1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brukseli nuk është i kënaqur me Bullgarinë

Emilian Lilov17 Maj 2006

Kritika kryesore në adresë të Sofjes ka të bëjë me kriminalitetin e organizuar dhe korrupsionin.

https://p.dw.com/p/ArB3
Parlamenti, Sofje
Parlamenti, SofjeFotografi: DW

Afati deri në tetor i përcaktuar nga Komisioni i BE-së për rikuperimin e mangësive në zbatimin e reformave presupozon përpjekje shtesë kryesisht për sistemin bullgar të drejtësisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Korrupsioni ka pushtuar sektorë të tërë shtetërorë, thotë ish-presidenti Zhelju Zhelev, i cili ka qenë i pari president i zgjedhur në mënyrë demokratike në Bullgari: "Korrupsioni është sot i pranishëm në të gjithë aparatin shtetëror, pa përjashtim, duke përfshirë të gjitha nivelet e pushtetit. Kjo është e tmerrshme. Të gjitha përpjekjet për një luftë sistematike kundër kësaj dukurie, janë të vështira, sepse instrumentat për të kryer këtë operacion janë të ndryshkura dhe të vjetëruara, gjë që mund t´i shkaktojë vdekjen "pacientit"."


Bullgaria duhet të përpiqet shumë në luftën kundër korrupsionit, thotë Aleksandro Butice nga zyra evropiane për luftën kundër mashtrimeve. Sipas tij, ky është një proces i gjatë dhe Bullgarisë do t´i duhen vite, derisa ta shmangë këtë dukuri.

Ekspertët bullgarë në sektorin e luftës kundër korrupsionit nuk e konsiderojnë të drejtë kritikën nga Brukseli. Kjo pasi BE-ja përdor parametra të ndryshëm për vendet anëtare dhe ato kandidate për antarësim. Ruslan Shtefanov nga qendra e Sofjes për studimet e demokracisë mendon, se niveli i korrupsionit në disa vende antare të BE-së është më i lartë se në Bullgari: "Nëse kriteri duhet të jetë, që në Bullgari të ketë më pak korrupsion se në vendin më të korruptuar të BE-së, atëherë Bullgaria e përmbush këtë kriter. Anketime dhe studime prestigjoze të njohura ndërkombëtarisht tregojnë, qartë, se në Greqi dhe Poloni korrupsioni është shumë më i përhapur se në Bullgari."

Shtefanov e quan të gabuar kritikën e Komisionit të BE-së ndaj qeverisë bullgare lidhur me temën e korrupsionit, sepse kjo nuk konsiston në shifra apo të dhëna konkrete.

Nënkryetari i grupit parlamentar të unionit kristjandemokrat/kristjansocial në Bundestag në Gjermani, Andreas Shokenhof, në të kundërt mendon, se kritika e evropianëve është konstruktive. Në këtë mënyrë mund të ndihmohet Bullgaria si vend kandidues për të shmangur deficitet, thekson Shokenhof: "Unë besoj, se qeveria bullgare dhe partitë e përfaqësuara në parlament e shohin me realizëm, se ku i ka problemet vendi. Për fat të keq Bullgaria vitet e fundit ka humbur kohë duke mos i shmangur këto deficite. Ndaj besoj, se debati tani më shumë ka të bëjë me atë, se cilat klauzola mund të përmbushen. Këto klauzola nuk janë masa mbrojtëse kundër Bullgarisë, përkundrazi, ato synojnë ta ndihmojnë këtë vend që të përballojë sa më shpejt vështirësitë ekzistuese."