1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Biznes në lulëzim

Wolfgang Otto13 Shkurt 2007

Rrëmbimet janë në Irak pjesë e përditshmërisë

https://p.dw.com/p/ArJS
Pamje simbolike - rrëmbimet në Irak
Pamje simbolike - rrëmbimet në IrakFotografi: picture alliance / dpa

Në kryeqytetin irakian Bagdad janë zhdukur që prej disa ditësh dy gjermanë. Sipas organeve gjermane ka të ngjarë që ata të jenë marrë peng. Që prej së martës së kaluar është mbledhur në Berlin një shtab krize i ministrisë së punëve të jashtme. Në të gjitha rastet e deritanishme të marrjes peng të shtetasve gjermanë në Irak ministria e jashtme ka pasur sukses duke arritur lirimin e tyre.

Nuk kalojnë ditë pa rrëmbime në Irak. Në të shumtën e rasteve janë irakianë që rrëmbejnë irakianë. Nga 10 deri në 20 raste në ditë supozohet të ketë - shifrat e sakta nuk i njeh askush. Por e sigurt është që pengmarrjet dhe rrëmbimet janë në rend të ditës në Irak.

Ndonjëherë bëhet fjalë për konflikte fqinjësh, për grindje midis pjesëtarëve të fiseve të ndryshme dhe për konflikte midis grupeve të besimit në Irak. Por në të shumtën e rasteve bëhet fjalë edhe për para ose vetëm për para. Në varësi të gjendjes financiare të
viktimave pengmarrja mund të kushtojë 10.000, 20.000, madje deri në 100.000 dollarë. Pra rreziku që i kërcënon rreth 100 gjermanët e njohur zyrtarisht në Irak është i madh, thotë Alexander Christof, ish-punonjës i organizatës së ndihmave Arkitektët për Njerëzit në Nevojë: "Kushdo që punon në Irak i njeh rreziqet. Dhe secili duhet të vendosë fillimisht vetë nëse do ti marrë përsipër këto rreziqe. Ne e dimë që Iraku është një prej vendeve më të rrezikshme në botë."

Kur merren peng të huajt, atëherë shumat e përmendura për lirimin e tyre kapin milionat. Kështu thuhet por konfirmim zyrtar për këtë nuk ka. Ky është një prej ligjeve të hekurta gjatë lirimit të pengjeve. Pagesa e parave përgënjeshtrohet gjithnjë prej organeve zyrtare. Ashtu siç nuk bëhen të ditura në përgjithësi hollësi në lidhje me përfundimin e pengmarrjeve. Arsyeja: kështu synohet të mos inkurajohen përsëritësit e këtyre veprave.

Kështu në fund të dramave të pengjeve si ato të Susanne Osthoff në nëntor 2005 apo të dy inxhinierëve Rene Bräunlich dhe Thomas Nitschke në janar 2006 mbetet vetëm dyshimi se edhe në këto raste janë derdhur para.

Në përpjekjet e tyre për lirimin e pengjeve autoritetet gjermane veprojnë gjithnjë sipas të njëjtit model: çelësi është një shtab krize në ministrinë e jashtme në Berlin. Detyra e tij më e rëndësishme: vendosja e kontakteve me pengmarrësit. Këto dhe negociata të tjera kryhen si rregull përmes një ndërmjetësi.

Një tjetër rrugë për të kontaktuar rrëmbyesit është mesazhi në televizon. Të afërmit e pengjeve e kanë bërë këtë tashmë. Edhe ish kancelari gjerman Gerhard Schröder në rastin e Susanne Osthoff:

"Unë i drejtohem sot rrëmbyesve të Susanne Osthoff."

Këto mesazhe si rregull përhapen shumë shpejt përmes kanaleve televizive arabe - por a kanë ato vërtet efekt? Siguri për këtë nuk ka.

Që prej rrëzimit të rregjimit të Sadam Huseinit në Irak janë rëmbyer mbi 200 vetë nga vendet e industrializuara. Pjesa më e madhe janë lënë sërish të lirë. Por ka patur edhe të vdekur si p.sh. amerikanët Tom Fox dhe Ronald Schulz. Ky i fundit madje u ekzekutua përpara kamerave dhe videoja u transmetua më pas nga kanalet televizive. Spektakolar dhe i pazakontë ishte fundi i pengmarrjes së një britaniku dhe dy kanadezëve në mars të 2006. Një njësi speciale komando nën drejtim britanik ia doli atëherë të lironte të padëmtuar nga duart e rrëmbyesve pengjet.