1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

'Dështim shtetëror' ndaj NSU-së

Marcel Fürstenau/Dardanie Pajaziti22 Gusht 2013

Komisioni hetimor parlamentar ndaj krimeve të ekstremistëve të djathtë ka paraqitur raportin përfundimtar, pas marrjës në pyetje të dëshmitarëve të fundit.

https://p.dw.com/p/19UoY
Fotografi: picture alliance/dpa

Për këtë çështje ishin të një mendimi të gjithë pjesëmarrësit e komisionit hetimor parlamentar për grupin neo-nazist NSU: Organet kompetente të sigurisë i kishin nënvlerësuar ekstremistët e djathtë. Nëntë persona u vranë me të njëjtën armë gjatë viteve 2000/2006 dhe megjithatë racizmi nuk u konsiderua si motiv i akteve kriminale. Organet kompetente të sigurisë nuk mund të akuzohen se pse nuk dyshuan vetëm në vrasjen e dhjetë, në fillim të vitit 2007, të një policeje nga NSU-ja, sepse lidhja mes vrasjes dhe ekstremistëve të djathë në vështrim të parë nuk kuptohej.

Sebastian Edathy nga socialdemokratët, i cili për një vit e gjysëm ishte kryetar i komisionit për hetimin e NSU-së, tregon për një “dështim të pashembullt historik të autoriteteve” pas marrjes në pyetje të 100 dëshmitarëve. Katër vite e gjysëm pas vrasjës së fundit zbulohen qëllimet e verteta, dhe ato rastësisht. Më 4 nëntor 2011, pas një vjedhjeje të një banke në Thüringen në landin e Eisenachut, policia iu afrua një makine banesë të dyshimtë, e cila po digjej flakë. Në mbetjet e saj policia gjeti dy meshkuj të cilët ishin vetëvrarë, bëhet fjalë për Uwe Böhnhardt dhe Uwe Mundlos. Gjatë kërkimeve ata gjithashtu gjetën armën, me të cilën ishte kryer vrasja e polices Michele Kiesewetter në Heilbronn.

Edathy: “Nuk ishim të përgatitur për terrorizmin nga të djathtët”

Ishte tmerr i madh, kur pak kohë pasi ndodhi shpërthimi në një shtëpi rreth 180 km larg nga Zwickau dhe në rrënoja u gjet një video e NSU-së. Pamjet e para treguan ato që komisionet e shumta speciale të policisë dhe mbrojtësit kushtetues kishin anashkaluar për më shumë se një dhjetëvjeçar. Sipas pikëpamjes së kryetarit të komisionit për hetimin e NSU-së Edathy, 4 nëntori 2011 për Gjermaninë është njësoj siç ishte për Amerikën 11 shtatori 2001.

Kryetari i Komisionit Hetimor, Edathy
Kryetari i Komisionit Hetimor, EdathyFotografi: picture-alliance/dpa

Atë ditë u bë e qartë se “e gjithë hierarkia e sigurisë në Gjermani, nuk ishte e përgatitur sa duhet për një terrorizëm të tillë nga të djathtët”, tha socialdemokrati në bisedë me agjencinë e lajmeve gjermane (DPA). Se si ka mundur të ndodhë diçka e tillë, është duke u munduar të zbardhet sa më shpejt nga komisioni parlamentar i udhëhequr nga Edathy. Komisioni ka nisur punë që nga fundi i janarit të vitit 2012, me gjithë bashkëpunëtorë publik dhe të fshehtë. Pas shqyrtimit të provave të fundit dhe dëshmitarëve komisioni për hulumtim të NSU-së, doli në një përfundim tmerrues. Njëzëri ai u dëshmoi policisë, drejtësisë dhe politikanëve përgjegjës një “dështim dhtetëror”.

Shumë lavdërime, por edhe më shumë pyetje

Dhe si përfundim arrijmë të kuptojmë se nëse ekstremisti i famshëm i të djathtëve Uwe Böhnhardt, do të qe arrestuar në fund të viteve '90, ndoshta atëherë të gjitha këto krime do të ishin parandaluar. Madje do të kishte shumë arsye për të besuar këtë, sepse policia gjeti në garazhin e tij bomba artizanale. Megjithatë, se si ia doli Böhnhardt prapë të shpëtojë, kjo mbetet një ndër pyetjet e shumta.

Në përgjithësi, të gjithë përfaqësuesit e pesë grupeve parlamentare janë të kënaqur me rezultatet e punës së tyre. Për punën e bërë paneli i punës mori shumë lëvdata. Avokatja e popullit, Barbara John, në lidhje me zbulimin e terrorit të NSU-së, vlerëson komisionin hetimor edhe në emër të viktimave, të cilët janë “shkaku kryesor” i gjithë kësaj pune.

Familjarët, të cilët në fillim të muajit maj ngritën padi në procesin që filloi kundër NSU-së në gjykatën e apelit të Mynihut, po përjetojnë se sa e vështirë është përballja ligjore. E akuzuar për këto vrasje tashmë është Beate Zschäpe dhe katër ndihmës të tjerë të dyshuar. Procesi do të rinisë në fillim të shtatorit pas një muaji pushimesh verore. Familjarët e viktimave dhe pjesëtarë të komisionit hetimor të NSU-së shpresojnë, që përgjegjësja e vetme e këtyre krimeve Zschäpe të japë dëshminë e saj.