1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Burgim të përjetshëm për Srebrenicën

11 Qershor 2010

15 vjet pas masakrës në Srebenicë përgjegjësit e saj janë dënuar për herë të parë me burgim të përjetshëm. Shtatë të akuzuar u shpallën fajtorë. Dënimet janë më të ashprat që ka dhënë Tribunali i Hagës-

https://p.dw.com/p/No7h
Vujadin Popovic, (majtas) dhe Ljubisha Beara, (djathtas) në Gjykatën e Hagës.
Vujadin Popovic, (majtas) dhe Ljubisha Beara, (djathtas) në Gjykatën e Hagës.Fotografi: picture alliance/dpa

"Për pikën e parë akuzës - Gjenocid; Pika e tretë - Shfarosja si një krim kundër njerëzimit."

Me një mimikë të ngrirë, e dëgjon verdiktin e gjykatësit Ljubisa Beara.

Oficerët Vujadin Popoviq dhe Ljubisha Beara, u shpallën në Hagë fajtorë për gjenocid. Ata janë të akuzuarit e parë që dënohen nga Gjykata e Lartë e Kombeve të Bashkuara për rrethana të tilla të krimit. "Pika e pestë e akuzës: Vrasës, dhunim i ligjit dhe rregullave të luftës. Pika e gjashtë: Persekutim si krim kundër njerëzimit. Shfarosje si krim kundër njerëzimit."

Drago Nikoliq, atëherë shef i sigurimit në Brigadën famëkeqe Zvornik u shpall fajtor për ndihmën e dhënë në kryerjen e gjenocidit dhe u dënua me 35 vjet heqje lirie. Katër të akuzuarit e tjerë morën dënime prej pesë deri në 19 vjet heqje lirie.

Gjykata Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish Jugosllavi e vlerësoi se ka dëshmi të mjaftueshme që ish oficerët e lartë në Republikën Serbe kanë qenë organizatorët dhe koordinatorët kryesorë për ekzekutimin e rreth 7000 boshnjakëve të internuar myslimanë. Krimet janë kryer pasi Srebrenica u pushtua nga serbët. Sipas vendimit të gjykatës të cilin e lexoi gjykatësi kryesor Carmel Agius, ata kanë pasur synim të kryejnë gjenocid dhe të zhdukin një grup të internuar etnik të boshnjakëve.

Përveç kësaj është dëshmuar se Popoviqi praktiksiht ka qenë i pranishëm gjatë të gjitha ekzekutimeve dhe ka bërë thirrje për vrasjen e të gjithë myslimanëve boshnjakë. Shtatë oficerët serbë, ndër të tjera akuzoheshin edhe për krime kundër njerzëimit si dhe vrasje e dëbim.

Srebrenica 13 Jahre nach dem Massaker
Fotografi: AP

Gjenocidi, dhe krime kundër njerëzimit do ta lënë përgjithmonë pas hekurave, ish-udhëheqësin dhe komandantin e ushtrisë serbe, Vujadin Popoviç. Për nënat e Srebrenicës, që humbën djemtë dhe burrat në këtë masakër, ky proces është një lloj satisfaksioni. Por hidhërimi mbetet: "Kriminelët prapë do të jetojnë jetën e tyre. Nuk ka dënim që mund t'i kompensojë tmerret që kanë bërë ata. Mijëra kanë vdekur. Të gjithë pjesëtarët e familjes sime kanë humbur jetën. Unë jam e vetme." Kështu shprehet Kadira Gabeljic, një banore e Srebrenicës.

Vendimi i gjyqit- ishte fundi i një lufte të gjatë për të vërtetën, më shumë se tre vjet zgjati procesi. Deri në detajin më të fundit, u përpoq pala akuzuese të nxjerrë në dritë, se çfarë ndodhi në 11 korrik 1995, në enklavën boshnjake të Srebrenicës; kush i dha urdhërat për dëbim, kush vrau 8 000 mylimanë.

Një numër i madh provash u nxorrën para gjyqit. Regjistrime në radio, fotografi, materiale në video. 182 dëshimitarë u paraqitën në Hagë. Gjykatësit janë të një mendimi: të dy të dënuarit nuk duhet të dalin kurr nga burgu. Edhe të akuzuarit e tjerë do të vuajnë burgime: 5 deri në 35 vjet është verdikti i gjyqit për ta.

Procesi për masakrën e tmerrshme të Srebrenicës përfundoi, por ende nuk janë kapur të gjithë kriminelët. Ratko Mlladiç, asokohe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë serbe dhe përgjegjësi kyresor për masakrën është ende në arrati.

Autor: Lindita Arapi/ Esat Ahmeti

Redaktoi: Aida Cama