1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bombë ndaj një autokolene të ambasadës amerikane në Liban

Carsten Kühntopp 15 Janar 2008

Nga një atentat me bombë në Bejrut u vranë të martën (15.1.) katër libanezë. 20 vetë u plagosën. Mendohet që cak i atentatorëve të ketë qenë një autokolonë e ambasadës amerikane.

https://p.dw.com/p/CqB3
Pas sulmit në Bejrut 15 janar 2008Fotografi: AP
Fillimisht u dëgjua një gjëmim, më pas mbi Bejrut u ngjit një re e zezë tymi dhe ulëritën sirenat e ndihmës së shpejtë. Shpërthimi ndodhi në rrugën bregdetare të Al-Davrës, në një lagje të banuar kryesisht nga të krishterët. “Ishte një shpërthim shumë i fuqishëm. Zyrat tona u shkatërruan," rrëfente një dëshmitar okular. "Një nga të vrarët ishte një kalimtar i rastit, më duket. Kur e përjeton vetë diçka të tillë është diçka krejt ndryshe nga të dëgjuarat. Shpresoj që kjo të marrë fund, por nuk besoj", shtoi ai. Atentati kishte në shënjestër me sa duket një makinë të ambasadës amerikane në Bejrut. Ministria amerikane e punëve të jashtme ka njoftuar ndërkohë se shoferi i makinës, një libanez, është plagosur lehtë. Asnjëri nga të plagosurit nuk është me shtetësi amerikane.
Bombenanschlag in Beirut, Libanaon
Fotografi: AP

Seancë e jashtëzakonshme e qeverisë

Kryeministri libanez Fuad Siniora mblodhi qeverinë për një seancë të jashtëzakonshme. Nayla Mouavad, një ministre, tha se kjo është vepër e qeverisë siriane. “Ky është një hap tjetër me anë të të cilit regjimi sirian me ndihmën e Iranit përpiqet të destabilizojë Libanin. Me këtë sulm ndaj një kolone amerikane ata po i shkallëzojnë edhe më tej aktet terroriste dhe krimet vrasëse."

Gjatë viteve të fundit Libani është tronditur nga një sërë atentatesh, të cilat para së gjithash kishin në shënjestër politikanë dhe gazetarë antisirianë. Por deri tani ata nuk kishin shënjuar asnjëherë kundër institucioneve ose diplomatëve amerikanë. Kjo është arësyeja se përse opozita libaneze është mendimit, se atentatorët vijnë nga qarqet e militantëve sunitë rreth El Kaidës. Që nga nëntori Libani ka mbetur pa udhëheqës shteti. Qeveria dhe parlamenti janë paralizuar. Vendi është në krizë që nga dhjetori 2006. Opozita kërkon një të drejtë vetoje në qeveri, ndërsa kampi qeveritar e rrefuzon këtë nga frika se mund të bjerë sërish nën varësinë e Sirisë. Disa vëzhgues janë të mendimit se kriza pasqyron ecejaket e vazhdueshme ndërmejt SHBA-ve, Francës dhe Arabisë Saudite nga njëra anë, dhe Sirisë dhe Iranit nga ana tjetër.