1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ambasadorja e Gjermanisë për 23 qershorin

Arben Muka15 Qershor 2013

Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri flet për Deutsche Welle-n për atmosferën elektorale dhe primtëritë për 23 qershorin, për pjesëmarrjen në votime dhe raportet Tiranë - Berlin pas zgjedhjeve në të dy vendet.

https://p.dw.com/p/18pKd
Ambasadorja gjermane Carola Müller -HoltkemperFotografi: DW/A. Muka

DW: Parlamenti në Tiranë i ka miratuar më në fund me votim të cilësuar paketën me tri ligjet për integrimin. E themi tani që Shqipëria e kap objektivin e saj strategjik për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE?

Müller-Holtkemper: Në radhë të parë, ne e përshëndesim faktin, që dy ligjet dhe rregullorja e brendshme e parlamentit më në fund u miratuan edhe pse do të duhet të hyjnë në fuqi vetëm në shtator. Vendimin rreth hapit të ardhshëm të Shqipërisë, atë të statusit të vendit kandidat, Këshilli Evropian i Kryetarëve të Shteteve dhe Qeverive do ta marrë na varësi të konsideratës për raportin e Komisionit të BE. Në këtë kontekst do të luajë rol edhe lufta e Shqipërisë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë këtu hetimin proaktiv dhe ndjekjen penale të rasteve të tilla. Pra, vendimtar nuk është vetëm miratimi formal i ligjeve, por edhe implementimi faktik i tyre. Konkluzionet e Këshillit, datë 11 dhjetor 2012, vënë theksin edhe në faktin që realizimi i suksesshëm i zgjedhjeve parlamentare është një test shumë më i rëndësishëm për funksionimin joproblematik të institucioneve demokratike në Shqipëri. Ne shpresojmë që Shqipëria ta kalojë me sukses këtë test.

DW: Pas pak ditëve qytetarët shqiptarë do t'u drejtohen kutive të votimit për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Si e konsideroni atmosferën e përgjithshme në këtë fushatë elektorale?

Müller-Holtkemper: Ne po ndjekim me interes të madh përgatitjet zgjedhore dhe zhvillimin e fushatës zgjedhore. Përveç disa ngjarjeve të veçuara fushata elektorale ka rrjedhur deri më tani relativisht e qetë. Të papranueshme mbeten gjithsesi përplasjet dhe sulmet ndaj kandidatëve të partive të veçanta. Nëse rreth tyre ekziston një dyshim i mjaftueshëm fillestar për ushtrimin e një vepre penale, u behet apel autoriteteve shqiptare të ndjekjes penale t'i ndjekin më tej këto dyshime.

DW: Prej javësh ka apele, madje duke krijuar idenë e një trysnie nga faktori ndërkombërar, për ti dhënë sa më shpejt zgjidhje problemit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, KQZ, i cili diskuton dhe merr vendime vetëm me 4 anëtarët e mazhorancës. Ju e shikoni këtë çështje të mbyllur, apo shpresoni se diçka do të lëvizë para ditës së votimeve për të patur një KQZ me 7 anëtarë?

Müller-Holtkemper: Kjo varet vetëm nga partitë, duke u nisur pikërisht nga parahistoria e të gjitha partive pjesëmarrëse. Në këndvështrimin tonë një KQZ me vetëm katër anëtarë, në vend të shtatë, është problematik për shumë arsye: Jo vetëm për faktin se opozita nuk është e përfaqësuar në KQZ dhe që katër persona duhet tanimë të ndajnë punën e shtatë vetëve - por vështirësia kryesore qëndron para së gjithash në faktin, që disa vendime të caktuara të KQZ, përfshirë këtu vendimin zyrtar për rezultatin përfundimtar dhe shpërndarjen e mandateve kërkojnë një shumicë të cilësuar. Do të shihet më tej, a do ta dëmtojë ky aspekt realizimin e suksesshëm të zgjedhjeve parlamentare, dhe eventualisht deri në çfarë mase. Në muajin shtator, në Gjermani do të zhvillohen zgjedhjet për Bundestag-un Gjerman. Nëse dikush do të më pyeste për emrin e kryetarit të komisionit të zgjedhjeve federale, do të më duhej ta gjeja në faqen zyrtare të këtij të fundit. Realizimi i zgjedhjeve duhe të jetë, pra, një çështje thjeshtë dhe vetëm teknike.

DW: Një nga çështjet e diskutueshme ne qarqet politike, por dhe më gjerë në opinionin publik është niveli i pjesmarrjes në votimet e 23 qershorit. Duket si një rivalitet mes dy iniciativave, njëra e konsideruar si "Fleta e bardhë", që nënkupton paraqitjen në qendrën zgjedhore, por pa shënuar asgjë në fletën e votimit, dhe iniciativa tjetër është me kredon "Nëse nuk votojmë, nuk flasim!". Cila sipas jush do të dëgjohet më shumë nga ajo që konsiderohet si pjesa "gri" e elektoratit?

Müller-Holtkemper: E drejta për të zgjedhur, si në shumë vende të tjera edhe në Shqipëri është fituar mes përpjekjesh dhe përballjesh të mëdha. Ata që në shenjë proteste nuk shkojnë të zgjedhin, nuk mund të ankohen më pas, nëse në pushtet vijnë partitë e gjykuara prej tyre si të „gabuara“. Por demokracia nuk konsumohet vetëm duke marrë pjesë rregullisht në zgjedhje, ajo ka nevojë edhe për një angazhim të vazhdueshëm qytetar. E këtu bën pjesë edhe vlerësimi i partive përmes mbajtjes ose jo të premtimeve të bëra gjatë fushatës zgjedhore dhe realizimit të programeve të tyre partiake.

DW: Nga eksperienca e zgjedhjeve të mëparshme në Shqipëri ndodh thuajse i njëjti refren: shënohet një ditë e qetë votimi, por më pas në procesin e kalkulimit dhe shpalljes së rezultatit ka probleme, bllokime, acarime dhe deri kontestime nga palët. Si e parashikoni pas 23 qershorin 2013 në aspektin e përllogaritjes se votave dhe njohjen e rezultatit nga të gjitha palët?

Müller-Holtkemper: Sikurse thashë më sipër, realizimi i zgjedhjeve duhet të jetë një proces i pastër teknik, në mënyrë që rezultati i vullnetit të zgjedhësve të pasqyrohet sa më saktë të jetë e mundur. Nuk është e nevojshme të shohim shumë larg për këtë qëllim, në Gjermani, Francë apo vende të tjera anëtare të BE-së. Edhe vende fqinje të Shqipërisë ia dalin brenda një kohe mjaft të shkurtër të numërojnë votat dhe të përcaktojnë rezultatin përfundimtar zyrtar të zgjedhjeve.

DW: Pak më vonë zhvillimit të zgjedhjeve në Shqipëri, në muajin shtator, do të ketë po zgjedhje të përgjithshme dhe në Gjermani. A pritet ndikim në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Berlinit, në varësi të rezultateve që do të dalin nga këto zgjedhje?

Müller-Holtkemper: Sigurisht, askush nuk mund të thotë në këtë moment se cili do të jetë rezultati i zgjedhjeve për në Bundestag-un Gjerman. Por në Gjermani ekziston aktualisht mes pothuaj të gjitha partive të përfaqësuara në Bundestag një konsensus i përgjithshëm rreth orientimit të politikës së jashtme gjermane.

Intervistoi: Arben Muka

Redaktoi: Mimoza Kelmendi