1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Tschechien EU Reformvertrag Reax

3 Nëntor 2009

Gjykata Kushtetuese çeke hapi rrugën për Paktin Reformues të BE-së. Gjykata hodhi poshtë një kërkesë të kundërshtarëve çekë të BE-së. Marrëveshja reformuese u nënshkrua edhe nga presidenti çek Vaclav Klaus.

https://p.dw.com/p/KMdV
Asnjë pengesë më për Marrëveshjen e Lisbonës
Asnjë pengesë më për Marrëveshjen e LisbonësFotografi: AP

Barroso -"shumë i kënaqur" me vendimin e gjykatësve çekë

Vendimi pozitiv i Gjykatës Kushtetuese çeke nuk ishte i papritur për Bashkimin Evropian, megjithatë ai shkaktoi një lloj lehtësimi në Bruksel. Para nisjes për në takimin e nivelit të lartë BE - SHBA në Uashington, Presidenti i Komisionit, Jose Manuel Barroso tha se është "shumë i kënaqur" me vendimin e gjykatësve.

Reforma institucionale ka pasur shumë pengesa që me futjen në përdorim të Konventës Kushtetuese Evropiane para tetë vjetësh. Tani, Marrëveshja reformuese, e cila ndër të tjera do të lehtësojë marrjen e vendimeve dhe do të forcojë rolin e Parlamentit Evropian është vënë në vijë. Jo Leinen, deputet socialdemokrat në Parlamentin Evropian është i kënaqur me vendimin e marrë nga Çekia:

"Kjo ka qenë një lindje e vështirë. c, kaq shumë bllokada..."

...por tani, pas suksesit të referendumit të dytë në Irlandë dhe megjithë taktikën shtyrëse të presidentit të Çekisë skeptik ndaj EU-së, Vaclav Klaus gjithçka mund të zhvillohet shumë shpejtë thotë Leinen.

Çekia nuk e frenon më Marrëveshjen e Lisbonës. Ne foto: Ura Karl ne Prage
Çekia nuk e frenon më Marrëveshjen e Lisbonës.Fotografi: picture-alliance/dpa

Komisioni i ri i BE do të krijohet pas ratifikimit të Marrëveshjes së Lisbonës

Koha nuk pret, sepse Komisioni i ri i BE-së nuk është krijuar ende për shkak të shtyrjeve në ratifikimin e Marrëveshjes së Lisbonës. Ekipi i vjetër i kryen detyrat vetëm si i ngarkuar. Tani është e qartë se 27 komisarët e ardhshëm do të mblidhen nën rregullat e Marrëveshjes së Lisbonës, çdo vend anëtar i BE-së do të dërgojë një Komisar ose Komisare. Deputeti liberal i Parlamentit Evropian, Jorgo Chatzimarkakis është i kënaqur që tani çdo gjë është e qartë.

"Tani mund të zhvillohen të gjitha proceset që janë bërë edhe më parë. Për shembull "Hearings", konsultimi i Komisarëve të rinj. Kjo është shumë e rëndësishme në mënyrë që Komisioni i ri të fillojë punën. Sepse tani ekziston një lloj boshllëku. Komisioni i vjetër nuk mund të marrë më nisma, kurse i riu nuk është krijuar ende."

Përveç kësaj mungojnë edhe kandidatët për dy postet më të larta që pritet të krijohen me vënien në jetë të Marrëveshjes së Lisbonës. Një president i përhershëm i Këshillit të BE-së dhe një i ngarkuar i lartë me politikën e jashtme, një lloj "ministër i Jashtëm i BE-së".

Evropa t'i hedhë pas krahëve debatet institucionale dhe konstitucionale

Emra të ndryshëm diskutohen në Bruksel me zë të ulët. E qartë është se favoriti i kryeministrit britanik Gordon Brown, Tony Blair-i, nuk do të marrë aprovimin e kryetarëve të shteteve të tjera të BE-së. Megjithatë Brown-i foli i kënaqur për vendimin e Gjykatës Kushtetuese Çeke dhe kërkoi për BE-në më shumë politikë të orientuar në tematika:

"Shpresoj që Evropa t'i hedhë pas krahëve debatet institucionale dhe konstitucionale mënyrë që të bëjmë hapa përpara dhe të merremi me temat kryesore të BE-së, të krijojmë vende pune dhe të arrijmë zhvillim, të luftojmë ndryshimin e klimës dhe të krijojmë më shumë siguri për popujt e Evropës."


Autor: Susanne Henn / Bruksel

Redaktoi: Auron Dodi