1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënohen me 40 ditë burgim disa aktivistë të "Vetvendosjes"

Bekim Shehu12 Shkurt 2007

Situata e sigurisë në Kosovë pas protestave të së shtunës është e rënduar, ndërsa organet e rendit thonë se gjendja e sigurisë është nën kontroll të plotë

https://p.dw.com/p/ArYf
Pamje nga demonstrata
Pamje nga demonstrataFotografi: AP

Ministri i punëve të brendshme, Fatmir Rexhepi edhe pse nuk ndihet përgjegjës për dhunën nga përleshja e protestuesve me policinë dhe ku humbën jetën dy protestues, ai dha dorëheqje nga posti i tij.

Në bazë të kornizes kushtetuese, ministria e brendshme e Kosovës, realisht nuk ka kompetenca të plota mbi policinë kosovare dhe policinë ndërkombëtare, mirëpo, ministri tashmë në largim, Fatmir Rexhepi, tha se ai dorëheqjen e tij e cilëson si një akt moral.

Në Prishtinë, ndërkaq, akoma po vazhdojnë të shënohen reagime nga më të ndryshmet për protestën e së shtunës nga të cilat kumbën jetën dy protestues. Zyra e Ombudspersonit të Kosovës ka kërkuar hetime të shpejta, të hollësishme dhe të pavarura, lidhur me vdekjen e dy protestuesve.

Mësohet se edhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, ka kërkuar nga Shërbimi Policor i Kosovës dhe policia ndërkombëtare, hetimin e rrethanave që çuan në humbjen e jetëve të demonstruesve në përleshje me policisë. Nga ana tjetër Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Prishtinë, e ka dënuar dhunën që ka ushtruar policia të shtunën në protestë, ndërsa, SHPK-së vazhdon të këmbëngulë se nuk ka perdorur dhunë të tepruar ndaj protestuesve.

Organet e drejtësisë kosovare, ndërkaq, tashmë kanë dënuar me nga 40 ditë burgim, 5 aktivistë të lëvizjes “Vetëvendosje” organizator të protestës. Ndërkohë, udhëheqësi i kësaj lëvizje Albin Kurti akoma po mbahet në paraburgim, në pritje për të dalë përpara organeve të drejtësisë. Njoftimin e bënë të ditur në një konferencë për media, aktivistët e Lëvizjes, vetvendosje. Ata thonë se protestat megjithatë do t’i vazhdojnë në kohën e shqyrtimit të pakos së Ahtisarit dhe kësaja radhe protestat do të shtrihen sipas tyre në të gjitha qendrat e Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Agim Çeku në një fjalim drejtuar qytetarëve, thotë se, dhuna e së shtunës ka dëmtuar procesin në të cilin ndodhet Kosova. Ai u bëri thirrje qytetarëve që të jenë syçelur në këto momente nëpër të cilat po kalon Kosova të bashkëpunojnë me autoritetet në Prishtinë në mënyrë që të përbyllet me sukses procesi i zgjidhjes së statusit.