1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

10 vjet marrëdhënie diplomatike Gjermani-Kosovë

12 Dhjetor 2018

Ambasada e Kosovës në Berlin përmbyll sot një seri aktivitetesh në kuadër të dhjetëvjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Gjermanisë. Tri pyetje për ambasadorin Beqë Cufaj.

https://p.dw.com/p/39uku
Beqe Cufaj
Fotografi: DW/A. Shuka

10 vjet Gjermani-Kosove

Zoti Cufaj, ju po festoni dhjetëvjetorin e Ambasadës së Kosovës në Berlin. Cili është bilanci juaj?

Unë e admiroj punën e paraardhësve të mi, Vilson Mirdita dhe Skënder Xhakaliu, të cilët e kanë ngritur këtë institucion.  Nuk e kanë pasur të lehtë, sepse jemi misioni më i madh diplomatik, kemi shërbime konsullore në Berlin, Munih, Shtutgart, Frankfurt, në vitin e ardhshëm do të hapet konsullata në Hamburg dhe kemi shtruar kërkesë që të hapim edhe konsullatë në Dyseldorf.  Pra,  për ne Gjermania dhe diaspora kosovare në Gjermani janë shumë të rëndësishme. Gjermania mbetet mbështetësi kryesor i Kosovës në Evropë, jo vetëm si partneri kryesor tregtar i Kosovës, por edhe në aspektin politik e kulturor. Për mua kishte një domethënie simbolike edhe vendi i ceremonisë ku festuam dhjetëvjetorin, më 3 dhjetor 2018, në Commerzbank, përbri ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Portës së Brandenburgut dhe karshi Ambasadës Franceze. Për ne Gjermania është porta drejt së cilës kalon rrugëtimi ynë për në BE.

10 Jahre Kosovo Deutschland Cufaj
Cufaj me ministrin e jashtem Pacolli duke prere torten e dhjetevjetorit Fotografi: Botschaft der Republik Kosovo

Cilat janë sfidat kryesore të punës suaj si ambasador?

Sfida kryesore është tërheqja e investitorëve gjermanë në Kosovë.  Në Kosovë funksionon tashmë me sukses Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare, e cila shërben si pikë e rëndësishme referimi për të interesuarit. Falë saj Kosova sivjet mori pjesë  për herë të parë edhe në Kongresin e Logjistikës në Berlin. Po ashtu, Kosova ka vënë në fokus të veçantë çështjen e parkut inovativ në Prizren, i cili është paraparë të përgatisë kuadro të reja për tregun e punës, jo vetëm në Kosovë por edhe në Gjermani. Por çka duhet të bëjmë ne ende është informimi për Kosovën dhe përmirësimi i imazhit të saj. Një faktor i shumë i rëndësishëm këtu është diaspora. Më ka bërë përshtypje se në shumë institucione që kam vizituar, shumë pak e dinë, që për shembull, në Gjermani jetojnë 400 mijë qytetarë me prejardhje nga Kosova. Pra, detyra jonë si ambasadë është të informojmë për këto lidhje të forta mes dy vendeve. Këtij qëllimi i shërbejnë edhe eventet që po bëjmë tani në kuadër të dhjetëvjetorit të marrëdhënieve diplomatike. Po përmend vetëm ekspozitën me fotografi nga Corinne Holthuizen dhe Axel von Hoerschelmann, dhe leximin e autores gjermano-kosovare, Arta Ramadani. Ne e kishim quajtur enkas: Vështrimi nga brenda, vështrimi nga jashtë. Por edhe ato që do të bëjmë vitin e ardhshëm në kuadër të njëzetvjetorit të çlirimit të Kosovës, ku Gjermania gjithashtu ka luajtur një vend vendimtar. Ne duhet t'ua bëjmë të qartë gjermanëve se çfarë rëndësie të madhe ka Gjermania për ne. Ajo mbetet porta përmes së cilës kalon rrugëtimi ynë drejt Bashkimit Evropian.

Aktualisht ka dy pika penguese në këtë rrugëtim: Gjermania ende nuk është pozicionuar për vizat dhe Gjermania kundërshton heqjen e taksës doganore ndaj Serbisë dhe Kosovës.  Si përballeni ju si ambasador me këto dy çështje?

Kjo është pjesë e së përditshmes diplomatike. Republika Federale e Gjermanisë është më se e angazhuar në procesin e bisedimeve mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Unë si përfaqësues i Republikës së Kosovës përcjell qëndrimin e qeverisë sime.   Dihet që këtu kemi qëndrime të ndryshme. Por unë nuk shoh ndonjë presion të jashtëzakonshëm nga ana e Gjermanisë për këtë çështje, por më tepër një tendencë për ta zgjidhur atë me mjete diplomatike. Ndërsa për çështjen e vizave, kisha para pak ditësh një takim me sekretarin e shtetit për çështje të brendshme, Stefan Meyer, i cili së shpejti do të vijë për vizitë në Kosovë, e aty shfrytëzova rastin që ta informoj se ne si shtet do të mirëprisnim sinjale pozitive jo vetëm nga Brukseli, por edhe nga Berlini. Dhe jam ende optimist se Berlinin e kemi aleat në këtë çështje.

 

Në Ambasadën e Kosovës në Berlin hapet sot (12.12.2018) një ekspozitë e piktores Shpresa Faqi me titull "driving to... Botschaft". Ekspozita përmbyll ciklin e aktiviteteve me rastin e dhjetëvjetorit të marrëdhënieve diplomatike mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Anila Shuka, shikon e buzëqeshur në drejtim të kameras
Anila Shuka autore, redaktore dhe korrespondente nga Berlini