1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bllokim i transportit të naftës maqedonase ne Kosovë

Fatos Musliu / Shkup20 Tetor 2008

Mbi 100 autobote me derivate të naftës nga rafineria e Shkupit "OKTA" prej mëse tre ditësh janë bllokuar nga pala kosovare, me arsyetimin se ato janë të ngarkuara me naftë të cilësisë së dobët.

https://p.dw.com/p/FdaZ
Fotografi: picture-alliance/dpa

Zëdhënësi i Shërbimit Doganor të Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë për mediat maqedonase se vendimi për bllokimin e autoboteve ka ardhur nga Ministria e Tregtisë e Kosovës, pasi sipas tij, nga testimet e bëra ka rezultuar se nafta nuk i plotëson kriteret për tu futur në tregun kosovar. Drejtoria e Doganave të Maqedonisë u shpreh e gatshme të pranojnë kthimin e autobotëve të bllokuar nga pala kosovare në vendkalimin kufitar Hani i Elezit në pikën kufitare midis Maqedonisë dhe Kosovës. Drejtori i Doganës, Vanço Kargov deklaroi se së shpejti do të arrihet një zgjidhje për të evituar radhët e gjata të mauneve në vendkalimin kufitar me Kosovën.


Ndërsa Natasha Radullovska, shefe e shërbimit doganor në Shkup, deklaroi se shërbimet doganore të Maqedonisë, të gjithë autobotët që kanë transport të dyshimtë dhe janë me dokumenta të rregullta për kthim në Maqedoni, do ti pranojë në terminalin doganor.


Kompania OKTA me kapital grek, akoma nuk është shprehur lidhur me bllokimin e autobotëve me karburante në vendkalimin Hani i Elezit. Ministri i Ekonomisë i Maqedonisë, Fatmir Besimi ka deklaruar se me këtë vendim të autoriteteve kosovare nuk është shkelur marrëveshja për bashkëpunim dypalësh, sepse sipas tij, OKTA është kompani private, ndërsa Kosova ka ligjet e saj. ”Unë kam vënë kontakte me palën kosovare në Prishtinë , por megjithatë vendimi përfundimtar varet prej tyre”, tha ministri Besimi, i cili është angazhuar në zhbllokimin e situatës.


Kjo nuk është hera e parë që doganat e Kosovës ndalojnë autobote të "OKTA"-s. Në prill të vitit të kaluar për tetë ditë me radhë u bllokua nafta e ”OKTA”-së. Arsyeja ishte sërisht cilësia e dobët e saj. Kompania ”OKTA”për çdo vit në Kosovë eksporton derivate të naftës në vlerë prej 200 milion dollarë.