1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

031108 Hessen Ypsilanti

Sproß, Hans4 Nëntor 2008

Zgjim nga ëndrra: Plani i Andrea Ypsilantit për një qeveri pakice n Hesen me një koalicion kuq e gjelbër, i cili do të tolerohej edhe nga të majtët, dështoi. Katër deputetë socialdemokratë e minuan planin.

https://p.dw.com/p/FnEE
Kryetarja e socialdemokratëve në Hessen Andrea YpsilantiFotografi: AP

"Kjo ishte dhe është një ditë shumë e vështirë dhe problematike për partinë socialdemokrate të Hesenit."


Kështu u shpreh të hënën (3.11.) kandidatja e partisë socialdemokrate (SPD) në landin e Hesenit, Andrea Ypsilanti, pasi dështoi përfundimisht me përpjekjen e saj të kontestuar, për ngritjen e një qeverie landi kuq e gjelbër, me mbështetjen e partisë së majtë.


Pas zgjedhjeve parlamentare të landit në mars të këtij viti, ku partia kristiandemokrate (CSU) e kryeministrit Roland Koh (Roland Koch) pësoi humbje të rënda, por ishte ende përpara SPD-së, Ypsilanti e shpalli veten fituese në zgjedhje. Ajo njoftoi se do të zgjidhej kryeministre e re e landit me ndihmën e grupit paralamentar të të majtëve.


Kështu Ypsilanti u vu në qendër të kritikave të ashpra nga kampi konservator: ajo theu premtimin e fushatës elektorale, sipas të cilit nuk do të pranonte mbështetje nga të majtët. Qysh atëherë Ypsilanti ndeshet më akuza për "thyerje fjale" dhe "mashtrim të zgjedhësve".


Përpjekja e parë për zgjedhjen e Ypsilantit si kryeministre e re të landit, dështoi kur një deputete socialdemokrate njoftoi, se nuk do të mbështeste kandidaten e partisë së saj. Deputetja Dagmar Mecger (Dagmar Metzger) tha se nuk do të mbështeste me votën e saj thyerjen e premtimit bërë zgjedhësve të SPD-së. Por, Ypsilanti dhe mbështetësit e saj nuk hoqën dorë nga përpjekjet për krijimin e qeverisë së re.


Në një seri konferencash partie dhe votimesh provë u përgatit zgjedhja e Ypsilantit, dhe në fund të tetorit SPD-ja dhe të gjelbrit ranë dakort për një marrëveshje koalicioni. Të martën (4.11.) sipas skenarit duhej të bëhej zgjedhja eYpsilantit në parlamentin e landit, por atëherë ndodhi ajo që nuk pritej: të hënë paradite (3.11.) tre deputetë të tjerë nga rradhët e socialdemokratëve zbuluan ndërgjegjen e tyre, dhe i bënë të ditur opinionit publik tejet të habitur se nuk mund të votonin për Ypsilantin. Kandidatja e SPD-së u gjend pëpara planeve të saj të shkatërruara, dhe mundi të deklaronte vetëm se ishte "thellësisht e zhgënjyer".


Në bazën e SPD-së flitet tashmë për një dështim të madh. E kush mund ta marrë më seriozisht SPD-në e Hesenit? Kritikat drejtohen në rradhë të parë ndaj tre deputetëve që refuzuan mbështetjen për Ypsilantin, të cilët e bënë të ditur qëndrimin e tyre minutën e fundit. Kryetari i grupit parlamentar të të gjelbërve në parlamentin e Hesenit, Al Vazir (Al-Wazir) e përmbledh kështu kritikën ndaj qëndrimit të tre deputetëve:


"Të gjelbrit janë shumë të habitur, që tre vetë pas përfundimit të suksesshëm të negociatave për koalicion, dhe pas vendimeve përkatëse të partisë, deklarojnë sot se nuk janë më të gatshëm të ndjekin këtë rrugë."


Kështu kryeministri aktual i Hesenit, kristiandemokrati Roland Koh, do të vazhdojë të qëndrojë në detyrë. Ai nuk iu bashkua kritikës ndaj tre deputetëve socialdemokratë, por shprehu "respekt personal" për qëndrimin e tyre.