1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bukë, kripë e këpucë

Anila Shuka3 Mars 2009

Shqipëria mori pjesë për herë të parë në panairin e turizmit alternativ F.re.e në Mynih (26.02.-02.03)

https://p.dw.com/p/H46t
Lumi i Bunës pranë liqenit të ShkodrësFotografi: DW

Kush planifikon të shtegtojë nëpër Alpet e Shqipërisë duhet të marrë me vete edhe një palë këpucë rezervë. Nuk ka ende një treg që të përmbushë interesat e posaçme të turizmit malor. Në Shkodër jo e jo, por as në Tiranë, thotë Christof Zindel. Zvicerani 62-vjeçar vetë i ka prishur disa palë këpucë në Malësinë e Dukagjinit. Që nga viti 2002 ai shkon të paktën një herë në vit për të zbuluar shtigje të reja në atë zonë dhe përreth

Rezultati i këtyre shtegtimeve është dokumentuar në gjuhën gjermane në një libër, të cilin Zindel e ka shkruar së bashku me Barbara Hausammann. I shoqëruar me një hartë enkas për alpinistët udhërrëfyesi ka si qëllim të joshë turistët gjermanishtfolës drejt maleve shqiptare, të cilët i çmojnë edhe alpinistë të regjur që janë mësuar me malet zvicerane me mbi 4500 metra lartësi. Njëri prej tyre është vetë Zindel: Malet aty nuk janë shumë të larta, më së shumti 2800 ose 2900 metra mbi nivelin e detit, por e veçanta e tyre qëndron në virgjërinë e natyrës. Parku Natyror i Thethit është diçka e jashtëzakonshme dhe panorama e zhveshur e alpeve është shumë e veçantë, ka vende për t'u çlodhur, për t'u ngjitur, pra ka shumë larmi për alpinistët, thotë ai.

Buchcover Wanderführer Nordalbanien Thethi und Kelmend
Kopertina e librit: Udhërrëfyes për në Shqipërinë e Veriut, Thethi dhe KëlmendiFotografi: Huber Verlag

Që Thethi është diçka shumë e veçantë, këtë e dinte Ismail Beka qysh në vitin 2005, kur shkoi për herë të parë të bisedonte me banorët e fshatit për t'i nxitur ata të merreshin me turizëm. Bashkëdrejtuesi i Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Teknik (GTZ) kujton: "Banorët kishin në kokë aq shumë probleme për të prezantuar dhe nuk e kishin gjënë më të parë turizmin. Ata ankoheshin, që nuk kishin shkolla për fëmijë, nuk kishin ambulancë për gruan dhe prindin, s'kishte rrugë për të ecur, sepse gjashtë muaj të vitit ishin totalisht të bllokuara, s'kishin ushqim për të ngrënë."

Takimi me kryefamiljarët, që ishte bërë me nismën e mësuesit të fshatit, ishte shumë i ngurtë dhe pak a shumë përfundoi pa ndonjë rezultat, kujton Beka. Vetëm në fund mbetën nja dy burra që me drojë iu lutën Bekës të vinte në shtëpi për të parë, se mos ndoshta mund të bëhej diçka. Me ndihmën e një arkitekti të sponsorizuar nga GTZ-ja filluan të rregulloheshin shtëpitë e para dhe gradualisht në Theth u ringjall turizmi: Në vitin 2008 numëroheshin më shumë se 5000 turistë, 90 për qind e të cilëve janë të huaj. Ky raport është krejt i kundërt me atë të turizmit të zakonshëm në Shqipëri, ku 90 për qind janë shqiptarë.

Thethi ishte tema kryesore e GTZ-së në pavionin e udhëtimeve të panairit të turizmit alternativ, që u mbyll të hënën (26.02, 02.03) në Mynih të Gjermanisë. Një tjetër organizatë gjermane, Euronatur, tërhoqi vëmendjen për bukuritë rreth liqenit të Shkodrës. Gabriel Schwaderer, drejtuesi i kësaj organizate, e njeh mirë gjithë zonën kufitare shqiptare. Vitin e kaluar organizata e tij arriti të shpallte zonë të mbrojtur Parkun natyror Shebenik-Jabllanicë. Reklama, që i bëri Schwaderer së bashku me kolegun e tij Martin Schneider Jacobi liqenit të Shkodrës, drejtohet kryesisht ndaj turistëve të dhënë pas natyrës: Janë rezervat e pelikanëve dalmatinë dhe kush e di se ç'do të thotë të shohësh një pelikan të tillë në fluturim e sipër, me siguri që do të mahnitet nga bukuria e këtij zogu të mrekullueshëm. Por ka edhe shumë zogj të tjerë dhe një natyrë shumë spektakolare.

Buna Fluss Shkodra Albanien
Pamje nga lumi i BunësFotografi: DW

Shqipëria merrte pjesë për herë të parë në panairin alternativ F.re.e, që zhvillohet çdo vit në vende të ndryshme të Gjermanisë, megjithëse ky lloj turizmi do t'u premtonte një zhvillim të qëndrueshëm shumë fshatrave në Shqipëri. Publiku i interesuar këtë panair nuk pret as pallate prej betoni në pesë metra larg detit e as rrugë të asfaltuara. Ai kërkon një vend të thjeshtë për të fjetur, mundësi kurimi në rast se sëmuret, dhe ndoshta ndonjë dyqan të posaçëm këpucësh.