1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundesveri gjerman mbështet misionin për paqe në Darfur

Nina Werkhäuser3 Dhjetor 2004

Qeveria gjermane vendosi të premten e kaluar që të dërgojë ushtarë gjermanë në rajonin e Darfurit, në Sudan, për të ndihmuar për zgjidhjen e krizës atje. Bundesveri gjerman do të vërë në fillim tre aeroplanë transporti në dispozicion, të cilët do të fluturojnë ushtarët e Unionit Afrikan (AU) nga Tanzania në Darfur. Deri tani në Darfur ndodhen 760 vëzhgues civilë dhe ushtarë afrikanë, por ky numër do të rritet në 3.300. Për Bundesverin gjerman mbështetja e AMIS (African Union Mission in Sudan) është misioni i parë afatgjatë në territor afrikan.

https://p.dw.com/p/Ar5G
3 aeroplanë transporti dhe 200 ushtarë do të dërgojë Bundesveri gjerman në Sudan
3 aeroplanë transporti dhe 200 ushtarë do të dërgojë Bundesveri gjerman në SudanFotografi: Bundesbildstelle

Bundesveri gjerman do të dërgojë tre aeroplanë transporti dhe rreth 200 ushtarë për të mbështetur misionin vëzhgues të Unionit Afrikan (AU) në Darfur. Unioni Afrikan ka vendosur ta rrisë numrin e trupës së tij në provincën e Sudanit Perëndimor me rreth 3300 vëzhgues. Por sipas ministres gjermane për zhvillim, Heidemarie Wieczorek-Zeul, qeveria gjermane nuk ka më shumë kapacitet për transport në dispozicion:

"Ne marrim pjesë në këtë mision në Darfur, sepse kjo është e vetmja mënyrë për të shpëtuar jetën e shumë njerëzve. Ne nuk mund të rrimë duarkryq kur përpara syve tanë ndodh një gjenocid masiv me përmasa të papërfytyrueshme. Prandaj është detyra jonë që të ndihmojmë."


Sekretarja gjermane e shtetit pranë ministrisë së jashtme, Kerstin Müller, tregon se në Darfur ka mbi 1.6 milionë njerëz që kanë marrë arratinë, ndërkohë që mbi 70.000 të tjerë janë vrarë në muajin mars të këtij viti. As qeveria dhe as organizatat e rebelëve nuk ju përmbajtën marrëveshjes për armëpushim. Madje edhe bashkëpunëtorët e organizatave joqeveritare u sulmuan shpesh:

"Ne duhet ta vazhdojmë presionin ndërkombëtar dhe të bëjmë gjithçka që është e mundur në mënyrë që dhuna në rajon të përfundojë sa më parë" - thotë Kerstin Müller.

Pikërisht kjo do të jetë edhe detyra e Bundesverit në Darfur. Misioni i Bundesverit do të jetë që të ndihmojë nga ana logjistike dhe jo të stacionojë ushtarë gjermanë në Sudan. Çelësi i zgjidhjes së konfliktit ndodhet në duart e Unionit Afrikan, thekson deputeti i partisë kristian demokrate Andreas Schockenhoff.


"Ne e përshëndesim angazhimin paqësor të Unionit Afrikan në Darfur dhe duhet t´i mbështesim si nga ana logjistike ashtu edhe nga ajo financiare shtetet afrikane që vënë në dispozicion trupat e tyre ushtarake. Nëse ky mision do të dështojë, atëherë Unioni Afrikan do të dobësohet dhe ne nuk do të mund të bëjmë asgjë për të zgjidhur nga jashtë konfliktet dhe krizat afrikane" - thotë ai.

Por sipas partive opozitare gjermane Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk ka ushtruar presionin e duhur në rajonin e Darfurit. Ministrja gjermane për zhvillim Wieczorek-Zeul kërkon nga Kombet e Bashkuara një embargo armësh kundër Sudanit.

"Importi i armëve në Sudan është rritur me çdo vit rreth 40%. Ky
është një skandal i vërtetë. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë biznese të tilla armësh apo nafte" - thotë ajo.

Vetëm 10 deputetë votuan kundër misionit të Bundesverit në Sudan, që në fillim do të zgjasë rreth 6 muaj. Qeveria gjermane ka vënë 6.75 milionë euro në dispozicion për këtë mision.