucionare dhe në këtë drejtim ne duam të shohim faktet."

Më tej Crocker vuri në dukje, se nuk është bsieduar për mundësinë e tërheqjes së trupave të koalicionit. Ai konfirmoi, se në takim është folur vetëm për problemet e Irakut, dhe aspak lidhur me programin e diskutueshëm bërthamor të Iranit. Qëllimi i këtij kontakti të parë zyrtar midis dy shteteve pas 27 vjetësh nuk ka qenë të planifikohet një takim tjetër. Por një gjë e tillë mund të ndodhë më vonë, nëse këtë e dëshiron Iraku.