1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Cooper në Prishtinë në prag të raundit të ri të bisedimeve Prishtinë-Beograd

30 Gusht 2011

Raundi i ri i bisedimeve mes përfaqësuesve të Beogradit dhe Prishtinës për çështjet teknike duhet të zhvillohet me 2 shtator në Bruksel. Për këtë qëllim ndërmjetësi i BE-së Robert Cooper po qëndron në rajon.

https://p.dw.com/p/12Q15
Përfaqësuesi i baroneshës Kethrin Eshton në bisedimet Kosovë - Serbi, Robert Cooper.
Përfaqësuesi i baroneshës Kethrin Eshton në bisedimet Kosovë - Serbi, Robert Cooper.Fotografi: CC-BY-EU

Përfaqësuesi i baroneshës Kethrin Eshton në bisedimet Kosovë - Serbi, Robert Kuper, ka qëndruar sot në Prishtinë, me ç'rast është pritur nga kryeministri Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministrja Edita Tahiri. Kuper, pas takimit, është larguar pa dhënë ndonjë deklaratë.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi tha se krerët e Qeverisë së Kosovës zhvilluan një takim konsultativ me Robert Kuperin, para vazhdimit të bisedimeve me Serbinë, në fillim të shtatorit.

Është një takim konsultativ që sot ka zhvilluar me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës. Është një takim parapërgatitor do të thosha, për dialogun që do të zhvillohet më 2 shtator. Natyrisht që aty do të shprehen qëndrimet e Kosovës dhe me siguri që do të ketë harmonizim të qëndrimeve edhe me përfaqësuesin e BE-së”, deklaroi Kuçi.

Këto komente, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi i bëri pas një takimi që zhvilloi me përfaqësuesit e shoqatave të familjarëve të personave të pagjetur të luftës, që u mbajt në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 30 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve.  Fati i këtyre personave pritet të jetë një nga temat e radhës në bisedimet Kosovë – Serbi.

Bisedimet e radhës do të zhvillohen pas trazirave të fundit në veri të Kosovës, ku pati edhe një polic të vdekur dhe dëme të konsiderueshme materiale. Situata është ende e tendosur, ndërkohë që edhe takimi i radhës nuk do të jetë në një atmosferë të relaksuar si deri tani.

Pala kosovare ka deklaruar disa herë gjatë trazirave dhe bllokimit të rrugëve prej serbëve se do të shqyrëtojë madje edhe mundësinë e bojkotimit të takimeve me përfaqësuesin serb Borisllav Stefanoviq, për shkak të futjes së tij ilegale në territorin e Kosovës. Megjithatë bisedimet do të zhvillohen, sipas të gjitha gjasave, në përbërje të njëjta sikur deri tani: Edita Tahiri kryeson delegacionin nga Prishtina, ndërsa Stefanoviq atë nga Beogradi.

Ky i fundit pas takimit ditën e hënë në Beograd me të ngarkuarin e BE-së në këto bisedime, Robert Cooper deklaroi se në raundin e ardhshëm të bisedimeve nuk do të flitet për institucionet serbe në veri të Kosovës. Kancelarja gjermane Angela Merkel gjatë vizitës së saj të fundit në Beograd ka kërkuar nga Beogradi që të ndërprejë financimin institucioneve paralele. Stefanoviq tha se për këto institucione nuk mund të flitet, sepse ato janë, sipas tij, të ligjshme dhe kushtetuese.

Sidoqoftë, temat e takimit të ardhshëm do të jenë kadastrat, vulat në dogana dhe telekomunikacioni.  Është e mundur që të hapet edhe çështja e furnizimit me energji elektrike, theksoi Stefanoviq. Sa i përket vulave që përdoren në dogana, pala serbe shpreson se zgjidhja do të jetë në përputhje me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, që do të thotë se në vula nuk duhet të përdoret titulli Republika e Kosovës apo ndonjë simbol i shtetit të pavarur. Stefanoviq tha se bisedimet me Cooperin ishin shumë konstruktive duke shtuar se tani varet nga qëndrimet e Prishtinës, nëse raundi i ri do të mbahet me 2 shtator.

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka deklaruar se Prishtina është në një pozitë më të mirë sa i përket bisedimeve të ardhshme. Prandaj nuk ka asnjë shkak pse të refuzojë pjesëmarrjen. Në parlamentin e Kosovës ai u shpreh se tani "është demaskuar deri në fund ideja e Beogradit për ndarjen e Kosovës. Uashingtoni dhe Brukseli e kanë mbështetur integritetin territorial të Kosovës", theksoi kryeministri Thaçi.

Autor: Bekim Shehu / Bahri Cani

Redaktoi: E. Xhani