1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bund: Së paku dhjetë deri në njëzet vjet derisa Kosova ta gjejë veten në rrugën drejt Evropës

Ricke, Christopher / DLR13 Janar 2008

Intervistë me drejtuesin e kontigjentit gjerman të KFOR-it në Kosovë, Robert Bund. Gjeneral-brigade Bund parashikon një periudhë të gjatë kohore derisa Kosova të futet në rrugën e afrimit për në Evropë.

https://p.dw.com/p/Cp3V
Kosova në Evropë - fotografi simbolikeFotografi: AP/DW
Ricke, DLR: Evropa do të ketë një bebe të re që është në procesin e lindjes. Shtetet e Evropës do të bëhen me një motërz të vogël - Kosova gjatë javëve të ardhëshme do të shpallë pavarësinë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i ka paralajmëruar qartë si shqiptarët edhe serbët në provincë, që askush të mos ketë iluzione, se do të mund të arrijë qëllimet e veta përmes dhunës. Nëse do të jetë e nevojshme, njësitë tona rezerviste janë në gatishmëri, është shprehur ai. Ushtria gjermane, Bundesveri qysh nga vera e vitit 1999 ndodhet me kontigjentin e vet në Kosovë me rreth 2200 ushtarë. Kontigjenti gjerman ndodhet nën komandën e gjeneral-brigadës, Robert Bund. Ky i fundit i pyetur fillimisht, nëse ka vërtetë rrezik, që të jenë të nevojshme njësitë e rezervistëve vë në dukje:
Bund: "Unë mendoj, se jo. Sepse njerëzit këtu e dinë shumë mirë, se në çfarë situate ndodhen. Njerëzit ndodhen ndoshta në një çast të zgjidhjes së problemeve si asnjë herë tjetër në histori. Ata e dinë, se e gjitha kjo mund të përmbyset duke u kthyer me vite të tëra prapa, në rast, se atyre u shpëton nga duart normaliteti."

Megjithatë është e nevojshme prania ushtarake. Kë duhet të mbroni ju aktualisht dhe prej kujt, shqiptarët prej serbëve apo serbët prej shqiptarëve?

Bund: "Ne në parim nuk mbrojmë askënd prej ndokujt, por ne jemi këtu për të garantuar një terren të sigurtë për të gjithë e natyrisht, nëse është e nevojshme të garantojmë edhe lirinë e qarkullimit për grupet etnike."

Do të zgjasë një farë kohe, deri sa të sigurohet një proces i stabilizuar dhe i përgjegjshëm paqeje e demokratizimi në Kosovë. A mund të thoni, se sa mund të zgjasë ky proces?

Bund: "Për këtë më mirë më jepni një zar të madh magjik që ta shoh dhe të përgjigjem. Por unë mund të them, se nuk mund të zhvillohet një normalitet absolut brenda dy ose tri vjetësh.

Por ndoshta ju mund të bëni një parashikim për të ardhmen duke u nisur nga përvoja e viteve të fundit?

Bund: "Unë mendoj, se më e rëndësishmja është fillimisht situata politike, kjo duhet të stabilizohet. Nëse shohim zgjedhjet e vitit të shkuar dhe qeverinë që u krijua para pak ditësh nga dy partitë kryesore LDK/PDK nën kryeministrin Hashim Thaçi, mund të them se vërtetë ka shprehje të vullnetit pozitiv për të bashkëpunuar në mënyrë optimale dhe me orientim drejt së ardhmes me etnitë. Në qeverinë e re marrin pjesë dy ministra serbë. Pas kësaj faze fillestare politike, kështu po e cilësoj tani, prioritet absolut duhet të ketë zhvillimi ekonomik. Ky vend natyrisht që do të jetë në varësi të madhe prej ndihmave ndërkombëtare. Kosovës, që në dhjetëvjeçarët e fundit ka qenë një nga zonat më të varfëra të Evropës, derisa të gjejë rrugën e afrimit në Evropë do t´i duhen të paktën dhjetë ose njëzet vjet."