1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dështim për të dy partitë e mëdha

VFB20 Shtator 2005

Zgjedhjet parlamentare në Gjermani vazhdojnë të jenë tema numër një e komenteve dhe analizave në shtyp. Gazetat komentojnë gjithashtu edhe bisedimet me Korenë e Veriut për programin bërthamor.

https://p.dw.com/p/Artj
Fotografi: dpa - Bildfunk

Gazeta "Frankfurter Allgemeine Zeitung" në komentin e saj i referohet çështjes së reformave dhe vëren: "Kaq pra mbi temën e reformave. Apo ndoshta ndonjëri ende beson, se në një të ardhme të shpejtë politikanët e unionit konservator, apo ata të partisë socialdemokrate do të angazhohen për këtë çështje? Angela Merkel dhe Gerhard Shrëder, njëri më shumë e tjetri më pak, janë identifikuar me reformat dhe tani morrën faturën për këtë. Për të dyja partitë e mëdha rezultati i zgjedhjeve është dështim dhe humbje, është e vështirë që në formacionin e 30% me tendencë në rënie ta quash veten ende si parti popullore", nënvizon "Frankfurter Allgemeine Zeitung".

E përditshmja "Neues Deutschland" analizon: "Politikanët do t´i ruajnë për një kohë të gjatë në kujtesë këto zgjedhje, prej të cilave mësuan, se arroganca e llustruar shpaguhet. Me lojrat e tyre për pushtet ata kanë mbjellë vetëm pakënaqësi. Nëse ata do të vazhdojnë të mos marrin në konsideratë drejtësinë sociale sërish do të humbasin drejt hiçit, ndonëse pas horizontit fshihet diçka më shumë: "tmerri" i madh i mundësisë së një aleance reformash me karakter të majtë. E pra pas zgjedhjeve ndodhemi sërish përpara zgjedhjeve", tërhe vëmendjen "Neues Deutschland".

Për "Der Tagespiegel": "Shrëderi nëse e masim nga fjalët e tij të 22 majit ka fituar dhe ka humbur. Partia socialdemokrate nuk ka një mandat të padiskutueshëm për të vazhduar si deri më sot. Por Shrëderi ka fituar dukshëm në krahasim direkt me Merkelin. Partia socialdemokrate ka fituar në Veri, në Lindje dhe në Perëndim, zona këto që tani janë të kuqe, ndërsa unioni konservator sipas traditës ka fituar në Jug, sepse Merkeli ka humbur. Gjermanët nuk e duan atë, dhe Shrëderi e ka shfrytëzuar këtë. As Merkeli dhe as unioni i saj nuk ishin në gjendje t´i bënin ballë Shrëderit. Ndoshta ditët e ardhëshme do të tregojnë, nëse kishim të bënim vetëm me një grua, dhe shumë që nuk kishin besim se ajo do të mund ta drejtonte Gjermaninë", shkruan "Der Tagespiegel".

Ndërsa komentatori i "Tageszeitung" vëren: "Ajo që ka arritur Shrëderi është gjendja e një bllokade reciproke. Në këtë lojë të dyja palët synojnë të forcojnë pozicionin e tyre duke hamendësuar opcione nga më të ndryshmet për koalicionet e quajtuara semafor apo Xhamajka. Zgjidhje do të ketë vetëm nëse të dy pretendetët për postin e kancelarit më në fund do të tërhiqen. Tek e fundit Shrëder e ka penguar Merkelin e në këtë ai mënyrë ka arritur edhe triumfin e tij të fundit. Jo kancelari, por kandidatja është e dështuar", mendon "Tageszeitung".

E përditshmja e Bonit "General Anzeiger" komenton gjithashtu opcionet për koalicione: "Politika nuk është e detyruar që të nxjerrë më të mirën nga ky rezultat. Ajo nuk mund të krijojë tani një rezultat tjetër, ndaj edhe zërat që dëgjohen aty këtu për shpalljen sa më shpejt të zgjedhjeve të reja janë një turp. Për shkak të nevojave për reforma në këtë vend duhet të farkëtohet tani një koalicion i qëndrueshëm qeveritar. Interesat individuale duhet të lihen mënjëanë. Një gjë është e qartë: kristjandemokratët/kristjansocialët nuk do t´ia shtrijnë dorën për koalicion socialdemokratëve nën Gerhard Shrëderin, e as ky i fundit nuk do të kërkojë aleancën me Angela Merkelin. Pas deklaratave të Shrëderit raporti midis tyre tani për tani është copëzuar. Ndaj zgjedhësit gjatë ditëve të ardhëshme do të mund të ndjekin një teatër të rrallë paralelisht me bisedimet për koalicione", nënvizon "General Anzeiger".

Temë e koemntuar në shtypin e sotëm në rubrikën e temave ndërkombëtare janë bisedimet me Korenë e Veriut për programin bërthamor. Nga komenti i "Nürnberger Nachrichten" shkëpusim: "Pas ec e jakeve disa vjeçare që janë shkallëzuar deri në mosmarrëveshje me ngjyra luftarake Korea e Veriut ka deklaruar gatishmërinë për t´u rikthyer tek marrëveshja për ndalimin e armëve bërthamore. E menjëherë pas kësaj politikanët e angazhuar për paqen e shohin veten të konfirmuar dhe kërkojnë që të vazhdojë dialogu edhe me udhëheqjen në Teheran për programin bërthamor të Iranit. Por askund ende nuk është vendosur asgjë. Në bisedimet gjashtë palëshe në Pekin janë bërë vetëm deklarata parimore për të hequr dorë nga armët bërthamore, për furnizimet me energji dhe për vënien në dispozicion të një reaktori", shkruan "Nürnberger Nachrichten".