1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dështon referendumi për shkarkimin e presidentit Bashesku në Rumani

Robert Shwartz21 Maj 2007

Në Rumani në fundjavë dështoi referendumi për shkarkimin e presidentit Trajan Bashesku

https://p.dw.com/p/Ar81
Presidenti i Rumanisë Trajan Bashesku
Presidenti i Rumanisë Trajan BasheskuFotografi: AP

Me një pjesëmarrje me gati 50 përqind të zgjedhësve në referendumin e së shtunës më 19 maj, tre të katërtat u shprehën kundër shkarkimit të presidentit. Referendumi ishte i nevojshëm, sepse shumica në parlament akuzoi Basheskun për shkelje të përsëritur të kushtetutës, akuzë kjo që nga gjykata kushtetuese u hodh poshtë si e pabazë.

Referendumi dështoi. Aleanca e krijuar nga zori midis kundërshtarëve të Basheskut në parlament, e përbërë nga deputetë të mazhorancës dhe opozitës, priste shumë më tepër nga votimi popullor. Por ky rezultoi me një fitore të qartë të Basheskut. Ndaj nuk është e habitshme, që vetëm një ditë pas referendumit me zë gjithnjë e më të lartë u shtrua çështja, se ç´kuptim kishte ky aksion.

Nga njëra anë ky është dështimi politik i iniciatorëve, që i përkasin si opozitës socialdemokrate ashtu edhe nacional-liberalëve në pushtet. Këta duhet ta ndryshojnë sa më shpejt strategjinë e tyre, në mënyrë që të mund t´i bindin sërish zgjedhësit. Shumë simpatizantë kanë votuar kundër shkarkimit të Basheskut, në Rumani ndërkohë s´ka asnjë kandidat tjetër me kredibilitet që do të mund të fitonte zgjedhjet e reja për t´u ulur në pallatin Cotroceni.

Së dyti: referendumi ishte si të thuash një argëtim që kushtoi shtrenjtë. Rreth 20 milinë Euro ka shpenzuar qeveria për të organizuar referendumin. Para këto, që me siguri do të mund të përdoreshin më me dobi për vazhdimin e reformave në këtë vend të ri antar të BE-së. Një nismë kjo që me rezultatin e papritur pro Basheskut u dëshmua si një investim i humbur kot.

Një tjetër aspket, që nuk duhet të lihet jashtë vëmendjes së klasës politike: më shumë se gjysma e zgjedhësve nuk kanë marrë pjesë në votime. Mesazhi i tyre kësisoj është mëse i qartë: mund të bëjmë edhe pa politikë! E duket se me këtë ata kanë të drejtë. Pavarësisht nga kriza politike disa mujore ekonomia është në bum, monedha vendase është e qëndrueshme si asnjëherë tjetër dhe inflacioni ka mbetur në kufijtë e tij. Në Rumani partitë politike gjithnjë vazhddojnë të konsiderohen si rrjete të politikanëve të fuqishëm dhe bosëve të ekonomisë, tashmë ka ardhur koha, që 17 pas kthesës, të dalin figura të reja në skenën e politikës.

I tillë është edhe vetë presidenti, i cili do të luajë rol aktiv në politikë gjë që i lejohet ta bëjë në bazë të kushtetutës rumune. Aksionet e tij - ndër to lufta kundër korrupsionit, hapja e dosjeve të securitates, ish-sigurimit të shtetit komunist, dënimi publikisht i komunizmit- të gjitha i kanë sjellë shumë armiq atij edhe nga radhët e partisë së vet. Këta u përpoqën ta shkatërrojnë Basheksun me një ashpërsi të paparë deri më sot në luftën elektorale për referendumin. Presidenti nuk mbeti pas, ai iu kundërvu kundërshtarëve, në radhë të parë ish-partnerit të koalicionit, kryeministrit liberal Calin Popescu Taricenau.

Bashesku nuk është njeri që pajtohet shpejt. Ai do në radhë të parë të ruajë vendin prej kaosit të mëtejshëm, por nuk ka alternativë tjetër veçse të gjejë në kuadër të kushtetutës një rrugë për harmonizim. Rumania po mbikqyret me kujdes nga Komisioni i BE-së, për shkak të bllokimit të reformave në drejtësi dhe në bujqësi, vendi kërcënohet prej klauzolave të sigurisë. Vënia në jetë e këtyre klauzolave do të thotë ndër të tjera shkurtim i mbështetjes financiare të BE-së. Por njerëzit në Rumani kanë nevojë urgjente për këto para, në mënyrë që të mund të afrrojnë nivelin e tyre të jetesës me atë të mesatares së BE-së.