1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

180410 Masar-i Scharif Trauerfeier

19 Prill 2010

Në kuartierin qendror të ISAF-it në Masar-i Scharif u mbajt një ceremoni e përmortshme për katër pjesëtarët e vrarë të ushtrisë gjermane.

https://p.dw.com/p/N01u
Ushtarët u japin lamtumirën shokëve të rënë në luftime. Masar-i-Scharif, 18 prill 2010.
Fotografi: AP

Rreth 1.500 ushtarë nga 19 vende të ndryshme, të cilët shërbejnë në kuadër të trupës paqëruajtëse ndërkombëtare për Afganistanin, ISAF, ndodheshin në kampin fushor Masar-I scharif për t'i dhënë lamtumirën e fundit shokëve të tyre gjermanë.

"Ne kemi ardhur që para arkivoleve të tyre t'i përkujtojmë ata në mënyrë të denjë dhe të shprehim para Zotit tonë tonditjen dhe pikëllimin tonë", - tha Walter Wakenhut, dekani i përgjithshëm ushtarak katolik. Kapelani i rangut të lartë ushtarak, drejtoi së bashku me priftin evangjelist të kampit Michael Weeke, pjesën kishtare të ceremonisë në shenjë nderimi për ushtarët e rënë në Masar-i Scharif.

Gjeneralbrigade Frank Leidenberger dhe inspektori i përgjithshëm i ushtrisë Volker Wieker, bëjnë nderimet fundit për ushtarët e vrarë gjermanë. Masar-i-Scharif, 18.04.2010.
Gjeneralbrigade Frank Leidenberger dhe inspektori i përgjithshëm i ushtrisë Volker Wieker, bëjnë nderimet fundit për ushtarët e vrarë gjermanë. Masar-i-Scharif, 18.04.2010.Fotografi: AP

"Shokët tanë nuk janë më në mesin tonë. Jeta e tyre u shua, vdekja e tyre na ka prekur të gjithëve." - shtoi Walter Wakenhut.

Katër ushtarët gjermanë të Bundeswehrit u vranë të enjten (15.04.) gjatë një sulmi të kryengritësve në krahinën veriore të Afganistanit, Baghlan. Në mesin e viktimave një rreshter i ri 24 vjeçar dhe një rreshter i vjetër 32 vjeçar nga qyteti Ingolstadt. Dy viktimat e tjera janë një major 38 vjeçar nga Weiden-i dhe një kryemjek 33 vjeçar nga Ulmi. Katër të rënët në Afganistan janë nderuar pas vdekjes me medaljen e shërbimit të Bundeswehrit.

Eshtë shumë e vështirë të gjejmë fjalë ngushëllimi, tha gjeneralbrigade Frank Leidenberger: "Ne luftojmë kundër një kundërshtari, mjetet e të cilit janë pabesia dhe mashtrimi, i cili me vetëdije përdor si mburojë popullatën civile, të njëjtën popullatë civile, të cilën ai e shtyp. I shtyrë nga një ideologji e bazuar në urrejtje dhe neveri ai sfidon botën. Ne jemi këtu në vijën e parë të frontit për t'u përballur me këtë kërcënim."

Për komandantin e rajonit verior të ISAF-it dhe trupat e stacionuara atje kjo ishte ceremonia e dytë e përmortshme brenda dy javësh. Në fillim të prillit janë vrarë tre ushtarë të tjerë gjermanë gjatë luftimeve me kryengritësit në krahinën Kundus.

Inspektori i përgjithshëm i Bundeswehrit, gjenerali Volker Wieker, tërhoqi vëmendjen për debatin e brendshëm politik në Gjermani për misionin në Afganistan. Talibanët e konsiderojnë këtë si një "lojë strategjike", e cila do të minonte mbështetjen për ushtarët gjermanë në vendlindje dhe vendosmërinë politike të qeverisë dhe të parlamentit.

Wieker sqaroi se ai së bashku me udhëheqjen ushtarake dhe politike do të përkujdeset që ushtarët në Afganistan të marrin krejt ato çka janë të nevojshme për përmbushjen e misionit të tyre.

Kufomat e pesë ushtarëve të vrarë pas ceremonisë së përmortshme janë dërguar në bazën Termes në Uzbekistan. Prej atje ata do të sillen në Gjermani, sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pesë ushtarët e Bundeswehrit, të cilët janë plagosur gjatë luftimeve të enjten për shkak të ndalim-fluturimeve kanë arritur të dërgohen vetëm deri në Stamboll. Atje ata po trajtohen në një spital ushtarak amerikan.

Autor: Sabina Matthay / Esat Ahmeti

Redaktoi: Eliana Xhani