1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Borxhet marrin fund

8 Mars 2012

Në Greqi po vazhdojnë me vrull përgatitjet për faljen e borxheve. Synohet pjesëmarrja e sa më shumë kreditorëve privatë. Të premten do të paraqitet një rezultat i parë. Po si kryhet një falje borxhesh?

https://p.dw.com/p/14Gvi
Fotografi: picture-alliance/dpa

Ministrat e financës së Eurozonës duan të kryejnë që të premten,në një konferencë telefonike një bilanc të parë të planit për faljen e borxheve Greqisë. Të enjten (08.03.2012) më orën 21 në Athinë do të mbyllet i ashtuquajturi "libër i atyre që dëshirojnë", në të cilin mund të regjistrohen bankat, shoqëritë e sigurimeve dhe shoqëritë e fondeve, për të marrë pjesë në "qethjen" e borxheve. Ministria greke e Financave u ka shkruar ditët e fundit të gjithë investuesve, që kanë në zotërim hua shtetërore greke dhe u ka ofruar atyre këmbimin e huave të vjetra me hua të reja shtetërore. Nëse një hua e vjetër shtetërore deri tani ka pasur vlerën 100 euro, ajo tani këmbehet në disa kredi të reja me një vlerë të përgjithshme prej 46,50 euro. Njëkohësisht, kohëzgjatja e huave zgjatet deri në 30 vjet, kurse interesi ulet. Teorikisht, investuesi mund të ketë një ulje të vlerës së kredisë deri në 70%. Për ta bërë këmbimin tërheqës, për 15 përqind të huave të reja shtetërore garanton jo më shteti grek, por fondi i shpëtimit EFSF. Prandaj nevojitet miratimi i ministrave të financave të eurozonës.

Kufiri magjik është 60 përqind

Natën e së enjtes, duke gdhirë e premtja, ministri grek i Financave, Evangelos Venizelos do të ndërmarrë një kontroll të financave dhe do të llogarisë nëse mund të arrihen pjesëmarrja e nevojshme e kreditorëve në faljen e borxheve. Po të marrin pjesë rreth 60% e kreditorëve privatë, atëherë pjesa tjetër e kreditorëve, sipas recetës greke mund të detyrohet të marrë gjithashtu pjesë në faljen e borxheve. Këta kreditorët "që nuk dëshirojnë", Evangelos Venizelos i kërcënoi me kushte më të këqia, pra me humbje më të mëdha. Ministri grek i Financave tha se puna nuk duhet të vijë deri aty, ai synon një pjesëmarrje prej 90%, në mënyrë që falja e borxheve të konsiderohet "vullnetare".

Më pak se 60 përqind sjellin falimentin e Greqisë

Nëse në faljen e borxheve marrin pjesë më pak se 60 përqind e të gjithë kreditorëve, atëherë falja më e madhe e borxheve në histori do të dështonte. Sipas vlerësimit të Shoqatës Ndërkombëtare të Bankave (IIF), falimentimi i mundshëm i parregullt i shtetit grek do të shkakton shpenzime prej një bilion euro (1000 miliardë). Kjo del nga një dokument sekret, të cilin e citon gazeta greke "Athen News". Ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble (CDU) u tregua optimist kur foli në televizionin bavarez: "Prognoza ime është që ofertën do ta pranojë një shumicë e mjaftueshme kreditorësh."

Autor: Bernd Riegert/ Auron Dodi

Redaktoi: E. Xhani