1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bush dhe Bler propozojnë reduktimin e borxheve me 100% për vendet më të varfëra të Afrikës

Daniel Scheschkewitz8 Qershor 2005

Presidenti i ShBA kundër përpjekjeve të reja për mbrojtjen e klimës globale

https://p.dw.com/p/ArP3
Bler dhe Bush gjatë takimit në Uashington
Bler dhe Bush gjatë takimit në UashingtonFotografi: ap

Në takimin e tyre të parë që prej rizgjedhjes së Toni Blerit kryeministër i Britanisë së Madhe, ai dhe presidenti Bush kanë folur për një reduktim të përgjithshëm të borxheve për kontinentin afrikan. Bush premtoi vënien në dispozicion të rreth 550 milionë dollarëve amerikanë si ndihmë humanitare për rajonet e krizës në Afrikë. Kryeministri Bler nuk mori megjithatë asnjë premtim për "planin Marrshall" për Afrikën të iniciuar prej tij i cili parashikon një ndihmë humanitare prej 25 miliardë dollarësh amerikanë në vit nga vendet e grupit G8.

Toni Bler shkoi në Uashington për të kërkuar fonde nga aleati i tij i preferuar. Këto mjete financiare atij i duhen për iniciativën për Afrikën e cila pritet të jetë stolia e samitit të grupit G8 që do të mbahet në korrik në Gleaneagles të Skocisë. Besoj se dëshira jonë e përbashkët - u shpreh Bler - është t'i vijmë në ndihmë këtij kontinenti të rraskapitur për të kapërcyer varfërinë dhe prapambetjen në zhvillim një realitet ky i hidhur për shumë prej banorëve të tij.
Por Bush nuk pranoi propozimin për dyfishimin e ndihmës për zhvillim të vendeve të industrializuara për Afrikën ku ShBA kërkohet të kontribuojnë me 6 miliardë dollarë . Bush rikujtoi dhe njëherë kontributet e deritanishme të vendit të tij. "Ne e kemi trefishuar ndihmën tonë për Afrikën" - tha Bush. "Afrika është pjesë e rëndësishme e politikës sime të jashtme. Ne jemi nismëtarë të një inisiative të rëndësishme për luftimin e SIDA-s në këtë kontinent dhe do të bëjmë edhe më shumë."
Gjatë mandatit të presidentit Bush, ShBA ka vënë në dispozicion disa miliardë dollarë për luftën kundër SIDA-s në Afrikë. Megjithatë ShBA dedikojnë gjithsej vetëm 0,18% të Produktit të Brendshëm Bruto për ndihmën ndërkombëtare për zhvillim. Kjo shifër është ndjeshëm më e ulët se kontributet e vendeve të tjera perëndimore dhe shumë më pak nga 0,7% të PBB që rekomandohen nga OKB.
Bler dhe Bush bënë të ditur ndërmarrjen e një inisiative të përbashkët për një reduktim të përgjithshëm të borxheve për vendet më të varfëra të Afrikës. Brenda kësaj jave ata presin miratimin e kësaj inisiative nga ministrat e financave të vendeve të grupit G7. Lidhur me këtë presidenti Bush u shpreh: "Ne jemi të një mendjeje se vendet e zhytura thellë në borxhe dhe që i janë futur rrugës së reformave nuk duhet të rëndohen nga pesha e borxheve. Për këtë arsye dy vendet tona do t'i paraqesin G8-s një propozim se si këtyre vendeve t'u falen 100% të borxheve të tyre. Kjo duhet të realizohet me mjete financiare shtesë në mënyrë që Banka Botërore dhe Banka Afrikane për Zhvillim të mos dobësohen."
Të dy kryetarët e qeverive theksuan se kontinenti afrikan nuk mund të dalë nga mjerimi vetëm me dhënien e ndihmave financiare. Po aq të rëndësishme sa kjo ndihmë janë heqja e barrierave tregtare, parandalimi i konflikteve dhe luftimi i korrupsionit.
Bler shpresonte që në takimin me presidentin e ShBA të ngjallte interesin e tij në përpjekjet e reja ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës globale. Por Bush në këtë temë iu referua vetëm projekteve kërkimore në vendin e tij mbi pasojat e emetimit të gazit karbonik. ShBA nuk e kanë nënshkruar protokollin e Kiotos dhe Bush e konsideron të pa provuar ndikimin negativ mbi klimën të të ashtuquajturave gazra të efektit serrë.
Bler dhe Bush hodhën poshtë njëzëri ekzistencën e provave sipas të cilave qeveritë e tyre kanë manipuluar informacionet e shërbimeve sekrete mbi armët e shkatërrimit në masë të Sadam Huseinit për të legjitimuar kështu luftën në Irak. Për këtë temë Bler u shpreh: "Jo faktet nuk janë manipuluar në asnjë mënyrë. Fakt është që ne ishim të vendosur të kërkonim nga OKB zbatimin e rezolutës për Irakun të vitit 2002 e cila i jepte Sadam Huseinit një mundësi të fundit të respektonte të drejtën ndërkombëtare. Ai nuk e bëri këtë."
Bush dhe Bler konfirmuan se ShBA dhe Britania e Madhe do të qëndrojnë me trupat e tyre në Irak derisa forcat irakiane të sigurisë të jenë në gjendje të kontrollojnë gjithë vendin.