1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Brusis: Pavarësia e kushtëzuar është zgjidhja e vetme për Kosovën

Bahri Cani16 Janar 2007

Intervistë me Martin Brusis, ekspert i Qendrës për politikë të aplikuar në Mynih.

https://p.dw.com/p/ArZh
Martin Brusis
Martin BrusisFotografi: Martin Brusis

A mund të priten ndryshime të rëndësishme prej zgjedhjeve në Serbi?

Brusis: Sipas sondazheve më të reja, duket se Partia Radikale serbe do të jetë partia më e fuqishme. Mirëpo nuk do të fitojë shumicën e duhur për krijimin e qeverisë. Prandaj do të detyrohet të futet në koalicione me partitë e tjera, që do të thotë se edhe blloku demokratik do të ketë mundësinë e krijimit të koalicionit qeveritar. Ndoshta do të jetë e mundur që Partia Demokratike, së bashku me liberalët e Çedomir Jovanoviqit dhe disa parti të tjera, të krijojnë qeverinë e re.

Çfarë mund të pres bashkësia ndërkombëtare prej këtyre zgjedhjeve? Mund të pritet ndonjë ndryshim rrënjësor ndaj çështjeve më të rëndësishme dhe a do të jetë Serbia në gjendje t'i plotësojë kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare?

Brusis: Besoj se po. Kur i shikon deklaratat e politikanëve të atjeshëm liberal dhe demokratik, bëhet e qartë se përkundër retorikës zyrtare, se nuk do ta japin Kosovën kurrë, ekziston një gatishmëri për të pranuar pavarësinë e Kosovës, të cilën do ta propozojë i deleguari i OKB, Marti Ahtisari.

Ndër obligimet më të mëdha të Serbisë në planin e brendshëm është përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe vendosja e shtetit juridik. Ndërsa obligimet kryesore ndaj bashkësisë ndërkombëtare janë arrestimi dhe dorëzimi në Hagë i Ratko Mlladiqit dhe çështja e Kosovës. Qëndrimet e palëve ndaj Kosovës aktualisht janë shumë larg mes vete. Si mund të zgjidhet ky problem?

Brusis: Në këtë moment, sikur edhe gjatë 15 apo 20 vjetëve të fundit, nuk mund të paramendohet asnjë zgjidhje tjetër, e cila nuk nënkupton pavarësinë. Tani duhet shikuar se si të konceptohet pavarësia e kushtëzuar e Kosovës. Besoj se kjo është zgjidhja e vetme, sepse çdo zgjidhje tjetër do të rezultonte me shkallëzimin e ri të dhunës.

A është i mundur radikalizimi i gjendjes në Kosovë apo në Serbi, në qoftë se palët nuk janë të kënaqura me zgjidhjen e ofruar?

Brusis: Besoj se do të ketë reagime radikale. Mirëpo nuk e besoj se ndonjë politikan, qoftë edhe radikal, mendon seriozisht që të sulmojë trupat e Kfrorit në Kosovë dhe të fillojë ndonjë luftë. Megjithatë demonstratat dhe aksione kundër shqiptarëve në jug të Serbisë, nuk mund të përjashtohen. Duhet llogaritur edhe me mundësinë e ndonjë ndonjë referendumi në Republikën Srpska për pavarësinë e saj prej Bosnje - Hercegovinës.

Zoti Brusis, Beogradi dhe Prishtina presin që Gjermania si udhëheqëse e radhës e presidencës së BE të luajë një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Sa Gjermania mund të ndikojë në afrimin e pozicioneve të ndryshme mes shteteve anëtare në Grupin e Kontaktit, në radhë të parë mes Uashingtonit dhe Moskës?

Brusis: Me rëndësi është që Bashkimi Evropian të marrë përgjegjësinë për ardhmërinë e Kosovës dhe të dëshmojë gatishmëri për angazhim financiar, përmbetjen e prezencës ushtarake. Gjermania e cila do të ketë përfaqësuesin e lartë atje, duhet të angazhohet edhe në përgatitjen e rrugës për afrimin e Kosovës dhe Serbisë me BE. Ajo duhet t'ua bëjë të qartë vendeve të tjera në kuadër të BE se afrimi i Ballkanit me Evropësn është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Gjermania duhet ta theksojë rëndësinë e perspektivës së anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në këtë organizëm.

Por ju natyrisht e dini që brenda BE ka shumë vështirësi dhe mospajtime. Prandaj, shtrohet pyetja a kanë me të vërtetë këto vende një perspektivë reale, apo do të mbeten një pikë e zezë e Evropës?

Brusis: Zyrtarisht shikuar perspektiva ekziston, por shtrohet pyetja sa reale është ajo perspektivë, sepse është kontestuese sa BE është në gjendje të reformohet. Sidoqoftë, e sigurt është se rruga drejt BE do të jetë e gjatë. Tani po flitet për mundësinë e anëtarësimit në vitin 2014, që për mua është një parashikim optimist. Eshtë shumë me rëndësi sikur BE të mund të caktonte një kohë të saktë të anëtarësimit dhe që t'i përmbahej këtij afati.