1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

UNO Gaddafi Ahmadineschad

24 Shtator 2009

Presidenti i Iranit Mahmud Ahmadinexhad dhe lideri i Libisë, Moamar el Gadafi shkaktuan reagime të shumta me fjalimet e tyre në Asamblenë së Përgjithshme të OKB-së.

https://p.dw.com/p/Jnvg
Muamar Gadafi
Gadafi mbajti një fjalim të stërzgjatur gjatë të cilit grisi edhe Kartën e OKB-së.Fotografi: picture-alliance/ dpa

Me deklaratat e tij antisemitiste Ahmadinexhadi sulmoi edhe një herë ashpër Izraelin dhe kontestoi ekzistencën e këtij shteti. Ndërsa Gadafi mbajti një fjalim të stërzgjatur gjatë të cilit grisi edhe Kartën e OKB-së. Shumë prej delegacioneve, ndër të cilët edhe ai gjerman, u larguan nga salla gjatë fjalimit të Presidentit të Iranit. Po bojkoti nuk është gjithmonë rruga më e mirë për zgjidhjen e problemeve.

Edhe kësaj radhe u dëgjuan thirrje të njëjta

Si është e mundur që vrasësit dhe terroristët të flasin para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së? Thirrja i ngjan një kërkese për bojkot. Kjo ditë tregoi se të mos bojkotosh është ndonjë herë rrugë më e mirë. Jo vetëm gjatë prezantimit të verbër të Mahmud Ahmadinexhadit, por edhe gjatë fjalimit të stërgjatur të Gadafit, prej më shumë se një orë e gjysmë, gjatë së cilit ai grisi edhe Kartën e OKB-së. Ai e diskreditoi dhe e bëri qesharak vetveten. Është kjo një prej dëshmive se pse edhe të tillët duhet të flasin para OKB-së. Vetëm në këtë mënyrë delegacioneve u jepet mundësia të ngrihen dhe të largohen dhe t'i lënë diktatorit një sallë të zbrazur. Po të mos ftohej fare për pjesëmarrje, aksionet e tilla nuk do të kishin kuptim. Organizata botërore duhet të jetë aq e fuqishme, sa të përballen edhe me fjalime të tilla.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon kërkon harmoni mes të gjithëve.Fotografi: AP

Ban Ki Moon kërkon harmoni mes të gjithëve

Libia, Koreja e Veriut, Irani, të gjitha këto vende janë anëtare të OKB-së. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon kërkon harmoni mes të gjithëve. Si një kujdestar klase, i cili u lejon edhe fëmijëve problematikë që të bashkëveprojnë, por pa i zbukuruar apo anashkaluar gabimet e tyre. Të tillët duhet të kenë të drejtën e prezantimit, ndryshe do të dekorohen me rolin e viktimës. "Mirësevini në paradën e kopukëve", ishte titulli kryesor i një gazete bulevardeske të Nju Jorkut, e cila në ballinë botoi fotografitë e Gadafit, Ahmadinexhadit dhe Hugo Çavezit, si mysafir nderi të OKB-së.

Por sikur njeriu të thoshte pushtetmbajtësit maskarenj nuk duhet të flasin fare, shtrohet pyetja se kush është ai që e përcakton se çfarë është maskarallëku dhe ku janë kufijtë e tij? Për mjaft islamikë, SHBA-ja personifikon të gjitha të këqijat. Të tjerët nuk do ta thërrisnin një numër të madh të afrikanëve. Po si është puna me Kinën apo Rusinë?

Mahmud Ahmadinexhad.
Me deklaratat e tij antisemitiste Ahmadinexhadi sulmoi edhe një herë ashpër IzraelinFotografi: AP

OKB mund të përballet edhe me fjalimet e diktatorëve

Organizata botërore e cila angazhohet për të drejtat e njeriut dhe sigurinë në botë, nuk ka nevojë për këto debate rreth bojkotit. Ajo mund të përballet edhe me fjalimet e tilla të diktatorëve. Megjithë kritikat e shumta, ajo ka mundësinë e denimeve me rezoluta dhe sanksione. Siç tha edhe Gordon Brown: "Jam këtu për të ngritur lartë Kartën e OKB-së dhe jo për ta shqyer".

Demokracia është shumë më e fuqishme në qoftë se vjen nga brenda dhe jo me kufizime. Kjo është dëshmuar në rastin e Iranit. Në kohën e globalizimit dhe komunikimit të shpejtë, demokracia kërkon shkëmbimin e informacioneve. Shumë më i rëndësishëm është edukimi i njerëzve, dituria dhe shkollimi. Mos kërkoni bojkot, por arsimim!

Autor : Lena Bodewein

Redaktoi : Aida Cama