1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bundeswehr: Duhet ditur se ku duhet shkuar

11 Nëntor 2006

Komentet e gazetave gjermane këtë të shtunë trajtojnë kryesisht dy tema: zgjatjen e mandatit të Bundeswehr-it në kuadër të operacionit Enduring Freedom dhe ndalimin e duhanit nëpër restorante

https://p.dw.com/p/Arn3
Fotografi: AP

Komenti në gazetën gjermano-jugore "STUTTGARTER NACHRICHTEN":

"Në se siguria jonë mbrohet me të vërtetë në Hindukush, atëherë ajo është në rrezik. Terrori në Afganistan po kthehet, të paktën në disa zona gjendja është jostabile. Prandaj edhe në Bundestag kishte disa fytyra të vrenjtura, kur bëhej fjala për zgjatjen e angazhimit të Bundeswehr-it. Sigurisht që logjika ushtarake e ndalon tërheqjen e trupave kur ato janë të nevojshme në terren. Në thelb, edhe arësyeja politike. Por shqetësimi për jetën dhe shëndetin e ushtarëve kërkon më shumë se thjesht mendësinë e qendresës. Duhet ditur se ku duhet shkuar. Dhe pikërisht kjo mungon tani".

Gazeta që del në Potsdam "MÄRKISCHE ALLGEMEINE" analizon:

"Sigurisht që është gjë e mirë që shumica e miratoi mandatin. Do të ishte fatale, po qe se Gjermania tani do të tërhiqej nga misioni. Talebanët që në Afganistan tani përsëri duket se kanë marrë hov, do ta shikonin atë si vërtetim të strategjisë së tyre. Qeveria gjermane megjithatë do të bëjë mirë t'i marrë seriozisht argumentet e kritikëve dhe ta përmirësojë politikën e saj informuese. Ka shumë paqartësi, shumë mitologji, që shoqërojnë misionin në frontin antiterror."

Gazeta nga Koblenz-i "RHEIN-ZEITUNG" ndriçon argumentet që flasin pro misionit të Bundeswehr-it.

"Mandat pas mandati Gjermania po merr përsipër gjithmonë e më shumë përgjegjësi ushtarake në botë. Por vendimet nga Berlini duket se nuk kanë të bëjnë fare me nevojat e kazermave: Fjalë të qarta dhe vepra të vendosura, destinacione misionesh dhe afate të respeektueshme janë mallra në mungesë. Në vend të tyre dalin në plan të parë argumentet politike, siç u dëgjuan edhe dje. Duket sikur të ketë ndonjë detyrim, që bazohet herë në politikën e jashtme, herë në atë ekonomike a të zhvillimit, e herë në atë evropiane. ...Kjo situatë e paqartë nuk sakrifikon vetëm pajimin dhe shkollimin, por dëmton edhe mbështetjen që gëzon Bundeswehr-i në shoqëri."

Gazeta nga Halle "MITTELDEUTSCHE ZEITUNG" parashikon:

"Viti i ardhshëm do të jetë vendimtar për zhvillimet në Hindukush. Kancelarja gjermane ka të drejtë kur thotë se dështimi i perëndimit është i papërfytyrueshëm. Por nuk mjafton të thuash vetëm që ky mision është pa alternativa."

Gazeta FRANKFURTER ALLGEMEINE ZEITUNG komenton planet për ndalimin e duhanit:

"Sallone duhani në restorante me yje - në lokale më pak luksozë ato do të quhen dhoma e duhanxhinjve - me siguri që do të ketë përsëri në Gjermani, por jo më për shkak të respektimit vullnetar që gastronomët i bëjnë shumicës jotymuese, por si masë e detyrueshme shtetërore për mbrojtjen pikërisht të atyre... Që bota e lirë nuk do të përmbyset me ndalimin e duhanit, këtë na e kanë treguar që më parë ish-kombet e duhanxhinjve. «Liberté, toujours» për duhanxhinjtë duke filluar që nga viti i ardhshëm nuk do të ketë vlerë as në Francë.

LÜBECKER NACHRICHTEN kanë kapur një tjetër aspekt:

"A është tymosja në bar më pak e dëmshme se gjatë ngrënies? Sigurisht që jo. Mbrojtja e joduhanxhinjve duhet të zgjerohet dhe të vlejë për të gjitha vendet e punës. Kush ka dëshirë që ta shkurtojë jetën e tij duke pirë duhan, të paktën duhet të pengohet që të vërë në rrezik shëndetin e të tjerëve."

Dhe së fundi parashikimi i komentuesit të gazetës nga Mainz-i, "ALLGEMEINE ZEITUNG"

"Ka për të plasur sherri! Joduhanxhinjtë le t'i zbusin pak brohoritjet triumfuese dhe të tregojnë mirëkuptimin që kanë kërkuar vazhdimisht nga duhanxhinjtë. Përvoja na mëson se çdo ligj i ri që e prek kaq nga afër konsumatorin kërkon kohë derisa ta marrin vesh të gjithë. Ndalimi i duhanit në kuadrin e paraparë nuk do të thotë që i jep dorë të lirë inkuizicionit... "