Bler fitoi por Braun u zgjodh
6 Maj 2005Kryeministri britanik Toni Bler ka fituar një mandat të tretë historik në zgjedhjet për dhomën e ulët në Britaninë e Madhe. Partia e tij laburiste, megjithëse me maxhorancë të reduktuar thellë, triumfoi ndaj konservatorëve dhe liberaldemokratëve në opozitë. Si konservatorët ashtu dhe liberaldemokratët e patën kritikuar Blerin me tone të ashpra për politikën e tij kontroverse ndaj Irakut.
Sot në mëngjes Toni Bler u paraqit me një modesti të pazakontë. Individualisti i dikurshëm zbuloi papritur në qendrën e laburistëve ndjenjën e skuadrës dhe foli përpara bashkëpunëtorëve për një fitore historike të "shokëve" Fytyra e re e artistit të transformimit në politikën britanike është e llogaritur: Bler e di se zgjedhësit e kanë dënuar për shkak të politikës së tij të kontestuar ndaj Irakut. Ata votuan për laburistët megjithëse në krye të tyre është Toni Bler. Por besueshmëria e tij është tronditur rëndë, dhe maxhoranca nga 160 vende ka zbritur në 70.
Bler do të vazhdojë të qëndrojë në krye të qeverisë falë rivalit të tij të vjetër, kancelarit të thesarit Gordon Braun. Kur Braun u angazhua përkrah Blerit plotësisht në fushatën elektorale, rezultatet e sondazheve për laburistët u përmirësuan menjëherë. Pleduajeja e Braunit për një vazhdim të politikës së tij të suksesshme ekonomike dhe financiare bindi shtresën e mesme.
Por gjithçka ka një çmim. Braun tani do të përpiqet të fitojë më shumë ndikim mbi mandatin e tretë historik të partisë laburiste. Ai do të ushtrojë presion mbi Toni Bler për caktimin e një date për tërheqjen e tij nga politika. Konflikti është i paraprogramuar pasi megjithëse Bler ka deklaruar se ky do të jetë mandati i tij i fundit ai ka edhe shumë për të bërë. Para së gjithash ai synon të korrigjojë famën e tij të dëmtuar. Bler dëshiron të hyjë në librat e historisë si politikani që krijoi në Britaninë e Madhe një shoqëri pa klasa, që arriti barazinë e shanseve për të gjithë dhe që u krijoi shtresave në nevojë një rrjet social eficient dhe funksional. Për këtë atij i duhen të paktën katër vjet. Tani duhet pritur të shihet nëse Braun, mbështetja e të cilit për Blerin gjatë fushatës nuk ishte e zhveshur nga interesi personal, do t'i japë atij kohë për të realizuar këto plane. Ka të ngjarë të kemi të bëjmë me një duel të ashpër mes rivalësh të vjetër. Që tani ka filluar të përvijëzohet një aleancë mes Braun që kërkon të vendosë thekset e veta dhe krahut të majtë në partinë laburiste që do të bëjë gjithçka për t'a detyruar Blerin të tërhiqet. Para së gjithash kërcënon të ngecë në vend politika ndaj Evropës. Bler duhet të bëjë llogaritë me kundërshtimet e atlantikut Braun në ratifikimin me referendum të kushtetutës evropiane vitin e ardhshëm. Braun ka bllokuar tashmë futjen e euros. Për të gjitha arsyet e lartpërmendura rruga përpara e Toni Blerit i ngjan më shumë një vrapi me pengesa.
Për konservatorët rezultati i zgjedhjeve është një sukses i pjesshëm. Ata arritën të rrisin numrin e mandateve të tyre dhe të ndalojnë rënien e lirë në të cilën gjendej partia e tyre. Por programi partiak nuk ishte bindës. Nuk u përcoll tek zgjedhësit një vizion për shoqërinë britanike. Në vend të kësaj Houard e vuri theksin në sulmet personale kundër Blerit dhe kërkesave të pakëndshme mbi politikën e migracionit. Me këtë ai mobilizoi në fakt kampin e tij por frikësoi zgjedhësit e lëkundur. Zëvendësimi i 63 vjeçarit Houard pritet muajt e ardhshëm.
Liberaldemokratët arritën në këto zgjedhje rezultatin e tyre më të mirë që prej vitit 1923 me një politikë e cila pozicionohet kryesisht majtas laburistëve. Kryetari i partisë Çarls Kenedi pëfitoi nga refuzimi konseguent i luftës në Irak. Qoftë dhe vetëm për këtë fakt pritet që konflikti të vazhdojë me të njëjtën ashpërsi, pavarësisht nga modestia e Toni Blerit.