1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dëmet materiale në Gërdec rreth 20 milion dollarë

Arben Muka24 Mars 2008

Qeveria njoftoi se kompesimi për zonat e prekura nga shpërthimet në Gërdec do të bëhet jo vetëm për banesat dhe aktivitetet e biznesit, por dhe për dëmet bujqësore dhe blegtorale. Opozita akuzon qeverinë si fajtore.

https://p.dw.com/p/DTe8
Shkatërrimet...Fotografi: DW / Pandeli Pani

10 ditë pas tragjedisë së Gërdecit Qeveria ka bërë publike një faturë financiare për dëmet që janë shkatuar për banorët e zonës. Kryeministri Sali Berisha gjatë mbledhjes së kabinetit ditën e hënë artikuloi një dëm prej afër 20 milion dollarësh, godina banimi të shkatëruara, inventar i pajisjeve shtëpiake, ndërtime të destinacioneve të ndryshme për fermerët etj. Ky rezultat erdhi pas verifikimit një javor që kanë bërë në terren dhjetra grupe ekspertësh ku gjithmonë kanë qënë prezent dhe pjestarë të familjeve të dëmtuara në Gërdec dhe fshatra të tjera.

Kryeministri tha se ndihmë janë dhe hartat dixhitale që jane marrë pak para se te ndodhte tragjedia, si nje dokument plotësues për dëmet që janë shkaktuar në disa fshatra të komunës së Vorës në 15 mars. Berisha u shpreh se kompesimi për banorët e zonave të prekura do të bëhet jo vetëm për banesat dhe aktivitetet e biznesit, por dhe për dëmet bujqësore dhe blegtorale.

Por opozita është treguar kritike për përgjegjësinë e qeverisë dhe të kryeministrit në shpërthimet e lëndëve luftarake në Gërdec. Njëri nga eksponentët kryesorë të PS, Fatmir Xhafaj tha se Berisha duhet të heqë dorë nga imuniteti, që të hetohet plotësisht për këtë ngjarje të rëndë kriminale.

Sekretari organizativ Blendi Klosi paralajmëroi se opozita do të niste protestat në shenjë zemërimi për përgjegjësinë e qeverisë në tragjedinë e Gërdecit, ku deri tani rezultojnë të vdekur 22 vetë, ndërkohë që ka dhe disa të humbur.

Kryetari i PSD Skëndër Gjinushi i tërhoqi vëmendje prokurorisë se mbante të gjitha përgjësitë për hetimin objektiv të ngjarjes, për tu marrë sic tha ai „me kokën dhe jo vetëm me bishtin“. Prokuroria nga ana e saj ka marrë të hënën në pyetje drejtues të lartë të shtabit të përgjithshëm të ushtrisë, si dhe ka paralajmëruar ripyetjen e ish ministrit të mbrojtjes në lidhje me shpërthimet vdekjeprurëse në Gërdec.