1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Amnesty Jahresbericht

27 Maj 2010

Mohimi i të drejtave themelore të njeriut si problem global, jo vetëm në zonat e luftës, është një fokus i raportit aktual të Amnesty International.

https://p.dw.com/p/NYJE

Në fillim të 2009-ës, më shumë se 300.000 vetë mbetën të bllokuar për muaj të tërë në Sri-Lankë, në një rrip të ngushtë toke, të bllokuar midis luftëtarëve që tërhiqeshin të "Tigrave për Çlirimin e Tamil Eeelam-it" dhe njësive në ofensivë të ushtrisë sri-lankase. Mijëra vetë humbën jetën dhe provat për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut prej të dyja palëve, sa vjen e shtohen. Amnesty International flet për dështim të madh të bashkësisë ndërkombëtare: të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili nuk arriti të mposhte vetveten dhe të ndërhynte, dhe për dështim të Këshillit të OKB-së të të Drejtave të Njeriut, anëtarët e të cilit kanë refuzuar disa herë të informohen për krimet e luftës, për shkak të miqësive të dyshimta politike.

Që 20 vjet më parë Amnesty në Sri-Lankë ka paditur torturat, rrëmbimet e njerëzve dhe vrasjet e sanksionuara nga shteti. Ky është njëri prej shembujve të shumtë për atë se mosdënimi i shkelësve të të drejtave të njeriut pasohet nga shkelje të tjera. Por, përparime edhe janë bërë: Që prej krijimit të Gjykatës Penale Ndërkombëtare në vitin 2002 gjithnjë e më shumë autorë krimesh të rënda lufte duhet të marrin parasysh edhe nxjerrjen para përgjegjësisë.

Megjithatë, rruga e përshkuar për të arritur më shumë drejtësi vështirësohet nga përpjekjet për të marrë më shumë pushtet dhe nga aleancat politike. Edhe në këtë cështje Amnesty flet me gjuhë të qartë: në Këshillin e Sigurimit SHBA dhe shtetet e BE-së mbrojtën me votat e tyre Izraelin, që të mos jepte llogari për veprimet në Rripin e Gazës. Po aq të njëanshëm ishin shtetet afrikane dhe aziatike që kërkuan në Këshillin për të Drejtat e Njeriut hetime ndaj mënyrës së sjelljes së Izraelit, por pa hetuar edhe Hamasin. Të dyja këto janë dokumentuar tashmë në raportin e ashtuquajtur Goldstone.

Në rastin e presidentit sudanez Al Bashir, për të cilin Gjykata Penale Ndërkombëtare në Hagë ka nxjerrë fletarrestin, Amnesty akuzon disa shtete për solidaritet rajonal i cili keqkuptohet. Kështu për shembull Bashkimi Afrikan i kryesuar nga Libia, kërkoi nga Këshilli i Sigurimit pavarësisht peshës së akuzave të ngritura kundër Al Bashirit, ta ndërpriste procesin kundër tij dhe refuzoi bashkëpunimin me Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Rasti i Sudanit bën gjithashtu të qartë se pa zbardhjen e krimeve të luftës nuk ka paqe dhe të ardhme për popullin. Rrethanat në rajonin e luftës të Darfurit kanë çuar sipas Amnesty-t në një krizë të mirëfilltë të të drejtave të njeriut, e karakterizuar edhe prej refuzimit të ushqimit, të arsimit, të hapësirës sar banimit dhe të shërbimit shëndetësor.

Shpesh mungesa e gatishmërisë e shteteve për t'u garantuar shtetesve të tyre të drejtat politike, qytetare, ekonomike, sociale, kulturore, të sanksionuara ndërkombëtarisht, nuk ka pasoja vdekjeprurëse vetëm në rastin e luftrave. Vdekshmëria e nënave në vende si Sierra Leone, Peruja, Burkina Faso dhe Nikaragua, për të mos përmendur të tjerë, është sipas Amnesty-s pasojë e drejtpërdrejtë e shkeljes së të drejtave të njeriut. Diskriminimet për shkak të gjinisë, martesat e vajzave në moshë të mitur, mungesa e edukimit seksual dhe e shërbimit shëndetësor bëjnë që çdo vit më shumë se gjysmë milioni gra të humbin jetën gjatë shtatzënisë.

Amnesty përmend edhe një aspekt tjetër në raportin vjetor aktual: Varfërinë në rritje të gjithnjë e më shumë njerëzve si pasojë e krizave ushqimore, energjetike dhe financiare, dhe shembujt në rritje të shkeljes së të drejtave të njeriut, që ndodhin në fushën e përgjegjësisë të sipërmarrjeve shumëkombëshe.

Më qartë se kurrë më parë shoqëria civile në formën e organizatës jo-qeveritare globale Amnesty International ka treguar një gjë: Veprimet e gjithë hallkave përgjegjëse, përtej kufijve shtetërpre, duhet të orientohet më shumë se kurrë tek të drejtat e njeriut në fuqi. Vetëm kështu mund të realizohen shancet për jetë njerëzore të denjë. Duke kuptuar këtë shoqëria civile aktive ka mbërritur shumë më shpejt në epokën globale sesa shumë anëtarë qeverish.

Autor: Ulrike Mast-Kirschning/ Elert Ajazaj