1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dënohet ish-agjenti i BND-së dhe përkthyesi i tij

26 Maj 2010

Kur filloi gjyqi në nëntorin e vitit të kaluar, historia dëgjohej si thrillër politik: Një agjent homoseksual i BND ishte tradhtuar nga i dashuri i tij shqiptar dhe e kishte vënë në rrezik sigurinë e Gjermanisë.

https://p.dw.com/p/NY1w
Dy të akuzuarit, Robert K dhe Murat A hyjnë në sallën e gjyqit (2009)
Dy të akuzuarit, Robert K dhe Murat A hyjnë në sallën e gjyqit (2009)Fotografi: picture-alliance/dpa

Ndërsa gjykatësi lexon vendimin, dy burrat në bankën e të akuzuarve i mbajnë duart të shtrënguara me njëri tjetrin. Dy vjet dhe tre muaj burg për tradhti të sekretit të shërbimit dhe mashtrim për ish-agjentin Anton K. dhe 14 muaj me kusht për mashtrim për të dashurin e vet shqiptar Murat A. Anton K. është i bindur, se punët do të ishin zhvilluar ndryshe nëse i dashuri i tij përkthyes do të kishte qenë femër: "E tëra do të ishte parë si diçka normale, do të më kishin hequr nga posti dhe vendosur në një vend tjetër, por nuk do të kisha pasoja të tjera", thotë ai.

Tani 43-vjeçari është dënuar, sepse i kishte treguar të dashurit një dokument të fshehtë të një shërbimi të huaj dhe se kishte folur me të për strukturat e brendshme të BND-së. Vendimi i gjykatësit në këtë pikë devijonte nga akuza e Avokatit Federal. Këto nuk ishin sekrete shtetërore, por sekrete të shërbimit, argumenton gjyqi. Për avokatin e Anton K. Sascha Jung as ky nuk është shkak i mjaftueshëm që një agjent të dënohet me burg: "Gjyqi nuk i ka marrë parasysh fare rrethanat e punës së një agjenti jashtë shtetit. Mbas këtij vendimi unë do t'u këshilloja të gjithë agjentëve që të mbathen mirë, se qenka shumë e lehtë të hysh në krim", thotë ai.

Bien akuzat për tradhti të sekretit shtetëror

Ushtari profesionist Anton K. ishte dërguar në vitin 2005 në Shkup për të punuar si oficer ndërlidhës dhe ndër të tjera edhe për të ngritur një rrjet informantësh në Kosovë. Pak më vonë ai fillon të angazhojë si përkthyes të dashurin e vet, Murat A., një shqiptar i Maqedonisë i lindur në Gjermani, por pa i bërë me dije BND-së për lidhjen homoseksuale me 29-vjeçarin. Në variantin e parë të aktakuzës së Prokurorisë Federale në nëntor 2009 Murat A akuzohej edhe për lidhje të ngushta me shërbimet e fshehta dhe organizatat kriminale. Por edhe vetë prokuroria u tërhoq prej kësaj, pasi mungonin dëshmitë e mjaftueshme.

Akuza që mbeti për Murat A. ishte bashkëpunimi në rastin e mashtrimit me përfitim ekonomik, për çka edhe u dënuan të dy të pandehurit. Sipas Gjykatës ata ia kishin fshehur BND-së faktin, që Murat A. në Gjermani nuk ishte në marrëdhënie pune dhe e kishin mashtruar kështu Shërbimin duke vënë në llogari dëmshpërblime për humbje fitimesh në një shumë prej gjithsej 14.700 Euro.

Lëndim i së drejtës ndërkombëtare

Historia nisi, pasi e shoqja e agjentit e kishte informuar punëdhënësin e këtij për një sigurim në rast vdekjeje, nga i cili fillimisht kishte përfituar vetë ajo, por që këtej e tutje do të kishte si përfitues Murat A. Shumica e dëshmive, që i rënduan të pandehurit vinin nga banesa e ish-agjentit Anton K. në Prishtinë, të cilën Zyra Federale Kriminale (BKA) e kishte kontrolluar në mars të vitit 2008, pikërisht një muaj mbasi Kosova ishte shpallur e pavarur dhe Gjermania e kishte njohur atë. Kontrolli ishte bërë pa pyetur as organet e shtetit të ri, e as UNMIK-un.

Gjyqi e cilësoi këtë kontroll si një shkelje të së drejtës ndërkombëtare, por - ndryshe nga ajo që kishte kërkuar mbrojtja - nuk i shpalli dëshmitë të pavlefshme. Ky aspekt dhe disa elemente të tjera të procedurës pritet të trajtohen në gjyqin e revizionit në Gjykatën Federale. "Unë jam optimist, sepse Gjykata Federale nuk është instanca e fundit. Ne do të shkojmë edhe në Gjykatën Evropiane", thotë Anton K. dhe merr në krah partnerin e tij që duket shumë i shokuar nga vendimi.

Autor: Anila Shuka

Redaktoi: Auron Dodi