1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Bush u ka lejuar shërbimeve sekrete përgjimin e shtetasve amerikanë

Daniel Scheschkewitz17 Dhjetor 2005

Organizatat për të drejtat e njeriut reagojnë të indinjuara

https://p.dw.com/p/ArMu
Zbulime të reja të gazetës New York Times flasin për cënime të të drejtave të qytetarëve
Zbulime të reja të gazetës New York Times flasin për cënime të të drejtave të qytetarëveFotografi: AP

Sipas një artikulli të gazetës "New York Times" presidenti i ShBA Xhorxh Buxh i ka lejuar një shërbimi kombëtar sekret përgjimin e shtetasve privatë në ShBA pa autorizim gjyqësor. Nga ky program të cilin Bush thuhet se e ka autorizuar pak muaj pas atentateve terroriste të 11 shtatorit 2001, mund të jenë të prekur qindra shtetas amerikanë si dhe të huaj që jetojnë në ShBA apo turistë.
Ministrja e jashtme e ShBA Kondoliza Rajs e konfirmoi tërthorazi ekzistencën e programit të fshehtë, kur në një intervistë për kanalin televiz ABC të premten deklaroi se administratës Bush pas atentateve të 11 shtatorit i është dashur të ecë në shtigje të reja për të rënë në gjurmë të aktiviteteve terroriste.

Aktori kryesor në këtë spiunazh brenda vendit të urdhëruar nga presidenti Bush ka qenë Agjensia për Sigurinë Kombëtare, NSA, e cila operon në fshehtësi të plotë. "National Security Agency" e cila është tradicionalisht përgjegjëse për survejimin e ambasadave dhe përfaqësive të huaja sipas artikullit të "New York Times" prej mëse tre vjetësh ka përgjuar telefonatat ndërkombëtare dhe e-mail-et e të paktën 500 personave me banim në ShBA. Për një përgjim të tillë është si rregull i nevojshëm një urdhër gjykate, por pasi kongresi në shtator të vitit 2001 autorizoi presidentin Bush për luftën kundër El Kaidës ai kishte udhëzuar NSA për këtë mënyrë proçedimi. Për shkak të dyshimeve lidhur me ligjshmërinë e tij programi u pezullua vitin e shkuar. Mesa duket disa bashkëpunëtorë të kësaj agjensie kishin refuzuar devijimin nga rruga ligjore.
Qeveria e Bushit kishte kërkuar fillimisht nga "New York Times" të mos i publikonte këto informacione pasi cënonin sigurinë kombëtare. Sipas informacioneve të gazetës përmes këtij programi është bërë i mundur parandalimi i shumë akteve terroriste. Kështu p.sh. përpjekja e një kamionisti nga Ohajo për të rrëzuar urën Bruklin në Nju Jork në vitin 2003.
NSA është shërbimi më i madh sekret i ShBA. Selia qëndrore e saj është në Fort Meade në shtetin federal Merilend. Detyra e saj është të zbërthejë kode sekrete dhe të administrojë një rrjet mbarëbotëror vendesh përgjimi. Detyrat e tjera janë ato të një shërbimi klasik sekret për jashtë vendit. Normalisht spiunazhi brenda vendit është kompetencë e FBI-së dhe kufizohet nga rregulla të qarta të shtetit juridik.
Zëdhënës të organizatave amerikane për të drejtat e njeriut shprehen të tronditur mbi përmasat e cënimit të të drejtave të qytetarit nga administrata Bush. Zëdhënësja e "Unionit Amerikan për Liritë Qytetare", Kerolajn Fridrikson ka folur madje për një "thyerje të qartë të ligjit".
Zbulimet e "New York Times" vijnë në një moment kritik për administratën Bush. Aktualisht në rendin e punës së Kongresit amerikan është zgjatja e të ashtuquajturit "Patriot Act". Rregullat e këtij ligji i jepnin autoriteteve amerikane të drejta të caktuara në luftën kundër terrorizmit ndër të cilat edhe atë të kontrollit të bibliotekave dhe arkiveve. Shtëpia e Bardhë dhe shumica e deputetëve kanë rënë parimisht dakort për zgjatjen e "Patriot Act" por disa deputetë të opozitës të shqetësuar për cënimin e të drejtave të qytetarëve duan të bllokojnë votimin në Kongres.