1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

280511 Griechenland Krisengipfel

29 Maj 2011

Samiti i krizës në Athinë duhej të ishte një kthesë për arritjen e një qendrimi të përbashkët të të gjitha partive greke, ndaj masave të reja të kursimeve. Shpresat nuk u përmbushën.

https://p.dw.com/p/11QFw
Fotografi: picture-alliance/dpa

Trysnia e butë e presidentit grek Karolos Papoulias, nuk pati sukses të premten (27.05.2011): pothuajse të gjitha partitë opozitare në parlamentin grek, e refuzuan kursin e kursimeve të qeverisë socialiste të kryeministrit Jorgos Papandreu. Por kjo nuk ishte e papritur, pasi masat e planifikuara të kursimeve janë të kontestuara edhe në radhët e partisë në pushtet.

Kryeministri grek Jorgos Papandreu.
Kryeministri grek Jorgos Papandreu.Fotografi: picture alliance/dpa

Papandreu deklaroi se do të përpiqej edhe më tej për arritjen e një konsensusi me partitë opozitare. Në një fjalë një televizion pas takimit të krizës, kryeministri grek u shpreh se për këtë ka shumë pika mbështetjeje. Megjithatë është e nevojshme që partitë të shohin përtej interesave vetjake. Në situatën aktuale janë të nevojshme vendime të guximshme, tha më tej Papandreu.

As konservatorët nuk janë pa faj

Pas dështimit të samitit të krizës u bë e qartë se drama e borxheve në Greqi perceptohet gjithnjë e më shumë edhe si një problem politik. Për programin aktual të kursimeve do të kishte qenë i dëshirueshëm në radhë të parë miratimi i liderit konservator të opozitës Antonis Samaras. Në fund të fundit, partia e tij mban një pjesë të përgjegjësisë për mjerimin financiar të vendit, pasi borxhi shtetëror grek u dyfishua brenda pesë vjetë e gjysmë qeverisjeje të kryeministrit të fundit konservator Kostas Karamanlis (2004-2009).

Kryetari i partisë koservatore "Nea Dimokratia", Antonis Samaras, ka sinjalizuar se do të pranojë shitjen e pasurive shtetërore. Por nuk pranon të tjera masa të qeverisë Papandreu dhe u premton grekëve ulje të taksave në rast të fitores në zgjedhje. Samaras i cilësoi "shantazh" kërcënimet e fundit të ministrit holandez të Financave Jan Kees de Jager, se nuk do të pranonte dhënien e ndihmave të tjera për Greqinë nëse konservatorët grekë nuk do të miratonin paketën e shpëtimit.

Refuzim në mbrojtje të interesave të Greqisë

Samaras deklaroi se partia e tij nuk mund të mbështesë një politikë, e cila po e përçan shoqërinë greke, po i merr frymën ekonomisë dhe për më tepër nuk arrin të përmbushë objektivat e vëna nga Evropa. Veç kësaj nuk do të pranohet asnjë shantazh, i cili nuk pajtohet me vlerat bazë të demokracisë, deklaroi Samaras. Për kryetarin e konservatorëve grekë ka vetëm një rrugë për daljen nga kriza: negociata të reja me BE-në dhe FMN-në për ndihmat financiare.

Mesa duket Samaras e sheh zellin e tij të tepruar si një hakmarrje të vonuar ndaj populizmit të ish-liderit të opozitës Papandreu, i cili në vitin 2009 kundërshtoi me forcë privatizimin e portit të Pireut dhe kompanisë hekurudhore TRENOSE, pra pikërisht të atyre firmave shtetërore, të cilat kërkon t'i privatizojë tani. Por megjithë mirëkuptimin që mund të tregohet për taktikën e tij partiake, Samaras me qëndrimin e tij po rrezikon shumë me humbjen e simpatisë në Athinë por edhe në Bruksel.

Ky qëndrim do të dëmtojë marrëdhëniet e konservatorëve grekë me partitë simotra në Evropë, mendon gazetarja athinase Elli Triantafillu. Që tani politikanë të nivelit të lartë të këtyre partive janë disa prej kritikëve më të ashpër të Greqisë.

Të nxirren mësime nga historia e Greqisë

Populisti i djathtë grek Jorgos Karaxhaferis, shfrytëzon momentin e përshtatshëm. Ai kërkon konsensus të gjerë për një politikë të vazhdueshme kursimesh dhe kritikon qëndrimin bllokues të partive të tjera. Pas samitit të krizës ai iu referua shembujve nga historia greke dhe e krahasoi situatën aktuale të Greqisë me shkatërrimin që i kanosej Athinës nga persët në shekullin e 5-të para Krishtit. Shkatërrimi mundi të shmangej pasi trupat rivale greke arritën të merreshin vesh përpara betejës vendimtare detare para brigjeve të Salamisit. "Nëse Themistokleu dhe Eurybiades nuk do të ishin marrë vesh atëherë, ata nuk do të kishin hyrë në histori, por për disa karriget e veta janë më të rëndësishme se vendi", kritikon Karaxhaferis qëndrimin e kolegëve politikanë.

Ndërkohë Athina është përfshirë nga një valë e re protestash sipas shembullit spanjoll. Protestat drejtohen kundër politikës së kursimeve të qeverisë, por edhe kundër korrupsionit dhe nepotizmit në politikë. Mijëra njerëz vërshojnë çdo mbrëmje në sheshin qendror Syntagma para parlamentit dhe demonstrojnë paqësisht, pa flamuj partiakë.

Autor: Jannis Papadimitriou / E.Xhani

Redaktoi: V. Filaj-Ballvora