1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Borislav Stefanoviq: Nuk do të ketë as ndarje dhe as njohje të Kosovës

Bahri Cani12 Qershor 2012

Stefanovic: Pavarësisht se kush do ta krijojë qeverinë në Beograd, është e sigurt se ajo duhet të vazhdojë dialogun me Prishtinën dhe duhet të vazhdojë me zbatimin e marrëveshjeve të arritura.

https://p.dw.com/p/15Ctk
Fotografi: picture alliance/dpa

DW: Zoti Stefanoviq, çfarë prisni pas zgjedhjeve paralamentare dhe presidenciale në Serbi - a do të ketë ndryshime në qëndrimin e Beogradit ndaj dialogut me Kosovën?

Borislav Stefanoviq: Ne presim që qeveria të krijohet sa më parë, që në këtë moment nuk duket fare e sigurt dhe nuk dihet se cili koalicion do të krijojë qeverinë. Me rëndësi është që qeveria e re të ketë për bazë vazhdimin e reformave dhe një platformë unike politike. Në këtë moment janë të hapura të gjitha mundësitë dhe për fat të keq nuk dihet se kush do ta krijojë qeverinë.
Por pavarësisht se kush do ta krijojë qeverinë, është e sigurt se ajo duhet të vazhdojë dialogun me Prishtinën dhe duhet të vazhdojë me zbatimin e marrëveshjeve të arritura. Në Beograd ka dhe iniciativa që dialogu të ngrihet në nivel politik. Kjo ide është e mirë dhe e ka mbështetjen tonë. Presidenti Nikoliq ka dalë me idenë që ai apo ndonjë person i caktuar prej tij, të udhëheqë dialogun. Kjo ide duhet mbështetur, sepse kanë mbetur edhe shumë gjëra që nuk janë zgjidhur dhe që nuk janë zbatuar. Në Beograd të gjithë e kanë të qartë, madje edhe ata të cilët nuk duan ta pranojnë hapur, se dialogu me Prishtinën është i domosdoshëm, sepse nga ai varet mirëqenia e qytetarëve tanë dhe rruga evropiane e Serbisë.

DW: Pra Ju prisni vazhdimin e dialogut por kur do të vazhdojë ky dialog?

Borislav Stefanoviq: Mendoj se kjo do të ndodhë kur të krijohet qeveria e Serbisë dhe kur të bëhet e qartë se kush do ta udhëheqë këtë proces: qeveria apo presidenti. Sidoqoftë ka dy tema të rëndësishme që nuk janë hapur: telekomunikacioni dhe i ashtuquajturi procesi politik, i cili është jashtëzakonisht i rëndësishëm për tërë rajonin. Por në Beograd, e besoj edhe në Bruksel, aktualisht askush nuk mund të përgjigjet për pyetjen se kur do të ndodhë kjo, sepse ende nuk kemi qeveri.

DW: Qeveria e Kosovës pohon se dialogu nuk do të vazhdojë para zbatimit të marrëveshjeve të nënshkruara më parë, në veçanti atyre për kontrollin e integruar të kufijve dhe përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale. Kur do të vihen në jetë këto marrëveshje, apo ndoshta mendoni se ato janë impelentuar?

Borislav Stefanoviq: Natyrisht që ato ende nuk janë implementuar dhe këtë e dini edhe Ju. Përfaqësimi rajonal i Kosovës nuk është realizuar për shkak të interpretimeve të ndryshme të marrëveshjes së arritur në Bruksel - pra të fusnotës. Marrëveshja ka qenë që fusnota të shënohet pranë emrit, ndërsa Prishtina tani thotë se nuk ka qenë ashtu dhe për fat të keq këtë qëndrim po e mbështetë edhe Robert Cooper. Ndërkohë që problemi i vendkalimeve administrative në Jarinjë dhe Bërnjak është vetëm çështje e zbatimit teknik të marrëveshjeve. Unë pres që qeveria e re ta zbatojë këtë marrëveshje në kohën më të shkurtër të mundshme. Por hapat që po ndërmerr Prishtina ndërkohë, siç janë marrja e targave dhe maltrajtimet tjera të serbëve, me siguri që nuk i kontribuojnë gatishmërisë së Beogradit për t'u futur me vullnet në këtë proces, sepse marrëveshjet po keqpërdoren shpesh.

DW: Zoti Stefanoviq, Ju keni deklaruar këto ditë se në Bruksel janë arritur marrëveshje për lirinë e lëvzijes, të cilat nuk vlejnë për veriun e Kosovës. Tani pohoni se qeveria e Prishtinës po bën disa hapa të njëanshëm. Pak më parë deklaruat se duhet hapur edhe pjesa politike e dialogut, që në Prishtinë lë përshtypjen se Serbia do të kërkojë ndarjen e Kosovës mbi baza etnike. Më konkretisht pra, a do të kërkojë Beogradi ndarjen e Kosovës si zgjidhje përfundimtare?

