1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Qeveria në Shkup me BDI apo PDSH?

Fatos Musliu7 Maj 2014

VMRO-DPMNE dhe BDI kanë filluar bisedimet për formimin e qeverisë se re. Por mandatari Nikolla Gruevski është duke flirtuar edhe me partinë opozitare shqiptare PDSH për ta bërë edhe ate pjesë të koalicionit qeveritar.

https://p.dw.com/p/1BurH
Nikolla GruevskiFotografi: picture alliance/AP Photo

Partitë fituese në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, VMRO-DPMNE në bllokun maqedonas dhe BDI në bllokun politik shqiptar, kanë formuar grupet e punës, të cilat janë të detyruara të zhvillojnë bisedimet rreth parimeve të bashkëqeverisjes. Që nga themelimi i këtyre grupeve në opinion po jepen informacione vetëm për përmbajtjen e takimeve, por nuk jepen detaje për platformat politike dhe ekonomike që shpalosen në këto negociata. Sipas mediave vendase, bisedimet për formimin e qeverisë së re do të jenë të vështira, meqë gjatë fushatës parazgjedhore VMRO-DPMNE dhe BDI kanë pasur përplasje të vazhdueshme duke kërkuar deputetë, e para që të mos kushëzohet nga BDI, e dyta që të ketë më shumë fuqi politike për të realizuar kërkesat e shqiptarëve.

Kryetari i BDI-së Ali Ahmeti parashikon negociata të vështira me partinë maqedonase, por thekson se BDI do të këmbëngulë për përmbushjen e kritereve për antarësimin e vendit në strukturat euroatlantike. “ Gjatë përballjes së platformave për bashkëqeverisje do të ketë bisedime të lodhshhme mes palëve . Duhet të jemi të kujdesshëm e të vëmendshëm që të mos zhvillojmë negociata në eufori, negociata dramatike, por duhet të dominojë arsyeja dhe logjika. Çdo përplajse apo çdo devijim nga negociatat mund të ketë pasoja”, shprehet kreu i BDI-së Ali Ahmeti.

Präsidentschaftswahlen in Mazedonien
Kryetari i BDI-së, Ali AhmetiFotografi: Petr Stojanovski

A do t'i pranojë VMRO kërkesat e BDI-së?

Sipas analistit Nikolla Dujovski, bisedimet do të jenë të vështira meqë VMRO-DPMNE e ka vështirë të harmonizojë qëndrimet dhe platformën qeverisëse me BDI-në. Kjo e fundit insiston për dygjuhësi në tërë territorin e vendit, ndryshimin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit si dhe marrjen e njërit prej tre posteve kryesore në shtet. Në këto rrethana sipas Dujovskit, kriza mund të thellohet në përmasa të paevitueshme, nëse VMRO-DPMNE refuzon kërkesat e BDI-së e cila me një mandat të fuqishëm prej 19 deputetësh , ka për obligim të materializojë pritjet e elektoratit që i ka besuar votën. VMRO-DPMNE po përballet edhe me problemin e bojkotit të insitucioneve nga ana e opozitës maqeondase, nëse mandatari Gruevski vendos për përfshirjen eventuale të të dy partive shqiptare në qeveri, kjo nuk do të ishte mirë për demokracinë, pasi Maqedonia do të ishte ndoshta vendi i vetëm pa opozitë.

“Nuk është aspak mirë që të kemi Parlament pa opozitë dhe atë në kohën kur kemi nevojë për reforma të mëdha, në veçanti ato që kanë të bëjnë me proceset eurointegruese. Në parlament korigjohet pushteti, korigjohen ligjet. Nëse nuk ka opozitë, nuk ka kuptim edhe debati në parlament ”, shprehet Dujovski.

Mandatari Nikolla Gruevski pas zgjedhjeve të 27 prillit, është takuar zyrtarisht me të dy liderët e partive shqiptare, të BDI-së Ali Ahmeti dhe atë të opozitës shqiptare Menduh Thaçi. Taktikat për ti futur në lojë dy partitë shqiptare për të qenë pjesë e koalicionit qeveritar, sipas analistëve, e dobësojnë edhe më shumë pozicionin e shqiptarëve në ekzekutivin e ri. VMRO-DPMNE ka lënë të hapur mundësinë se në qeveri mund të përfshijë edhe partinë shqiptare që nuk ka fituar besimin maksimal të elektoratit shqiptar. Sipas analistit politik Ismet Ramadani kjo lojë e mandatarit Gruevski është për t'ja ulur sado pak kërkesat BDI-së.

“Dy partite shqiptare duhet sa më herët dhe sa më shpejtë ta kuptojnë lojën e Gruevskit, sepse ajo bëhet me një qëllim të vetëm: të ulet pazari i marrëveshjes për konstituimin e koalicionit qeveritar. PDSH-ja opozitare duhet ti nderpresë akrobacitë e të hyrit në qeveri sepse ajo nuk ka mandatin e elektoratit për një gjë të tillë,”shprehet Ramadani.

Georgi Ivanov
Georgi Ivanov - Presidenti i MaqedonisëFotografi: ROBERT ATANASOVSKI/AFP/Getty Images

Thaçi : Ne do të hyjmë në qeveri

Kryetari i PDSH-së Menduh Thaçi përsërit se subjekti që ai drejton do të jetë pjesë e qeverisë së ardhëshme, edhe përkundër faktit se ka humbur në zgjedhjet e 27 prillit. Gjithnjë sipas partisë opozitare shqiptare , BDI nuk është në gjendje të zhvillojë bisedime politike me VMRO-DPMNE-në, por ka vetëm përulje për të qenë pjesë e qeverisë Gruevski.

“ BDI nuk zhvillon fare bisedime me qeverinë. Ata nuk kanë platformë se si do të bashkëqeverisin me Gruevskin, ndërsa ne si parti kemi betejën tonë, që të marim sa më tepër hise për shqiptarët e Maqedonisë”, ka deklaruar lideri i PDSH-së Menduh Thaçi.

Përplasja e partive shqiptare e cila do të hyjë në qeveri, mund ti kushtojë shtrenjtë partisë e cila nesër do të jetë pjesë e ekzekutivit, thotë analisti Albert Musliu. “Në këtë periudhë Gruevski po e shfrytëzon Thaçin për ti amortizuar pozicionet e BDI-së, por mendoj se do ta ketë vështirë, sepse nëse BDI mbetet jashtë qeverisë, atëherë VMRO përpos frontit të hapur me opozitën maqedonase, do të ketë kundërshtar të fortë edhe BDI-në”, thotë Albert Musliu.

Për analistin Kire Vasilev, formimi i qeverisë dhe konstituimi i Parlamentit, do të krijojë një krizë politike në Maqedoni , sepse pa marrë parasysh se kush do të jetë pjesë e qeverisë, opozita maqedonase në shenjë proteste ka refuzuar 34 mandatet për deputetë të fituara në zgjedhjet e 27 prillit.

”Qeveria juridikisht mund të formohet pa asnjë problem, por procesi i plotësimit të vendeve të deputetëve është i ndërlikuar dhe kjo do të shkaktojë probleme, të cilat mund të rezultojnë me zgjedhje te reja të jashtëzakonshme”, thotë Vasilev.

Deri këtë fundjavë grupet punuese të VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së për formimin e qeverisë së re duhet të arrijnë ndonjë marrëvedhje konkrete meqë më 12 maj pritet konstituimi i Parlamentit të ri i cili duhet t'ia dorëzojë mandatin e dytë presidentit të ri të vendit