1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Borusia e Dortmundit dominon Bundesligën gjermane në futboll

8 Nëntor 2010

Borusia e Dortmundit aktualisht është ekipi më i mirë në Bundesligën gjermane të futbollit dhe kryeson tabelën me 28 pikë.

https://p.dw.com/p/Q1cy
Shinji Kagawa shënoi golin e parëFotografi: dapd

Lojtarët e trajnerit Jürgen Klopp mundën të dielën si mysafir ekipin e Hanoverit me rezultat të bindshëm 4:0. Pas humbjes së Maincit një ditë më parë në Fraiburg, ekipi nga Dortmundi shtoi epërsinë tani me katër pikë diferencë nga i dyti.

Një fitore spektakolare të dielën shënoi edhe ekipi i Shtutgartit i cili në fushën e vet deklasoi Verderin me rezultat 6:0. Ekipi nga Bremeni konfirmoi edhe një herë se gjendet në një krizë të thellë, ndërkohë që Shtutgarti është larguar nga zona e ekipeve që kërcënohen nga rënia në ligën e dytë. Serinë e sukseseve vazhdoi në fushën e vet edhe Bajeri i Leverkuzenit me fitoren kundër Kajzerslauternit me rezultat 3:1, ndonëse Bajerit i mungojnë edhe më tej disa nga lojtarët më cilësorë si Ballck, Kißling, Hypie...

Ditën e shtunë, ekipi i Bajernit të Mynihut barazoi me Borusian e Mënhengladbahut 3:3. Për dallim prej Ligës së Kampionëve, ku bavarezët nga katër ndeshje kanë shënuar katër fitore, në Bundesligën gjermane atyre nuk po u shkon puna si duhet. Aktualisht bavarezët kanë 12 pikë më pak se kryesuesi i tabelës, Borusia e Dortmundit, e cila ka ekipin me moshën më të re mesatare në ligën e parë gjermane.

Vettel fitoi në Brazil

Sebastian Vettel Großer Preis von Brasilien Formel 1
Sebastian Vettel - numri 1 në BrazilFotografi: AP

Në garën e madhe të Brazilit, gjermani Sebastian Vettel shënoi fitore para kolegut të tij nga ekipi Red Bull Mark Weber dhe spanjollit Fernando Alonso. Shansat më të mëdha për të triumfuar në kampionatin e sivjetëm ende i ka Alonso me veturën e tij Ferrari, por as Vettel dhe Weber nuk janë pa gjasa. Në garën e fundit në Dubai të tre ata kanë mundësinë të bëhen kampion, ndonëse Alonsos i mjafton një vend në mesin e katër të parëve, për të fituar këtë titull.

Autor: Bahri Cani

Redaktoi: Mimoza Cika-Kelmendi