Borislav Stefanoviq: Në fillim dua të jap një shpjegim: të gjitha masat që po ndërmerr Ministria e Brendshme e Kosovës dhe Bajram Rexhepi janë të njëanshme dhe të bazuara mbi ligjet dhe rregullat tuaja në Kosovë. Për këtë nuk ka ndonjë marrëveshje. Në Bruksel kemi rënë dakord që në Kosovë të përdoren targat RS dhe RSK, por kjo nuk mund të realizohet në veri, për shkak se serbët atje dhe shteti i Serbisë nuk do ta pranojnë këtë vendim. Njerëzit atje detyrohen të marrin targat e Kosovës dhe kjo edhe më shumë cënon sigurinë edhe ashtu të brishtë në këtë pjesë të Kosovës e Metohisë. Por në qoftë se marrim mandatin për krijimin e qeverisë, ne do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje të pranueshme për të gjithë. Sa i përket dialogut politik: kjo kurrsesi nuk do të thotë ndarje e Kosvës. Dialogu politik, në qoftë se e pranon Prishtina, do të ketë për qëllim rregullimin e statusit të veriut të Kosovës, garancitë e veçanta për serbët në jug të lumit Ibër, çështjen e manastireve dhe kishave dhe pronat e serbëve. Këto janë temat që duhet të hapen në pjesën politike të dialogut, por po e përsëris edhe një herë: pa ndarjen e Kosovës. Pra po e nënvizoj edhe një herë: pa ndarjen e Kosovës por edhe pa njohjen e Kosovës nga ana e Beogradit.

DW: Presidenti i ri i Serbisë, Tomisllav Nikoliq ka deklaruar këto ditë se dialogun me Prishtinën do ta ngrejë në një nivel më të lartë politik, siç e përmendët edhe Ju më sipër. Çfarë do të thotë kjo konkretisht dhe çfarë prisni nga presidenti i ri?

Borislav Stefanoviq: Pres në radhë të parë që të kuptojë realitetin në Kosovë e Metohi, të kuptojë se sa komplekse është gjendja atje dhe t'i shohë gjërat që deri më sot nuk ka dashur t'i shoh. Deri tani ai është marrë me një retorikë populiste të mitingjeve, në vend se të shikojë gjendjen reale në Kosovë, ku 90 % e banorëve janë shqiptarë, të cilët nuk duan të jetojnë në Serbi. Në anën tjetër kemi serbët e cënuar dhe problemet që duhen zgjidhur. Këto probleme nuk mund të zgjidhen me pohimet e tij se Kosova nuk është shtet i pavarur dhe se ai nuk do ta njohë pavarësinë e saj. Rreth kësaj çështjeje në Beograd të gjithë janë të një mendimi. Por unë pres nga presidenti Nikoliq që të gjithë së bashku ta ngrejmë dialogun në një nivel politik dhe të vendosim sa më parë se kush do t'i udhëheqë këto bisedime: presidenti apo qeveria e Serbisë.

DW: Mendoni se presidenti Nikoliq do të udhëheqë vet këtë dialog? Cili do të ishte mesazhi i këtij vendimi?

Borislav Stefanoviq: Ka pasur edhe ide të tilla. Personalisht mendoj se ky do të ishte një gabim shumë i madh, sepse bashkëbiseduese e Nikoliqit do të ishte zonja Jahjaga, presidentja e Kosovës. Kjo do të thoshte njohje de facto e pavarësisë së Kosovës, ndonëse jo edhe de jure. Mendoj se ai nuk e ka menduar mirë këtë ide, para se ta paraqesë në opinion. Por ai mund të marrë përgjegjësinë për dialog me Kosovën dhe të caktojë negociatorët. Besoj se ai do të caktojë përfaqësues politikë të serbëve nga veriu i Ksovës, me shpjegimin se ata duhet të marrin përgjegjësinë për gjendjen atje. Por liderët politikë të serbëve të veriut të Kosovës janë persona të cilët nuk duan ndonjë kompromis apo marrëveshje. Ndaj kur dëgjoj propozime të tilla kam përshtypjen se këto negociata nuk do të sillnin asnjë rezultat.

DW: Negociatat e tilla me siguri që nuk do të sillnin ndonjë kompromis...

Borislav Stefanoviq: Ashtu është, ndaj mendoj se ky është një iluzion. Iluzore janë edhe përpjekjet e kryeministrit të Kosovës Thaçi që të gjejë bashkëbisedues në veri për zgjidhjen e problemeve atje. Besoj se kjo është e pamundur. Zgjidhja e vetme është që Beogradi dhe Prishtina me ndihmën e Brukselit të gjejnë ndonjë zgjidhje të përbashkët.

DW: Zoti Stefanoviq, si i vlerësoni qëndrimet e deritanishme publike të presidentit Nikoliq ndaj Kosovës, pohimet se Vukovari është qytet serb dhe se në Srebrenicë nuk ka pasur gjenocid? Këto deklarata kanë shkaktuar mllef në tërë rajonin dhe kanë rezultuar me bojkotimin e ceremonisë së marrjes së postit nga presidenti i ri.

Borislav Stefanoviq: Ky është një sinjal shumë negativ, jo vetëm për Nikoliqin por edhe për Serbinë, sepse ai nuk është më një individ personal por president dhe bartës i sovraniteti në Serbi. Presidenti Nikoliq ka dhënë deklarata të pamatura, të pazhdërvjellta, të papërgatitura dhe deri diku të dëmshme. Me këto deklarata ai ka dëshmuar se nuk e ka kuptuar që nuk është më lider partiak, por president i shtetit, i cili mund t'i dëmtojë raportet me vendet tjera. Shpresoj se ai shumë shpejt do ta kuptojë pozicionin e tij, se do të ketë kujdes dhe se do të vazhdojë procesi i përmirësimit të marrëdhënieve me vendet fqinje.

DW: Një pyetje personale: Jeni i gatshëm për ta kryesuar edhe më tej delegacionin e Serbisë në negociata me Prishtinën?

Borislav Stefanoviq: Po, por mendoj se procesi i negociatave dhe delegacioni duhet të kenë mbështetjen e duhur politike. Pa këtë mbështetje nuk mund të ketë marrëveshje dhe ajo që është edhe më e rëndësishme, marrëveshjet nuk mund të implementohen.