1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bisedimet për statusin në Austri- asgjë e re

Bahri Cani/ Baden afër Vjenës27 Nëntor 2007

Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit mbeten të palëkundura në qëndrimet e tyre pro dhe kundër pavarësisë së Kosovës. Dita e parë e negociatave përfundimtare në Baden të Austrisë nuk solli asgjë të re

https://p.dw.com/p/CTal
Shqiptarët e Kosovës kërkojnë pavarësi
Shqiptarët e Kosovës kërkojnë pavarësiFotografi: AP

Ndonëse përfaqësuesi i BE në trojkën ndërkombëtare Volgang Ishinger u bëri të qartë palëve se kjo: „është përpjekja dhe mundësia e fundit, që palët sidoqoftë të arrijnë në një marrëveshje. Shpresoj se të dyja palët janë të gatshme për shfrytëzimin e këtij shansi“. Ishinger dukej gjatë ditës në disa raste shumë nervoz. Një një moment ndërhyri madje shumë ashpër ndaj kameramanëve, për t' i ndaluar ata që të xhirojnë.

Delegacionet patën fillimisht një takim të drejtpërdejtë e më pas me trojkën

Ndonëse ishte paralajmëruar se takimet do të mbahen me dyer të mbyllura dhe nuk do të ketë deklarata, të dyja palët shfrytëzuan prezencën e dhjetra gazetarëve dhe kamerave televizive për të ritheksuar pozicionet e tyre. Presidenti Fatmir Sejdiu, tha në fund të takimeve se delegacioni i Prishtinës nuk do të pranojë asgjë më pak se pavarësia. Oferta e kosovarëve ishte: fqinjësi e mirë dhe miqësi me Serbinë. „Delegacioni i Kosovës insiston për pavarësinë që ëshë çështje e ekzistencës për të gjithë qytetarët pa dallim. Ky është kusht për zhvillimin e gjërave tjera.“

Trojka nuk ka ofruar ndonjë model

Presidenti Sejdiu, tha se trojka në ditën e parë nuk ka ofruar ndonjë model për zgjidhjen e statusit të Kosovës. Mirëpo në insistimin e gazetarëve pranoi se në takim është përmendur mundësia e një statusi neutral të Kosovës, që sipas presidentit Sejdiu është i ngjashëm me propozimet e Prishtinës për miqësi mes dy shteteve sovrane.

Kosova me status neutral?

Presidenti Sejdiu nuk ishte aspak optimist për mundësinë e marrëveshjes me palën serbe. Të prerë në qëndrimet e tyre kundër pavarësisë ishin edhe udhëheqësit e delegacionit serb, presidenti Boris Tadiç dhe kryeministri Vojisllav Koshtunica. Tadiç u shpreh kundër mundësisë së shpalljes së njëanshme të pavarësisë, ndërkohë që kryeministri Koshtunica theksoi, se Serbia është shtet i lirë, demokratik dhe i njohur ndërkombëtarisht. Prandaj "Konkludimi i vetëm dhe më i mirë që mund të nxjerrim nga ky fakt është se nuk do të lejojmë që Serbisë t’i merret asnjë milimetër i territorit.“

Serbët ofrojnë autonomi

Koshtunica tha se ata edhe në bisedimet përfundimtare do të ofrojnë autonomi substanciale për Kosovën, në bazë të dokumenteve ndërkombëtare. Pas takimeve minisri serb për Kosovë e Metohi Sllobodan Samarxhiq u shpreh se ekziston një histori e këtij procesi, i cili: "Ka filluar me tregimet se para statusit duhet të zbatohen standardet. Më pas është propozuar që statusi dhe standardet të shkojnë së bashku, ndërsa më vonë është thënë se statusi duhet të zgjidhet para standardeve, që ne kemi pranuar. Tani po flitet për çështjet passtatusore, gjë që pala serbe ka refuzuar“, tha Samarxhiç, duke shtuar se pala serbe ka kundërshtuar edhe propozimet e trojkës për zgjidhjen e pjesshme të disa problemeve, për raportet mes Kosovës dhe Serbisë. Pala serbe kërkoi vazhdimin e procesit edhe pas pas 10 dhjetorit. "Mendoj se është shumë me rëndësi që dialogu të vazhdojë deri në gjetjen e nje zgjidhjeje, e cila do të mundësonte paqen dhe stabilitetin“, theksoi ministri i jashtëm Vuk Jeremiç. Më pas palët ishin edhe në një darkë të përbashkët pune, ndërkohë që takimet intensive do të vazhdojnë edhe ditën e martë.