1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundestagu gjerman pritet të ratifikojë nesër Kushtetutën Evropiane

11 Maj 2005
https://p.dw.com/p/ArEW


Bundestagu gjerman pritet të ratifikojë nesër Kushtetutën Evropiane. Shumica e nevojshme prej dy të tretave e votave është e sigurtë, edhe nëse një sërë deputetësh, pasa së gjithash unionistë do të votojnë kundër. Ratifikimi i kushtetutës së BE konsiderohet si një hap historik në rrugën drejt një Evrope të bashkuar. Por ky fakt përkujtohet megjithatë pa bujë: shumë të mëdha janë pasiguritë që lidhen ndërkohë me "projektin Evropa".

Fraksionet e Bundestagut kanë rënë ndërkohë dakord për zgjerimin e të drejtave të bashkëvendosjes së Parlamentit për çështje të BE. Kështu, p.sh. qeveria gjermane duhet ta informojë në të ardhmen Bundestagun gjerësisht dhe në kohën e duhur për vendime të BE. Fraksionet parlamentare kanë të drejtë të ngrejnë aktpadi kundër shkeljes së kompetencave nga ana e BE. Në mënyrë që të ratifikohet marrëveshja për Kushtetutën, për të duhet të votojë gjithashtu me dy të tretat e votave edhe Bundesrati, Dhoma e Landeve. Kjo pritet që sipas të gjitha gjasave të ndodhë në 27 mars.

Me këtë plan të ngushtë kohor, forcat e mëdha politike në Gjermani synojnë të japin një sinjal drejt vendeve anëtare të BE, tek të cilat kushtetuta nuk mbështetet nga një shumicë e sigurtë në parlament. Kjo vlen në radhë të parë për Francën, ku më 29 maj do të zhvillohet një referendum. Në Gjermani- këtë e tregojnë edhe anketimet më të fundit- ka një shumicë të qartë në mbështetje të Kushtetutës së BE. Shumë do të kishin preferuar që të votonin në mënyrë të drejtpërdrejtë për kushtetutën. Por në Bundestag nuk u arrit të fitohej një shumicë pro një referendumi për kushtetutën e BE.

"Kushtetuta e re", e cila zëvendëson të gjitha marrëveshjet aktuale të BE, e përcakton më saktë kufizimin e kompetencave midis BE dhe të 25 shteteve anëtare. Marrja e vendimeve do të ripërcaktohet me një renditje në bazë të madhësisë së vendeve. Parlamenti i BE do të marrë më shumë të drejta. Në të ardhmen do të ekzistojë një ministër i jashtëm i BE dhe një president të BE, i cili do të qeverisë për shumë vjet.

Kritikë të kushtetutës, para së gjithash nga radhët e Partisë Kristjansociale shohin në kushtetutën e BE një minim të kushtetutës gjermane dhe shfuqizim të Parlamentit Gjerman, Bundestagut. Kundër kësaj ata do të ngrejnë aktpadije në Gjykatën Kushtetuese në Karlsruhe. Ish- gjykatës të kushtetutës kanë kërkuar tashmë "sqarime", në mënyrë që marrëveshja e re e BE të mund t'i rezistojë një shqyrtimi nga ana e Bundestagut.

Zgjerimi në Lindje i BE dhe liberalizimi i mëtejshëm i tregjeve i lidhur me këtë, si dhe debati për anëtarësimin e Turqisë në BE u kanë dhënë krahë në Gjermani edhe kritikëve të kursit aktual të BE. Reagimi i shumicës në fraksionet e Bundestagut ishte që të zgjerohen të drejtat e parlamentit për tema të BE.


Kushtetuta e BE do të konsiderohet vetëm atëherë e ratifikuar përfundimisht kur për të kenë votuar të 25 shtetet anëtare. Kjo do të ketë ndodhur deri në nëntor 2006. Kjo temë do të jetë deri atëherë edhe në politikën e brendshme temë dite. Partitë unioniste kanë shpallur ndërkohë se do ta bëjnë Evropën temën qendrore të fushatës elektorale. Koalicioni qeveritar kuq e gjelbër i konsideron të tijat përparimet kryesore që lidhen me kushtetutën. Në fund të fundit, kancelari Gerhard Shrëder ka qenë njeri nga ata që ka shtruar rrugën e këtij projekti.