1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënime me kusht për autorët e djegies së ditarit të Ana Frankut

Shtefan Shulc9 Mars 2007

Ana Frank shkruante ditar e fshehu prej nacionalsocialistëve. Ditarin e Ana Frankut - dëshmia më prekëse dhe demaskuese e kohës - e përdhosën pesë vetë, duke e djegur si në kohën e djegies së librave prej nacionalsocialistëve

https://p.dw.com/p/AqxN
Nga Ekspozita Ana Frank në Nju Jork
Nga Ekspozita Ana Frank në Nju JorkFotografi: AP

Të enjten (08.03) autorët e kësaj vepre u dënuan nën akuzën cytje e masës.

Gjyqtari Eike Bruns vendosi kundër pesë të akuzuarve heqje lirie me nëntë muaj secili. Por djemtë në moshën 24 deri në 25 vjeç nuk do të shkojnë në burg, ata u dënuan me kusht e kësisoj do ta vuajnë dënimin në liri.

Më 24 qershor të vitit 2006 këta djem qëndronin rreth një zjarri në shesh të hapur në fshatin e tyre Pretzien. Disa mbanin në dorë pishtarë dhe të tjerë shqiptonin parrulla zjarri. Ata përbetoheshin për gjakun gjerman dhe rininë gjermane. Njëri prej të akuzuarve bëri thirrje që gjithçka "e huaj brenda llojit" siç e cilësojnë ata duhet hedhur në zjarr. Një flamur i SHBA-ve fluturoi mes flakëve e më pas edhe ditari i Ana Frankut.

Gjyqtari Bruns sheh në këto veprime një ritual të studiuar, që dëshmon një konceptim nazist të botës. Klasifikimi i Ana Frankut si "e huaj brenda llojit" do të thotë pranim publik i Holokaustit. Përcaktimi "e huaj brenda llojit" është përdorur prej nacionalsocialistëve ndër të tjera për artin apo letërsinë që nuk i përshtatej ideologjisë së tyre. Në këtë klasifikim, në një përkufizim difuz, u përfshi gjtihçka "jo gjermane", "jo ariane". Meqënëse ata kanë pranuar Holokaustin duke djegur ditarin e Ana Frankut, të pesë të akuzuarit dënohen për cytje të masës, ka gjykuar gjyqtari Bruns.

Tomas Hepner nga qendra Ana Frank në Berlin reagoi i lehtësuar pas këtij vendimi: "Mua sikur më hoqën një gur nga zemra, sepse nga vendimi del qartë që kemi të bëjmë me një akt të paramenduar në bashkëveprim. Pikërisht të bësh lidhjen mes parrullave dhe hedhjes në zjarr të diçkaje të huaj brenda llojit duke djegur ditarin dëshmon për përçmimin ndaj njerëzve. Ky veprim tregon, se ata janë përpjekur që Ana Frankun të mos e paraqesin më si një qenie njerëzore. Me këtë, nisur pikërisht edhe nga simbolika e ditarit, janë vërtetuar të dyja akuzat, nga njëra anë ndërsim i masës dhe nga ana tjetër përgënjeshtrim i Holokaustit."

Librin e Ana Frankut e kish hedhur në zjarr 25 vjeçari Lars K., i cili gjatë gjithë procesit e mbante fytyrën të mbuluar me një shall të bardhë dhe me syze dielli. Vetëm pasi u larguan nga salla fotoreporterët ai e zbuloi fytyrën dhe nuk iu përgjigj as pyetjeve të prokurorit dhe as të trupit gjykues. Në emër të tij fliste Tomas Jauh. Avokati mbrojtës është i njohur, për konsultat që u bën simpatizantëve të partisë nacional-demokrate, se si duhet të sillen ata gjatë kontrolleve nëpër shtëpi apo nëpër gjyqe.

Në hapje të procesit përpara dy javësh Tomas Jauh lexoi një deklaratë në emër të klientit të tij. Ai tha, se lars K. e ka djegur ditarin e Ana Frankut për t´u distancuar prej mizorive të nazistëve.

Gjyqtari Bruns e cilësoi këtë strategji të mbrojtjes si një histori marrëzie të të akuzuarit për t´u çliruar prej akuzës. Avokati Jauh në të kundërt deklaroi menjëherë pas procesit se do të paraqesë ankesë në isntancën e revizionit: "...sepse personalisht jam i mendimit, që nuk provohen akuzat as për injorimin e përkujtimit ndaj të vdekurve, as për cytje të masës."

Gjyqtari Bruns në të kundërt mendon, se djegia e ditarit të Ana Frankut është planifikuar dhe përbën ndërsim të masës. Parrullat përreth zjarrit nga koha e nacionalsocializmit dëshmojnë për një konceptim nazist të botës prej të akuzuarit.

Krybashkiaku i Pretzeinit, Friedrih Harvig, ndërkaq ka marrë ndihmë profesinale në fshat. Punonjësit e qendrës për kulturën demokratike në Berlin duan të punojnë me të rinjtë ekstremistë të djathtë në fshatin e tij, në mënyrë që në Pretzien të mos përsëritet djegia e librave.